From Wikipedia, the free encyclopedia
Zija Çela është një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë se sotme shqiptare. Dallohet për romane, novela, por ka shkruar edhe shumë tregime e ese letrare.
U lind më 25 mars 1946 në qytetin e Shkodrës. Ishte fëmija i shtatë në një familje, ku i ati ishte punëtor dhe e ëma shtëpijake. Megjithëse kaloi një fëmijëri dhe rini të vështirë (babai i vdiq kur ishte vetëm pesë vjeç), ai arriti të diplomohej në Universitetin e Tiranës për letërsi. Në atë kohë, u emërua mësues në fshatrat malore të Kukësit. Në këtë qytet të vogël verior punoi për shumë vite dhe, kur ishte bërë i njohur me librat e tij, e transferuan në kryeqytet.
Në Tiranë punoi redaktor në revistën letrare“nëntori”, ndersa nga 1984 – 1990 si kryeredaktor i gazetës letrare “Drita”. Në vitet ‘90 kjo gazetë luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen intelektuale për përmbysjen e sistemit totalitar. Me vendosjen e pluralizmit, Zija Çela u bë drejtor i shtëpisë botuese “Letrat”, ku e filloi veprimtarinë me romanin “Përbindëshi” të Kadaresë, një vepër që ishte ndaluar nga regjimi i mëparshëm. Në vitin 2000 e gjejme kryeredaktor i të përjavshmes “Albania e vogël”, suplement letrar i gazetës së përditshme “Albania”. Njëkohësisht që nga viti 2000, i shquar gjithashtu si eseist dhe publicist, Çela bën jetën e shkrimtarit në profesion të lirë.
Si autor u bë i njohur shpejt nga librat me tregime, që u pasuan nga romanet e tij, duke spikatur veçanërisht me triptikun e romaneve “Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”. Më parë kishte botuar romanet “Një verë pa lamtumirë” dhe “Mali i tejdukshëm”, i cili per realizmin e fortë dhe modernitetin e formës, është cilësuar si rebelim i autorit ndaj metodës së socrealizmit. Autori është fitues i disa çmimeve letrare.
Në qershorin e vitit 2005, së bashku me bashkëshorten, Çela zhvendoset në Itali per t’i qëndruar te koka të birit, Dritanit, i cili sëmuret nga kanceri dhe mbyll sytë nëntë muaj më vonë. Duke pasur për protagonist të birin, i njohur gjerësisht në Shqipëri si përkthyes nga italishtja, kësaj ngjarjeje tragjike shkrimtari do t’i kushtojë librin “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”. Opinioni e priti me interesim të veçantë dhe profesionistët e cilësuan si një nga librat më të mirë të këtij lloji (elegji në prozë) që janë shkruar në letrat e përbotshme. Ja një pasazh nga ky libër: “Thonë se vyrtytet dhe talentet janë xhevahirët më të shtrenjtë që zbukurojnë njeriun. Nëse është e vërtetë, atëherë mund të pohoj se xhevahiret e tij, gjithë kohën sa rrojti, Dritani i mbajti në mënyrën më të padukshme, nën këmishë. Vetëm një herë i shkëlqeu një diamant i zi dhe kjo ndodhi në mortin e tij. Por doli se, për këtë, edhe opinioni kishte qenë i gatshëm... O atlet i jetës, që e humbe betejën! Sa herë që vdes një njeri si ti, vdekja nuk ka mundur vetëm individin, por tërë njerëzimin.”
Në 2016 Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” shkrimtarin e njohur Zija Çela. Motivacioni është “Në vlerësim të figurës së tij të shquar si përfaqësues i denjë dhe i veçantë i letrave bashkëkohore shqipe si dhe të kontributit të spikatur e të rrallë si eseist dhe publicist”. Një cermoni të zhvilluar me këtë rast zoti Nishani tha se “Shpirti i madh dhe i dhembshur i shkrimtarit Zija Çela përbën një rast unik në letrat shqipe. Ai shfaqet … si një planet letrar, krejt më vete, i pakrahasueshëm. “Ne presim prej tij akoma vepra po aq të arrira, si ato që ka realizuar deri tani, të cilat do të jenë burim frymëzimi i brezave të rinj dhe arkiv i denjë i fondit më të lartë shqiptar në Bibliotekën tonë Kombëtare” tha zoti Nishani. Krijimtaria e Zija Çelës nis rreth katër dekada e gjysëm më parë për t’u mishëruar në afro 25 vepra, mjaft prej të cilave fituese të çmimeve të ndryshme.
Zija Çela ka marrë nëpër vite mjaft çmime letrare. Por autori i përmbahet bindjes se çmimet jo gjithnjë jane shenja të sigurta vlerash.
