Kanceri endometrial
From Wikipedia, the free encyclopedia
Kanceri endometrial është një kancer që lind në endometër (shtresa që vesh uterusin ose mitrën).[8] Ai shkaktohet nga rritja jonormale e qelizave që kanë aftësinë të pushtojnë ose të përhapen në pjesë të tjera të trupit.[9] Përgjithësisht, shenja e parë është gjakderdhja vaginale që nuk lidhet me periudhën menstruale.[1] Simptoma të tjera përfshijnë dhimbje gjatë urinimit, dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale ose dhimbje të legenit.[1] Kanceri endometrial shfaqet më shpesh pas menopauzës.[2]
Kanceri endometrial | |
---|---|
Emra të tjerë | Kanceri i mitrës |
Vendndodhja dhe zhvillimi i kancerit endometrial. | |
Specialitet | Onkologjia |
Simptomat | Gjakderdhje vaginale, dhimbje gjatë urinimit ose gjatë marrëdhënieve seksuale, dhimbje e legenit[1] |
Fillimi | Pas menopauzës[2] |
Faktor rrezikues | Obeziteti, ekspozimi i lartë ndaj estrogjenit, presioni i lartë i gjakut, diabeti, historia familjare[1][3] |
Metoda diagnoztifikuese | Biopsi e endometrit[1] |
Trajtimi | Histerektomi abdominale, radioterapi, kemoterapi, terapi hormonale[4] |
Prognoza | Norma e mbijetesës pesëvjeçare ~80% (në Shtetet e Bashkuara)[5] |
Shpeshtësia | 3.8 milion individë (numri i përgjithshëm i individëve të prekur në vitin 2015)[6] |
Vdekje | 89,900 individë (në vitin 2015)[7] |
Rreth 40% e rasteve lidhen me obezitetin.[3] Kanceri endometrial lidhet gjithashtu me ekspozimin e tepërt ndaj estrogjenit, presionin e lartë të gjakut dhe diabetin.[1] Ndërsa marrja vetëm e estrogjenit rrit rrezikun e kancerit endometrial, marrja e një kombinimi të estrogjenit me progestogjenin, siç ndodh në shumicën e pilulave të kontrollit të lindjes, e ul këtë rrezik.[1] [3] Dy deri në pesë përqind e rasteve lidhen me gjenet e trashëguara nga prindërit.[3] Ndonjëherë, kanceri endometrial njihet rëndom si "kanceri i mitrës", megjithëse ndryshon nga format e tjera të kancerit të mitrës si kanceri i qafës së mitrës, sarkoma e mitrës dhe sëmundja trofoblastike.[10] Lloji më i shpeshtë i kancerit endometrial është karcinoma endometrioide, e cila përbën më shumë se 80% të rasteve.[11] Kanceri endometrial zakonisht diagnostikohet me biopsinë e endometrit ose duke marrë mostra gjatë një procedure të njohur si zgjerim dhe kuretazh.[1] Përgjithësisht, një pap test nuk është i mjaftueshëm për të treguar praninë e kancerit endometrial.[4] Ekzaminimi i rregullt në individët me rrezik normal për kancerin, nuk kërkohet. [12]
Opsioni kryesor i trajtimit për kancerin endometrial është histerektomia abdominale (heqja totale e mitrës me anë të operacionit), së bashku me heqjen e tubave fallopiane dhe vezoreve në të dyja anët, e quajtur salpingooforektomi bilaterale.[4] Në raste më të avancuara, mund të rekomandohen edhe radioterapia, kemoterapia ose terapia hormonale.[4] Nëse sëmundja diagnostikohet në një fazë të hershme, rezultati është i favorshëm,[4] dhe norma e përgjithshme e mbijetesës pesëvjeçare në Shtetet e Bashkuara është më e madhe se 80%.[5] Te femrat afrikano-amerikane, ky lloj kanceri është më pak i zakonshëm, por ka pasoja më të rënda.[8]
Në vitin 2012, kanceri endometrial u shfaq rishtazi në 320,000 gra dhe shkaktoi 76.000 vdekje.[3] Kjo e bën atë shkakun e tretë më të zakonshëm të vdekjes në kancerët që prekin vetëm gratë, pas kancerit të vezoreve dhe atij të qafës së mitrës.[3] Ai është më i përhapur në botën e zhvilluar[3] dhe është kanceri më i zakonshëm i traktit riprodhues femëror në vendet e zhvilluara.[4] Përqindjet e kancerit endometrial janë rritur në një numër vendesh midis viteve 1980 dhe 2010.[3] Kjo besohet të jetë për shkak të rritjes së numrit të individëve të moshuar dhe rritjes së shkallës së obezitetit.[13]