politikan shqiptar From Wikipedia, the free encyclopedia
Ali pashë Shabanagaj i njohur më së shumti si Ali pashë Gucia (1828 - 5 mars 1888) ka qenë çifligar, funksionar i Perandorisë Osmane dhe kryetar ushtarak i Lidhjes të Prizrenit, ku u shqua në krye të aksionit të njësive të Lidhjes në mbrojtje të Plavës dhe Gucisë.
Ali pashë Gucia | |
---|---|
Emri i lindjes | Ali bej Shabanagaj |
Në aleancë me | Perandoria Osmane |
Shërbimi/ | Lidhja e Prizrenit |
Vite shërbimi | 1845-1888 |
Grada | pashë, bejlerbej |
Betejat/luftrat | Beteja e Nokshiqit |
P. Gjergj Fishta e paraqet si figurë qendrore te kënga e 8 dhe e përmend edhe te kënga e 9 e veprës së tij Lahuta e Malcís.[1][2]
U lind më 1828 në Plavë[3] ose në Guci, i biri i Hasan[4] ose Hysen bej Shabanagës.[5] Shabanagajt i përkisnin fisit të Gruemirës nga Malësia e Shkodrës, i pari i tyne Shaban Aga kishte qenë dhëndërr i Sulejman Pashës, sanxhakbeut të Shkodrës.[6] Familja e tyre ka qenë brez pas brezi kryetare e bajraktarëve të krahinës, kishin privilegje,[7][8] dhe prona në nahijen e Vasojeviqit, në Guci dhe në Beranë. Por këta prona i humbi më 1858, kur zona u bë pjesë e Malit të Zi dhe sistemi feudal osman mbaroi me reformat e Tanzimatit.[3] Ndoqi dhe kreu medresenë në Pejë dhe shkollën ushtarake në Stamboll. Më 1845 u caktua kajmekam i kazasë së Gucisë, duke pasuar të atin në atë zyrë. Në luftën e parë osmano-malazeze mori titullin pashë dhe i priu 5,000 bashibozukëve shqiptarë. Në vitet gjashtëdhjetë mbështeti lëvizjen e fiseve muslimane shqiptare kundër reformimeve që do të aplikoheshin në sajë të Tanzimatit, që do t'i mpakte privilegjet e vjetra.
Shërbeu në Luftë Ruso-Turke, ku luftoi në betejën e Moraçës më 11 qershor 1877,[3] ku pati si komandant të fuqive shqiptare Mehmet pashë Maxharrin.[9][10] Qe ndër nismëtarët për vetëdijësimin e shqiptarëve të trevave të Gucisë, Plavës dhe Rugovës që merreshin vesh për rrezikun që u kanosej nga Traktati i Shën Stefanit.[11] Sipas caktimeve nga Lidhja e Prizrenit, në krahinat ku Ali Pasha qeveriste, u dha urdhëri të organizoheshin 2,000 shpirtra në Guci dhe 2,000 në Rugovë.[12] Shkoi shpesh në Stamboll që të negocionte me Sulltanin dhe iu dha titulli mir-i miran.[3] Pasi Porta caktoi Mehmet pashë Maxharrin si komisar të lartë për të mbikëqyrur dorëzimin e territoreve (Plavës dhe Gucisë, Malit të Zi), ky i kërkoi Ali Pashës kur ky kishte rënë në Gjakovë që të kërkonte ndihma të tjera, që të shpërndante fuqitë që kishte organizuar në Guci e në Plavë; ky iu përgjigj që "nuk do ta bënte kurrë një tradhëti të tillë".[13]
Pasi edhe Kongresi i Berlinit ripohoi qëndrimet e traktatit për viset e Plavës dhe Gucisë, Ali Pashë Gucia nxiti krerët e krahinës, mes të cilëve Jakup Ferrin i cili u mundësoi gatishmërinë e fiseve të Gashit dhe Krasniqes. Mali i Zi pasi mori garancinë që mund t'i zinte ushtarakisht viset, u prit me armë nga forcat e Lidhjes në Velikë, Pepiç dhe Nokshiq. Qëndresa shqiptare pati një jehonë të bujshme edhe në shtypin evropian, i cili nisi të merrej me çështjen shqiptare.[14] Pas luftimeve për mbrojtjen e Hotit dhe Grudës, u caktua Ulqini për t'u dhënë malazezëve. Ali Pashë Gucia shkoi në Pejë e Prizren dhe nisi njerëz në Dibër që të nxirrte kushtrimin për të mbrojtur Ulqinin. Korrikun e 1880 u paraqit në Ulqin me 3,500 shqiptarë për të penguar dorëzimin e qytetit.[3] Gjatë Luftës së Ulqinit, sipas dokumenteve britanike, nxiste sulme të kombinuara kundër malazezëve[15] më 19 gusht 1880.[16]
Nuk dihet gjësendi për qëndrimin e tij në muajt kur kryesia e Lidhjes dëboi autoritetet osmane, por kur erdhi Dervish Pasha për të rikthyer rendin shtetëror, Ali Pasha u dorëzua.[3] Me amnistinë e Sulltan Abdyl Hamidit, iu dhurua çifligu i Agabashit afër Shkupit dhe pas dëshirës së tij u emërua mytesarif i Pejës si shpërblim për qëndrimin e tij centralist përgjatë veprimtarisë së Lidhjes.[14] Më pas Ali Pasha çoi të rinj shqiptar që të shërbenin në gardën e sulltanit.[17]
Mbante pranë vetes një përkthyes për të huajt, i cili fliste italisht dhe gjermanisht, kurse turqisht dhe serbisht dinte vetë.[18]
Më 29 nëntor 1887 iu bë një pritë nga Adem Guska (Guzka është në raportin konsullor të 5 dhjetorit 1887, faqe 1) në Grykë të Rugovës[19] të organizuar nga Haxhi Zeka, kryetar i kahut radikal të Lidhjes. Haxhi Zeka ishte në mënyrë të veçantë i armiqësuar me bejlerët e Pejës, Mahmutbegollët, dhëndërr i të cilëve ishte Gucia.[3] Pritës i mbijetoi, por vdiq më pas më 5 mars 1888.[20][21] Burime të tjera pohojnë se u vra nga rugovasi Haxhi Meta, shprehimisht njeri i Haxhi Zekës, më 1307 h. Malije (1892/93) në çarshi të Pejës.[22]
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.