Arti gotik
From Wikipedia, the free encyclopedia
Arti gotik është një periudhë artistike e cila zgjati rreth katërqind vjet, së pari ka filluar të zhvillohet në Francën veriore, në gjysmën e dytë të shekullit XII, ndërsa në shekujt XIII, XIV dhe XV ka dominuar në ndërtimtarinë e Evropës Qendrore. Fjala Gotike (arte gotica), rrjedh nga Xhorxhe Vazari i cili mendonte se ky stil ka të bëjë me popujt barbar, edhe pse me gotët ky stil nuk kishte asgjë të përbashkët.
Termi Gotik për herë të parë është përdorur në kohën e renesancës (rilindjes), në mënyre që përmes kësaj të shënojnë artin të cilin e kanë menduar si të nënçmuar. Arti gotik paraqitet në krahinën franceze Île-de-France, rreth vitit 1250. Pjekurinë e vetë të vërtetë e ka arritur në shek. XIII derisa në shek. XIV është zgjeruar në tërë territorin e Evropës. Në kohën e Luigjit IX të Shenjtit e Francës është realizuar pushteti kishtar dhe shenjtor unik, me ç'rast ka kontribuar në forcimin material të kishës. Kisha ka financuar ndërtimin e katedraleve të shtrenjta dhe shumë të mëdha.
Megjithatë, edhe pushteti kishtar kishte tentuar që përmes këtij ndërtimi, ta theksojë fuqinë e vet, kështu që vjen deri te garat si dukuri e veçantë në mes të qyteteve evropiane. Sot gati çdo qytet i madh në Evropë, ne bërthamën e vet ka katedrale gotike. Pra stili gotik u shpreh në mënyre shumë të plote dhe shumë të përshtatshme në ndërtimin e kishave, katedraleve, kështjellave dhe godinave të tjera publike. Vijat e gjata dhe vertikale janë simbol i njeriut të atëhershëm, i cili mendonte se madhështia dhe përsosmëria ndodhen në lartësi. Prandaj sa më larg të ngrihet aq më afër do t`i jetë perëndisë.
Arti gotik është ilustruar së pari nga arkitektura gotike por gjithashtu edhe nga skulptura gotike, pikturimi gotik, vitrazhi dhe ndriçimi gotik.[1]