Ali Aliu: Nga tërë tabloja e romanit “Ora e Zooparkut”, Zija Çela krijon një metaforë të përsosur, përmes se cilës realitetin e sotëm e vendos edhe në kopshtin zoologjik, ku njeriu dhe shtazët shkëmbejnë maskat (rolet) me njëri-tjetrin nëpër kafaze. Le ta gjejë pastaj vetë lexuesi, ky “bashkautor” kult në romanet e Zija Çelës, se përse në vend të vrasë luanin, i cili e copëton vizitorin që e ka sfiduar duke i hyrë në kafaz, rojtari i parkut tonë vret njeriun... Është një roman me shumë kapituj që qëndrojnë si medalione narrative refleksive të përsosura, mbase të pashembullta në prozën bashkëkohore shqipe; një roman i hapur, i pakufi dhe pa pretendimin për një domethënie të vetme, pra të mbyllur në fund. Është rrëfim romanor që ka jo vetëm një të vërtetë sovrane, por edhe shumë të vërteta reale me kundërthënëset e tyre, duke e relativizuar shpesh njëra-tjetrën. Me pak fjalë, “Ora e Zooparkut” është një roman që nxit tundime medituese për sferat më të qenësishme të ekzistencës dhe që, do të thosha, është privilegj që lexuesi ka në dorë një kryevepër të tillë. (Gazeta shqiptarja.com”, shtator 2017)
Mehmet Kraja: Romani “Ora e Zooparkut” i Zija Çelës vjen në kohën e pjekurisë më të madhe letrare dhe artistike të autorit. Ai bëhet njëkohësisht dëshmi e niveleve të reja të letërsisë shqipe, e cila tashmë ka arritur ta tejkalojë fazën e tranzicionit me shkrimtarët e saj më të mirë dhe me vepra që prodhojnë stabilitet letrar e kulturor. “Ora e Zooparkut” është shkrim i pastër letrar, monument artistik i ngritur me gjuhë dhe stil shembullor, me vizione të aktualitetit dhe një sintezë autoriale të përvojës së shkrimit. Me këtë roman të Zija Çelës proza jonë arrin të bëhet prozë e gjithpërfshirjes artistike, e transformimeve të mëdha narrative dhe e bashkëkohësimit subjektor, e qëndrueshmërisë artistike dhe depërtimeve të reja në fushën e ideve, në fushën e shprehjes artistike dhe të kultivimit të gjuhës. “Ora e Zooparkut” është roman bashëkohor në kuptimin më të mirë të fjalës. Është arritje e shkëlqyer e prozës shqipe. (Në kapakun e librit)
Rudolf Marku: Me gjithë individualitetin e spikatur, nuk ndalet Zija Çela në kërkimet e tij. “Ora e Zooparkut”, romani më i fundit, është një vepër tjetër e shkëlqyer, madje duke ardhur me zhvillime të reja autoriale. Të ngjan sikur kjo ngjeshje, ky surpres narrativ, gjuhësor dhe emocional kanë një burim të përbashkët. Mund të hamendësoj se autori është ndodhur në një gjendje tjetërsoj, më të zymtë, më të trishtë, në një nga ato gjendjet e trishtim-kllapisë që e afrojnë njeriun me të Vërtetën e thelbit dhe me krijimtarinë e madhe. Një rrëfim në vetën e parë, ashpërsisht realist, me trajektore gjithë zigzage kohore e hapësinore, por ku retrospektivat duken iluzionisht si vazhdim linear i rrëfimit. Romani “Ora e Zooparkut” është thellësisht modern, pa synuar që të jetë i tillë. Dhe ky është moderniteti i vërtetë. (Në kapakun e librit)
Lazër Stani: Nga leximi i romanit lexuesi bindet se sa mirë di Zija Çela ta bëjë atë dallim të fateve njerëzore, se sa shumë hollësi, veçori e detaje jep, se sa sy të mprehtë ka e sa thellë shikon në jetën dhe psikën e secilit individ, femra e meshkuj, që përbëjnë galerinë e personazheve të romanit. Shkrimtari, edhe pse vështron errshëm, arrin të shohë qartë e kthjellët pikërisht atje, në bodrumet e lagështa e të pandriçuara të shoqërisë dhe të shpirtit të njeriut. Faktues, analitik, i thellë, depërtues, me një gjuhë të gjallë e të begatë, me fjali të stilizuara që të kujtojnë zellin e poetëve të mëdhenj, “Ora e Zooparkut” vjen si një roman i ri, jo vetëm për ne si lexues, por edhe për vetë shkrimtarin Zija Çela. Pas shumë krijimesh të suksesshme, që e kanë renditur me kohë emrin e tij në elitën e letërsisë shqipe, me “Orën e Zooparkut” shkrimtari dëshmon talentin e tij unik, potencialin e pashtershëm krijues, fuqinë e imagjinatës dhe mjeshtërinë e shkrimit, por dëshmon njëkohësisht edhe bukurinë, pasurinë, magjinë, shprehshmërinë, thesarin e pashtershëm të gjuhës shqipe, që në këtë vepër fiton plotninë e saj hyjnore, çka e rendit padyshim autorin krahas mjeshtrave më të mëdhenj të lëvrimit të shqipes si Fishta dhe Konica, Noli dhe Kuteli, Poradeci dhe Koliqi. (Gazeta MAPO, maj 2017)
Rudolf Marku: Lexuesi nuk e ka të vështirë të kujtohet posaçërisht për tre libra të letërsisë botërore, të cilët na vijnë ndër mend si librat më fatlumë: “Princi i lumtur” i Oskar Uajlldit, “Princi i vogël” i Ekzyperisë, “Princi dhe i Varfri” i Mark Tuenit. Janë libra që kanë bashkuar statusin mbretëror të rangut Princ me statusin mbretëror të mjeshtërisë së lartë të tre autorëve. Letërsia shqipe guxon të shtojë dhe një princ të katërt, “Princin e buzëqeshjes” të Zija Çelës. Një libë që sjell tregime të mrekullueshme, nota të reja që janë tjetërsoj, që kanë ndjeshmëri, butësi, imagjinatë, poezi, stil përrallor, të përcaktuara nga adresimi (i përfytyruar) ndaj një lexuesi adoleshent. Mirëpo, në të vërtetë, këto tregime përballojnë njëkohësisht lexuesin e ditur, të rrahur me vaj e uthull me letërsinë e mirë. Princi i Zija Çelës ka ditur të na vijë si Princ i vërtetë: me klasin estetik, me hijeshinë stilistikore, me larminë dhe ngjyrat e titujve, me premtimin se ka ardhur i vendosur ta trashëgojë legjitimitetin e kurorës së Princave të mëdhenj paraardhës të mbretërisë së letërsisë. (Nga parathënia.)
