Abu Simbeli
sit ku gjenden disa tempuj shkembore te Egjiptit te lashte / From Wikipedia, the free encyclopedia
Abu Simbeli (ose Abu Simbal, Ebsambul si dhe Isambul) (أبو سمبل në arabisht), është një sit arkeologjik i Egjiptit, që gjendet në një fshat në Nubi, në Egjiptin e jugut, pranë kufirit me Sudanin, në bregun perëndimor të liqenit Nasser, rreth 280 km rrugë në jug-perëndim të Asuanit. Kompleksi është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s të njohur si "Monumentet nubiane",[1] që vazhdojnë nga Abu Simbeli përgjatë rrjedhës së Nilit deri në Filae (pranë Asuanit). Kompleksi arkeologjik i Abu Simbelit, në gjuhën egjiptiane Meha,[2] është i përbërë kryesisht nga dy tempuj gjigandë në shkëmb, të quajtur Tempuj shkëmborë të gërmuar në anën e malit nga faraoni Ramsesi II në Shekullin e XIII p.e.s., si monumente kushtuar vetë atij dhe mbretëreshës Nefertari, gruas më të dashur të shumë grave të Ramsesit[3] të ngritur për të impresionuar fqinjët jugorë Nubianë dhe për të përkujtuar fitoren në Betejën e Kadeshit si dhe të përforconte statusin e fesë egjiptiane në rajon. Historianët thonë se projekti i Abu Simbelit është shprehje e egos dhe krenarisë së Ramsesit të II. Secili tempull kishte priftin e tij që përfaqësonte faraonin në ceremonitë e përditshme fetare. Në teori, faraoni duhet të ishte zbatuesi i vetëm i ceremonive të përditshme fetare të kryera përgjatë Egjiptit. Në të vërtetë, prifti i madh luante gjithashtu atë rol. Për të arritur atë pozicion, ishte i nevojshëm një formim i gjerë në arte dhe shkenca, siç e kishte dhe faraoni. Leximi, shkrimi, inxhinieria, aritmetika, gjeometria, astronomia, matja hapësinore dhe llogaritja e kohës ishin pjesë e këtij formimi. Priftërinjtë e Heliopolisit, për shembull, bëheshin gardianë të diturisë së shenjtë dhe fitonin reputacionin e njerëzve të ditur. Në vitin 1968 kompleksi u zhvendos i gjithi në kodrën artificiale të përbërë nga një strukturë me kube, për të shmangur përmbytjen nga liqeni artificial Nasser. Në 1979 u shpall trashëgimi e njerëzimit nga UNESCO.