Enver Hoxha
sekretari i parë i Partisë së Punës së Shqipërisë / From Wikipedia, the free encyclopedia
Enver Hoxha (16 tetor 1908 – 11 prill 1985) ka qenë politikan komunist shqiptar që drejtoi shtetin shqiptar nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1985. Para sekretarisë së parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, ai ishte kryetari i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura Shqiptare nga viti 1944 deri në vdekjen e tij. Shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë gjatë viteve 1944–1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si Ministër i Punëve të Jashtme dhe i Mbrojtjes.
Enver Hoxha | |
---|---|
Sekretari i Parë i Partisë së Punës së Shqipërisë | |
Në detyrë 8 Nëntor 1941 – 11 Prill 1985 | |
Pasuar nga | Ramiz Alia |
Kryeministër i Shqipërisë | |
Në detyrë 23 Tetor 1944 – 19 Korrik 1954 | |
Paraprirë nga | Ibrahim bej Biçaku |
Pasuar nga | Mehmet Shehu |
Ministër i Mbrojtjes Kombëtare (Popullore, pas 5 Korrikut 1950) | |
Në detyrë 23 Tetor 1944 – 24 Shtator 1953 | |
Pasuar nga | Beqir Balluku |
Ministër i Punëve të Jashtme | |
Në detyrë 9 Shkurt 1946 – 1 Gusht 1953 | |
Paraprirë nga | Omer Nishani |
Pasuar nga | Behar Shtylla |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 16 Tetor 1908 Gjirokastër, Vilajeti i Janinës, Perandoria Osmane, (sot Shqipëria) |
Vdiq më | 11 Prill 1985 Tiranë, Republika Popullore e Shqipërisë |
Nënshtetësia | Shqiptar |
Partia politike | Partia e Punës e Shqipërisë |
Bashkëshortja/et | Nexhmije Hoxha |
Fëmijët | Ilir Hoxha Sokol Hoxha Pranvera Kolaneci |
Punësimi | Politikan |
Nënshkrimi | |
I lindur në Gjirokastër më 1908, ai punoi fillimisht si mësues, por pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste ai vijoi punën në arsim deri kur u punësua në fabrikën dhe shitoren "Flora" të Ibrahim bej Biçakçiut. U bë anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë pas formimit të saj më 1941, kurse më 1943 u zgjodh sekretar i parë i saj me përkrahjen e emisarëve jugosllavë nën drejtimin e të cilëve u themelua partia, Miladin Popoviqit dhe Dushan Mugoshës.
Të 41 vitet e drejtimit të tij të shtetit shqiptar ndahen në dy periudha: e para (1944-1976) e karakterizuar me aleanca të përkohshme me fuqitë e kampit socialist ─ Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën ─ dhe e dyta (1977-1985) e shënjuar nga izolacionizmi, antirevizionizmi dhe ndjekja dogmatike e marksizëm-leninizmit. Prej sundimit të tij spikaste mbrojtja e hekurt e stalinizmit, eliminimi i çdo lloj opozitarizmi të jashtëm apo të brendshëm, përmes metodave që përfshinin dënimin me vdekje; transformimi i vendit drejt një ekonomie industriale dhe të vetëmjaftueshme, ateizmi shtetëror; krijimi i një policie sekrete për shtypjen politike të popullësisë quajtur Sigurimi i Shtetit dhe, në vitet e fundit, izolimi ndërkombëtar në të cilin u zhyt Shqipëria. Gjithashtu i spikatur ishte kulti i individit me të në qendër, i gjithëpranishëm nëpër pankarta e postera, këngë e parrulla «Populli - Partia - Enveri» të shkruar edhe anës maleve. Edhe pas vdekjes kulti i tij u nderua përmes shtatoreve të mëdha në gati çdo qytet të Shqipërisë, kryesuar nga ajo në qendër të Tiranës si dhe ndërtimi i një muzeumi kushtuar atij, po në kryeqytetin shqiptar.
Hoxha përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qene, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”.[1] Regjimi katërdhjetëvjeçar i tij u karakterizua nga zhdukja e opozitës politike e intelektuale, represioni i vazhdueshëm politik në të cilin përfshiheshin kampet e detyrueshme të punës, pushkatimet pa gjyq dhe ekzekutimet e antikomunistëve të piketuar. Dënimet e kundërshtarëve të tij politikë me vdekje ose burgime të gjata dhe dëbimet e familjeve të tyre nga shtëpitë ku jetonin dhe internimet e tyre në fshatra të thella, ku kontrolloheshin rreptësisht nga policia dhe Sigurimi. Qeveria socialiste karakterizohej edhe nga metodat “staliniste” të asgjësimit të bashkëpunëtorëve të tij që kërcënonin shtetin popullor. Pjesa më e madhe e këtij represioni është bërë përmes armës së Sigurimit.
Hoxhaizëm, rrymë anti-revizioniste marksist-lenininiste e zhvilluar në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe disa vende të Amerikës Latine si Ekuadori, Brazili, Venezuela etj. Sipas një ankete të OSBE, të vitit 2016, 45% e shqiptarëve kanë mendim pozitiv për Enver Hoxhën, kurse 42% mendim negativ.Pra shqiptaret akoma e duan Enver Hoxhën. [2]