Mehmet Kraja: Unë ia kam bërë vetes këtë pyetje, pse Zija Çela ka nevojë të flasë në mënyrë kaq alegorike në pesë romanet e tij të fundit që, po u morën së bashku, përbëjnë sagën alegorike më të madhe të letërsisë shqipe? Pse i duhet shkrimtarit të ndërtojë një realitet tjetër, aq i ngjashëm me këtë që jetojmë, por i zhvendosur në nivele të tjera të një bote të përpunuar dhe transformuar përmes imagjinatës krijuese? Pse pra Zija Çelës nuk i mjafton imagjinata e zakonshme, por i duhet një imagjinatë më shpërthyese, e cila e transformon realitetin në alegori?.. Esenca e përgjigjes në aspektin brendatekstor qëndron te vetë autori, ndërsa në aspektin e leximit, respektivisht të komunikimit, realiteti alegorik do të perceptohet si një interpretim ironik, ndonjëherë edhe dëshpërimisht cinik i realitetit ekzistues. Zija Çela pikërisht këtë e dëshiron, dëshiron të tallet në mënyrë perfekte me realitetin e shëmtuar, por këtë tallje nuk e shpërfaq i veshur me rroba cirku, por me një kostum elegant krejtësisht artisk. Pothuajse në secilin nga këto pesë romane autori bën shkapërcim narrativ: nga narratori heterodiegjetik, në fund të rrëfimit i kthehet narratorit homodiegjetik. E kjo ndodh sepse pothuaj në secilin roman Zija Çela si autor na del lehtësisht i identifikueshëm, tani jo “i fshehur”, jo “duke bërë sikur”, jo i veshur me alegori, por krejtësisht real, i tillë siç është, pa u kamufluar, pa u sendërgjuar as para lexuesit e as para Zotit. Më anë tjetër, me këtë shndërrim të narratorit “të jashtëm” në një narrator sui generis, Zija Çela sikur na kërcënon jo pa shpotitje: Ruhuni, sepse ju që po lexoni këto libra, mund të përfundoni fare lehtë si personazhe alegorike të një fiksioni të ri të kësaj sage! (Gazeta MAPO, 22 nëntor 2014)
Mehmet Kraja: Shkathtësia, me të cilën është ndërtuar realiteti i figurshëm imagjinar tek “Arkipelagu Spiritus”, është e pashembullt në letërsinë tonë, mund të krahasohet me Huxley-n dhe Oruellin. Roman polivalent, me një shtresim të përgjithshëm alegorik dhe shumë shtresime të tjera, që shkojnë deri te mikrostrukturat. Sa i përket shkrimit, më vjen ndër mend një shprehje e njohur: fjalitë ngjajnë me gjethet e një pylli, mund të gjenden dy të ngjashme, por kurrë të njëjta. Dhe kjo është arritje e madhe në letërsi. Përgjatë leximit, krahas shijimit të vlerave estetike, ruhet e ndezur kureshtja edhe për lexuesin e zakonshëm... Sikundër kam thënë edhe më parë, si shkrimtar duket se Zija Çela ka arritur në atë pikë, kur shkrimi nuk është më kërkim, nuk është zbulim, por është sublimim, madje matje me mundësitë ose pamundësitë e gjuhës. (MAPO, 22 nëntor 2014)
Rudolf Marku: Ka tek “Arkipelagu Spiritus” edhe nje velierë. Por, si në veprat e mëparshme, Zija Çela e komandon “anijen” e prozës së vet për ta dërguar larg, përmes një bote sa reale, aq imagjinare. Nuk e ka të vështirë, sepse udhëton në ujërat e vetë shkrimtarit. Dhe vetëm pasi kemi mbërritur në Arkipelag si lexues kureshtarë, shohim befas se udhëtimi ynë paska qenë një iluzion, se gjatë gjithë leximit paskemi qarkuar veten tonë, madje pjesën më të panjohur, që është shpirti i qytetit ku jetojmë. Ç’marrëdhënie ka ai me Shpirtin e Botës, çfarë merr por sidomos sa i jep atij? Përmes një rrëfimi magjik, plot linja jetësore, disa pyetje marrin përgjigje alternative, ndërsa mjaft të tjera mbeten të hapura. Romani mbaron me një prolog faustian; ajo që është prolog te Fausti, këtu është epilog. Ndryshe çfarë ndodh te Gëte, Fausti i Çelës është i dënuar me epilogun e tragjedisë së vet, pa pasur shpresën e zhvillimit të mëtejshëm të ngjarjeve. Dhe të mendosh se libri që kemi në duar, ndoshta është vetë epilogu i një cikli romanor që, siç është cilësuar nga kritika, e bën sagën shqiptare të Zija Çelës krejt të veçantë, të papërsëritshme dhe universale njëkohësisht.
Ali Aliu: Brenda veprës së shkrimtarit është përditshmëria, ëndrrat, historia, mitet, dashuria, urrejtja, është filozofia e psikologjia mbarëshqiptare, janë bizneset, intrigat, zakonet, shpirti, lindja, vdekja, ringjallja, vrasja, shteti, feja, qielli, Hadi. Është estetika përfshirëse e universit. Dhe, për ankthin e përgjithshëm të njerëzimit, edhe psherëtima: “Zot, rri me ne se është kah erret!” E megjithatë, në brendinë e vet, fiksioni narrativ i autorit mbart fare natyrshëm praninë e një fryme që vazhdimisht të rri pranë si një shpëtimtar, duke u shfaqur personazh konkret dhe i shenjtë njëherësh, për të sjellë dhe përhapur besim e mirësi, jetë përballë vdekjes dhe buzëqeshje përballë urrejtjes. Kjo frymë e ky vetëkërkim dramatik janë kuptimi i botës së shqetësuar në krijimtarinë e këtij shkrimtari të madh të letrave tona dhe, si një kumt i fortë, vijnë mu në çastin kur po erret... (Gazeta shqiptare)
Ali Aliu: Pas leximit të “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, duke e njohur krijimtarinë e autorit, përshtypja e parё ishte: po ai rrëfim i një shkalle estetike majash në prozën tonë, po ajo poetikë narrative që vjen dhe degëzohet në ecje e sipër duke u bërë gjithpërfshirëse, po ajo mjeshtëri identifikimi dhe fokusimi i detajit ku autori shkëlqen, po ai korpus personazhesh që vijnë secili me natyrё e personalitet të veçantë. Ndryshe nga praktikat shkrimore letrare nga lashtësia e këndej, ku bëhet i mundshëm kalimi i të gjallёve nё botën e të vdekurve (kujtojmë Danten me “Komedinë hyjnore”), në romanin e ri të Zija Çelёs gjejmë të pangjashmen: shkrimtari ndërmerr rrugën e kundërt të Hadit, ai i sjell të vdekurit në mesin e të gjallëve. Dhe jo për të shuar mallin e ndërsjelltë, por për t’i ballafaquar të dyja palët, çka do të nxjerrë sheshit egoizmin, hipokrizinë, tjetërsimin e plot mbrapshtime të tjera tё njeriut, tё shfaqura a të fshehura, përkatësisht pёr tё provokuar tё gjitha format shkatërruese e vetёshkatёruese të tij, kësaj here me pasoja para apokaliptike në kryeqendrën e shqiptarëve... “Apokalipsi” i Zija Çelës, me spikamën që ka ky tundim i radhës së autorit, vjen në prozën romanore të shqipes jo vetëm plot jehona trazuese, por edhe si tërmet estetik. Është roman që, përveç kompleksitetit përmbajtjesor dhe poetikës narrative, shtrirjes në hapësirë dhe thellësisë sё imagjinatёs, të rrëmben me gjuhë, stil dhe literaritet artistik tekstor. Vjen si një kryevepër e letërsisë shqipe. (Gazeta shqiptare)
Mehmet Kraja: Zija Çela as në kohët më të liga nuk ishte rob i konventave dhe kufizimeve. Me këtë prirje, shumë vjet më parë, e kam lexuar romanin e tij “Mali i tejdukshëm” dhe nga kjo distancë kohore, e them me bindje se ky roman është paralajmërim i hershëm nëse jo i rënies së realizmit socialist dhe të sistemit që e mbante atë, atëherë gjithsesi një shenjë paralajmëruese e ‘liberalizimit’ të tij, për t’u shprehur kështu. Ndryshe as që mund të ndodhte, sepse sikundër do të vërtetohet më vonë, shkrimtarëve si Zija Çela nuk u pritet dot një kostum për të gjitha stinët. Shikuar nga ky këndvështrim, kur shumica e shkrimtarëve shqiptarë përfshihen nga dilemat e kthesës së madhe, Zija Çelën e gjejmë ta ketë shpallur tashmë programin e tij letrar. Atë nuk e huton tranzicioni i rrëmujshëm. I çliruar nga shtrëngesat e realizmit socialist, ai do të realizojë ciklin e parë të romaneve të rëndësishme (“Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës”, dhe “Banketi i hijeve”), me të cilat do të bëhet model i frymës së re në prozën shqipe.” (Gazeta Shekulli, 2009)
Rudolf Marku : Zija Çela përbën një rast unik në letrat shqipe. Ai shfaqet jo si prozatori më i rëndësishëm pas Kadaresë,, siç janë shprehur plot dashamirës të autorit, por si një planet letrar, krejt më vete, i pakrahasueshëm, prandaj i rëndësishëm dhe vetvetja. Romai i tij paraardhës “Las Varrezas”, thellësisht shqiptar e po aq universal, është një kryevepër e groteskut dhe e tragjikomizmit letrar. Një roman krejt i veçantë nga gjithë çfarë kemi lexuar deri më sot në letërsinë shqipe. Një shkrepje e rrallë, fort e rrallë, një nga ato gjetjet me të cilat edhe autori më fatlum mund të ndeshet një herë në njëqind vjet. Romani “SOS, një buzëqeshje” është libri më i mirë që ka shkruar autori. Në letërsinë shqipe është romani më origjinal që njoh; është më i guximshmi; është romani më modern. Në krahasim me “Las Varrezas” është edhe më i sofistikuar. Këtu arrihen kufijtë më sipërorë të Erosit, duke kaluar nga dashuria në çift te dashuria njerëzore në përgjithësi. Ai është i populluar me karaktere të kohës, është piktura më besnike e Tiranës dhe e qyteteve shqiptare. Asnjë shkrimtar shqiptar nuk ka arritur ta japë, madje as të guxojë që t’i afrohet këtij realiteti deri më sot. Dhe si çdo letërsi e nivelit të lartë, romani ka një humor të jashtëzakonshëm, që vjen sa në mënyrë të natyrshme, aq dhe të papritur. Falja e buzëqeshjeve është një gjetje e kalibrit të letërsisë së madhe, asaj që duke lindur nga një pendë e vend i caktuar, mbart shpirt dhe vlera universale. “SOS” është një roman që i çon më tej librat e Zija Çelës. Për ku? Tek... shpërblimi i atyre shkrimtarëve, të cilët janë të preokopuar që të mbesin vetëm shkrimtarë e asgjë më shumë. Por edhe asgjë më pak se kaq.” (Gazeta Shekulli)
Rudolf Marku: Plotmëria, ngjarjet, intensiteti emocional, karakteret, çdo gjë është në ngjitje në “Apokalipsin sipas Shën Tiranës”, aq sa paralajmërojnë një shpërthim, i cili edhe vjen. Mirëpo Zija Çela ndjek në finale një ecje të kundërt me traditën letrare, nuk është autori që na çon te vepra, është vepra që na çon tek autori. Si në pararendëse, ngjarjet në librat e autorit mund të ndodhin Kurdoherë. Dhe kjo u jep romaneve të tij një dimension të përtejshëm e të përjetshëm. Edhe kësaj here Zija Çela provon se letërsia e madhe i shpëton tiranisë së kohës. Kohës kalendarike. Por jo asaj ku rrinë së bashku veprat më të mira të letërsisë e të krijimtarisë shpirtërore. Dhe ku unë besoj se krijimtaria e Zija Çelës ka marrë statusin legjitim të banimit të përjetshëm. (Parathenie)
Eqrem Basha: Janë të rrallë ata që shkruajnë prozë e që u ngritën bashkë me kërkesat e sotme. Zija Çela, pa dyshim, është i pari në këtë mes që duhet dalluar; dy romanet e tij “Gjaku i dallëndyshes” (1990) dhe “Gjysma e Xhokondës” (1992) shënuan kthesën më kualitative në prozën shqipe. Te “Gjaku i dallëndyshes” është krijuar një kronikë shqiptare me një lojë të jashtëzakonshme të krimit dhe misterit, krenarisë, sedrës, psikologjisë së shqiptarit, e thurur me mjeshtërinë e prozatorit të racës, i cili di të krijojë pamje dhe të ndërtojë personazhe, çfarë pak e ndeshim në prozën shqiptare në përgjithësi... Kam një rokomandim këmbëngulës, lexojeni Çelën. Shqiptarët kanë Garcia Markesin e tyre. (Revista Koha,1995)
Lindita Tahiri: Ashtu si veprimtaria e Ismail Kadaresë, që e ka nxitur lirinë e mendimit në kohën e diktaturës më të egër, proza e Zija Çelës e ushqen kreativitetin e leximit në epokën e sotme të kulturës së popullarizuar të konsumit, ndoshta duke vërtetuar kështu faktin se letërsia ka qenë tradicionalisht mjeti më efikas i shqiptarëve për t’u rezistuar ideologjive totalitare, çfarëdo qofshin ato. Me veprën e tij, Zija Çela arrin të krijojë një autoritet të ri, atë të lexuesit, duke iu kundërvënë jo vetëm dogmës së realizmit socialist, që synonte të parandalonte çdo shkëndijë të mendimit kritik te lexuesi, por duke u shkëputur edhe nga realizmi komercial, që e shndërron në konsumator pasiv lexuesin. Lexuesi i veprave të tij është edhe lexuesi i rrёfyesit në botën fiktive, edhe lexuesi i autorit në botën reale, duke u angazhuar në një lojë, dalje dhe hyrje nga teksti, që ia nxit vetëdijen për rolin e tij, për pjesëmarrjen aktive dhe ‘natyrën vetvetishëm ndёraktive të leximit’. Çela sot e fton lexuesin tё bashkiterpretojё me tё, pa moralizim, pa predikuar me tone tragjike pёr tё vërtetat transhendentale. Ai e fton tё mendojё me intelegjencё rreth problemeve të rëndësishme që e preokupojnë shoqërinë dhe individin. Ky lloj rrëfimi e inkurajon leximin individual dhe shumëfishësinë e perspektivave, duke u bёrё drejtpёrsёdrejti mjet i efektshëm narrativ kundër mendimit dogmat, porpagandёs dhe autoritarizmit, tё rrënjosur qoftё nga sistemi i dikurshëm totalitar, qoftё nga skematizmi dhe komercializmi i sotëm kulturor. Një përqasje e këtillë e autorit i shkon për shtat edhe raportit modern të lexuesit me letërsinë... (Gazeta shqiptare)
Persida Asllani: Sado i shpjeguar dhe i rrëfyer plot sinqeritet, kalimi nga jeta e zakonshme te jeta e artit, dhe veçanërisht te jeta e shkrimit, mbetet një moment mistik, i pazbërthyeshëm plotësisht. Cili është çasti, cili është gjykimi, cila është ndjenja, ndjesia, aroma, nuanca, cili është vizllimi, marramendja dhe, në fund, cila është kthjelltësia që përfshin njeriun e shkrimit dhe i thotë se tashmë, në jetën e tij, ka kapërcyer një prag të çmuar e të shtrenjtë, prej të cilit nuk ka më kthim pas? Misioni i tij që prej këtij çasti është i ri dhe i patjetërsueshëm: të shkruajë dhe ta lexojnë, dhe jeta e tij pulson me këtë ritëm të ri deri në fund. Tregimet e Zija Çelës e rrëfejnë bujarisht këtë çast. Në secilin prej tyre shfaqet para nesh një sekuencë, një situatë, një gjest, një fjalë apo fjali që prish një ekuilibër të vjetër dhe rivendos një harmoni të re të shkrimtarit me botën, të lexuesit me shkrimin. Është pika e moskthimit, e tija, e jona. Në këtë kapërcim pragjesh Zija Çela ribëhet për çdo herë shkrimtar, ripohon çastin e vet mistik, ndërsa ne si lexues përjetojmë mistikën tonë të leximit. Sepse i tillë është leximi i një vepre arti, ikje e përsosur nga vetja, për t’u rikthyer me një harmoni të re në mendje e në shpirt, me një ndjesi të pangatërrueshme lirie që e tradhtojmë veçse në një lexim të ardhëm. Dhe pikërisht “kjo është çështja”, leximi i ardhshëm! Kur është ai më i bukur e më cilësor se pararëndësi? Si bëhet ai anulues dhe paradoksalisht ripërtritës i të parit? Në ç’lojë honesh a pasqyrash mund të na flakë kjo vetëdije e re ne lexuesve dhe shkrimtarin? Kësaj pyetjeje shkrimtari Zija Çela i qaset vetëm në një prej tregim-pragjeve të tij, duke e shndërruar kështu në tekstin më emblematik të përmbledhjes së vet me tregime “Buza e kuqe dhe Gjaku i errët”, përzgjedhja më përfaqësuese e tij pas viteve ’90. “Gjurmë lotësh në avion” është tregimi që na shpie tek enigma e shkrimit, e cila, ndryshe nga ç’mund të përfytyrohet rëndom, nuk është ajo çka shkruhet si gjurmë, e zezë mbi të bardhë, por ajo çka nuk shkruhet, ajo që mbetet e fshehur dhe e pashqiptueshme teksa, pikërisht falë kësaj mistike, shkëlqen me heshtjen e saj dhe të përfshin paradoksalisht në leximin më të bukur. Ç’gradë fisnikërie duhet të mbërrijë shpirti i shkrimtarit për të shkuar drejt kësaj sakrifice? Me shumë finesë shkrimtari Zijai Çela ia dhuron këtë akt sakrifice qenies më të afërt dhe më të pafajshme ndaj botës së artit, amatorit të saj, atij që në shqip do të duhej ta thërrisnim “dashuruesi” i letërsisë, i artit. Në tregimin “Gjurmë lotësh në avion” sakrifica e shkrimit buron prej dashurisë absolute për shkrimin dhe, si e tillë, ajo gjeneron artin më të bukur dhe më të lirë. Në tregimin “Gjurmë lotësh në avion” do të gjeni një sallë modeste leximi, por ajo është unike në sakrificën e saj, sepse aty lexohen vetëm faqe bosh, të shënjuara vetëm me fillin e mëndafshtë ndarës nga seanca në seancë. Në tregimin “Gjurmë lotësh në avion” jetojnë lexues të lumtur, të zhytur në një prej metaforave më të bukura të lirisë së artit dhe të shkrimit... Le t’i qasemi kësaj përmbledhjeje me tregime me këtë metaforë në zemër. Ju uroj miqësisht, Lexim të lirë!” (Revista Letra, nr.3)
Petro Zheji: E dini si shkruan Zija Çela? Ai merr shtizën dhe e godet fort njeriun, por kur maja i shkon te gjoksi, ajo lakohet, kështu që nuk e shpon tejpërtej, vetëm e rrëzon përtokë. Pastaj i zgjat dorën dhe i jep mundësi të ngrihet prapë më këmbë, sepse autori ka Dashninë njerëzore. Veçse në këtë çast e ka paralajmëruar atë, e sheh pra se çfarë mund të të bëj, kujdes herë tjetër!..
Mehmet Kraja: Pikërisht kur pandehnim se shkrimtari mbylli një trilogji me tri romane të mëdha të letërsisë shqipe, “Las Varrezas”, “SOS, një buzëqeshje” dhe “Goja e Botës”, ja ku kemi një tetralogji me “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”. I mbindërtuar mbi një realitet që autori e njeh fort mirë, në këtë “Apokalips” i bëhet gjëma Tiranës njerëzore, Tiranës intelektuale, Tiranës politike, Tiranës mikroborgjeze, Tiranës provinciale e hipokrite. Dhe përkundër kijametit vepra nuk ngjall ndjenjë refuzimi, përkundrazi, sepse të vërtetat e një shoqërie vijnë si të vërteta universale. Sesi do të vazhdojë më tej autori kjo nuk dihet, por për diçka jam i sigurt: Zija Çela ka ndërtuar tashmë një sagë shqiptare krejtësisht të veçantë dhe të papërsëritshme. (Parathenie)
Visar Zhiti: Sipas shkrimtarit Z. Çela, mund të hysh në historinë e letërsisë dhe mund të mos mbetesh në letërsi. Ky mendim interesant na kumton se letërsia e madhe është ajo që mbetet gjithmonë letërsi dhe jo histori e saj. Me veprën e tij, Zija Çela hyn tek ata shkrimtarë të rëndësishëm që po bëjnë letërsinë shqipe. Tani Zija Çela ka truallin e vet në letërsi dhe popullin e vet të personazheve.
Rudolf Marku: Vitin e kaluar shkrimtari Zija Çela botoi përmbledhjen me dy volume të tregimeve të tij tij të shkurtra. Për fat të keq, ky botim i një krijimtarie 40 vjeçare nuk pati jehonën që duhet të kishte. Mendoj se dy librat me tregime të Çelës prezantojnë kulminacionin e tregimit të shkurtër të shkruar në gjuhën shqipe, të nisur me Koliqin, Migjenin, Kutelin, Agollin, Faik Ballancën, Nasi Lerën, Kongolin... Përmbledhja me tregime e Zija Çelës duhej të qe një festë letrare, një çast ndaljeje për t’u përulur ndaj një apexi të shënuar bindshëm në zhanrin e tregimit të shkurtër të shkruar në shqip. Veç një artikulli të botuar në revistën “Letra”, për fat të keq, të tjerët përpara botimit të librit dyvëllimesh të Zija Çelës preferuan heshtjen, këtë armë vrastare me silenciator, ose vazhduan të bërtisnin me recensione te turpshme për vepra supermediokre, jo vetëm të markës shqiptare... (Gazeta MAPO, dhjetor 2013)
Rudolf Marku: ...Por megjithatë sot po ndodh një shfaqje e madhe inferioriteti me letrat shqipe, përulja ndaj emrave të huaj. Nuk fola rastësisht më sipër për tregimet e Zija Çelës. Ato janë të nivelit botëror, janë të jashtëzakonshme. Kur lexon tregimet e Zija Çelës, më vjen me bërtitë: - More kritik, more studiues i letërsisë, çfarë pret tjetër të bëjë shkrimtari shqiptar?! Kritika letrare nuk është e përgatitur të pranojë vlerat e letërsisë së vendit të vet. (Gazeta Shqiptarja.com, gusht 2013)
Agim Baçi: Atëherë kur errësohen rrugët e Njeriut dhe kur nuk ngjyhet asnjë cep i shpirtit me të mirën, do të duhet të ndodhë të dëgjojmë nga vdekja (romani “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”). Por, pa dyshim, këtë duhet ta mendojmë më parë se të marrim vetë atë rrugë, të cilën Çela e ka hapur për të na dhënë disa leksione jo për matanë, por për këtu... Dhe për të mos shpresuar kthimin, Zija Çela sugjeron më shumë dashuri, sepse në rrugën përtej mund të mos na jepet kurrë mundësia të justifikohemi për gabimet tona me arsyetimet se “nuk kishte më të moralshëm në këtë botë” e as “bëra se ashtu më urdhëruan”! (Gazeta Panorama, janar 2014)
Rudol Marku: Në romanet e Zija Çelës, ashtu si në librat e Grossman-it, nuk ke si të mos ndjesh të fshehur tensionin e përhershëm mes dëshirës për të rrëfyer hidhërimin tragjik dhe dëshirës për të heshtur. Librat e Zijait, ashtu si librat e Grossman-it, janë një betejë kundër dëshirës së eskejpizmit, ikjes nga realiteti, nga vetvetja dhe guximit për t’u përballur me tragjedinë. (Gazeta MAPO, shkurt 2014)
Xhemail Mustafa: Identiteti i prozës moderne shqiptare do të ishte i gjymtuar pa prozën e Zija Çelës, sidomos pa triptikun e romaneve të tij të mrekullueshme për jetën e vdekjen. Një mënyrë të këtillë të rrëfimit dhe të zhvillimit të situatave mbi parimet e lëvizjeve të brendshme koncentrike, gjithsesi do të mund ta ndërtonte vetëm një mjeshtër i sprovuar i artit të romanit, çfarë është Zija Çela.
Fatmir Terziu: Kjo brengnajë njerëzore vjen si një marëdhënie, që unifikon konceptin e mitit me kuptimin e tij esencial në ‘marëdhëniet me deformimin’. Këtu gjendet përsëri një analogji formale dhe komplekse e sistemit semiologjik, siç ndeshet edhe ai i psikanalizës. Ashtu siç manifeston Frojdi në teorinë e tij, këtu vjen qartë se kuptimi i sjelljes është deformuar nga koncepti. Natyrisht, ky shtrembërim është i mundur vetëm për shkak të formës së mitit, që Zija Çela e ka tashmë të përbërë filozofikisht nga një kuptim gjuhësor domethënës. Këtu qëndron e veçanta dhe e pakapshmja e këtij shkrimtari me vlera botërore. (Gazeta Shqip, korrik 2009)
Ismail Syla: Edhe romani i shkruar në kohët sado moderne, ka një prejardhje dhe trashëgimi origjinare nga i njëjti brumë dhe e njëjta mitër, si format e lashta të llojit të poezisë... Prandaj, duke e marrë si të drejtë legjitime karakterin demiurg të shkrimtarit, ai edhe në një vepër ka të drejtë ta ngrejë biblikisht botën nga e para. Ashtu bën Zija Çela... Nëse dikund në letërsinë shqiptare do të gjente zbatim thënia e G.G. Markesit se Makondoja e romaneve të tij më parë se vend gjeografik është gjendje shpirtërore, atëherë pikërisht Mamaci e Barabia e romanit “Banketi i hijeve”, para se vendbanime, janë gjendje shpirtërore, të cilat në kontekstin e ngjarjeve në roman arrijnë të kuptimësohen. Ky roman është model letrar i përkryer për t’u ngritur në lartësi metafore mbi përmasat devijante të psikologjisë kolektive. “Njëqind vjet vetmi” i Markesit është metaforë e njëqind vjet izolimi, “Banketi” është metaforë e 101 vjet jetë kotësie dhe shterpësie shpirtërore. Nëse letërsia i mbushullon idetë teorike, atëherë Zija Çela ka dhënë të gjitha situatat e nevojshme fabulare dhe ka krijuar personazhet.
Bardhyl Londo: Duke dashur ta përfshijë në pak fjalë vlerësimin për këtë roman, pohoj se e kam të vështirë, madje të pamudur. Siç ndodh zakonisht me veprat e vërteta dhe krejt të veçanta, të cilat janë tepër të mëdha për t’i klasifikuar në stereotipet e zakonshme të kritikës apo diskutimeve të përditëshmë. Dhe, atëherë, natyrshëm më erdhi në ndihmë po ajo ndjesi, që më ka shoqëruar gjatë leximit të këtij romani: SOS, një buzëqeshje është një Kryebuzëqeshje.
Roland Gjoza: Romani “SOS, një buzëqeshje” fsheh një magji. Dhe kësaj here mjaft të fortë. Ai vjen si dhurues, pikërisht kur dora është rrudhur shumë. E lexova gjithë kënaqësi, por jo shpejt, sepse doja ta shijoja frazën romaneske par excellance. E më ndodh kështu vetëm me shkrimtarët që janë shkrimtarë. Sa e zorshme t'i shpëtosh ndikimit të Zija Çelës. Por dhe sa e bukur të mos i shpëtosh.
Shaban Sinani: Me romanin ‘Mali i tejdukshëm’ Z. Çela u ka bërë një paraqitje serioze, me shtrirje vertikale e horizontale, shtresave të popullsisë shqiptare në vitet ’80. Ka një ngjashmëri më shumë se konvencionale midis niveleve të minierës që zbresin një pas një deri te shtresa e 12, dhe këtij stratifikimi. Nëse Kadareja te ‘Nëpunësi...’ këtë shtresëzim e ndërton me hierarki, nëse D. Buzzati me udhëtimin e tij në botën e nëndheshme kujton rrathët e ferrit dantesk, me ‘Malin e tejdukshëm’ Z. Çela ndërton në mënyrën e tij një univers... ‘Mali i tejdukshëm’, ky ‘Zherminal’ i jetës së minatorëve shqiptarë, sa ç’është mundimi e jetesa, aq është edhe purgatori i tyre. Aty janë bashkë heroi dhe keqbërësi, idealisti dhe individualisti, naivi dhe rrufjani, vlerat dhe antivlerat. Ato janë bashkë bile edhe tek i njëjti njeri. Veçse në çdo rast janë figura të gjalla, jo hije: janë personazhe që bëjnë jetën e tyre të pavarur e nuk i nënshtrohen as autorit vetë... Rimarrja e linjave të subjektit kohë pas kohe dhe interferenca e tyre, shpesh të përdoruara për qëllime eksperimentale, në këtë roman kanë shërbyer funksionalisht për të paraqitur një botë komplekse, me pak zjarrmi, me pak ethe, me pak përndezje, për fat të mirë jo simptoma sëmundjesh, por shenja të një zgjimi të madh. Po hapet njeriu! Ai është i gatshëm të pranojë radiografinë e shkrimtarit. Ai dëshiron të shihet sy ndër sy me veten, të bëjë jetën e tij, të jetë i pavaruar, të ketë individualitetin e vet, indipendencën e vet, s’prish punë se nganjëherë kjo mund të kërkojë njëfarë rrezikimi, rebelimi ndaj rregullit, njëfarë trilli apo kryeneçësie. Nga hapja e njeriut fillon hapja demokratike e shoqërisë. (Zeri i popullit, 1991)
Ali Podrimja: “SOS, një buzëqeshje”, romani më i ri i Zija Çelës, përmes një artikulimi modern shpalos fatet njerzore, duke rrëzuar kufijtë mes realitetit dhe imagjinares. Para lexuesit shkrimtari vë një botë, ku ballafaqohen vrushkujt e dritës dhe hijet e zymta, duke na bërë me dije se rreth nesh frymon diçka që na kërcënon vazhdimisht, diçka që hiqemi sikur nuk e dimë dhe ngurrojmë t’i qasemi. Por kur guxojmë t’i afrohemi, kur shkurtohet distanca, befas kuptojmë se hijet kanë qenë maska, maskat që mbulojnë ligësinë njerëzore dhe atëherë njohim vetveten. Në fund ke bindjen se, me të vërtetë, çdo ditë zgjohesh po nga ai ambient, të cilin e ke përjetuar gjatë leximit dhe që merr konturet e një metropoli.
Dhimitër S. Shuteriqi: Tani jemi përpara një tregimtari plot gojën e plot merita. Dhe kemi ëndje kur tregimet e tij i gjejmë kështu bashkë, në më shumë se dyqind faqe... Folëm për tiparin më dallues të Z. Çelës. Këtu lirizmi buron. Ai qëndron jo vetëm te përshkrimet e admirueshme e në dhënien me ndjenjë e me shumë ngjyra të ambienteve dhe sidomos të natyrës, por edhe në kapjen e trajtimin e temave, edhe në jetën shpirtërore të personazheve. (Drita, 1975)
Arian Leka: Me tregimet e librit “Oborri i një tirani të fshehtë”, Zija Çela ka nxjerrë në dritë disa guaska thellësie që nuk ruhen, por falen, disa krijime të rafinuara stili dhe elegance, ca kujtesa të largëta, gati jehonë që, duke e përqendruar furinë krijuese, na lënë në qiellzë shijen e athët të mishit të zogjve të gjahut – shije kjo që e jep vetëm poezia dhe tregimi, padyshim kur këta janë të kalibrit të lartë. Ndodhen aty edhe ca kishëza të vogla ku hyhet si lexues, por askush nuk të premton se do të dalësh vetëm si i tillë... Tregimet e Zija Çelës nuk mund të ritregohen, ato vetëm lexohen, siç dhe vetëm shkruhen, sepse i përkasin formës më zanafillore, asaj të shkrimit, pra letërsisë së mirëfilltë.
Xhezair Abazi: Figurat njerëzore si hije, format në mur si figura artistike. Një pleksje hijesh, formash, trajtash dhe njerëzish hije. Një pleksje sa fantazmagorike aq dhe reale, sa hiperbolike aq edhe në masë, sa komike aq edhe trishtuese, sa iluzore aq edhe tokësore... Herë të vjen një valë trishtimi drithërues dhe herë një valë gazi shpotitës. Shartimi i reales me fantazinë është kryer me një harmoni të skajshme. ‘Kinema verore, lozhë’ sot e gjithë ditën duket si një zog hapësirash që fluturon për diku, krahas me ‘Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë’ të Markesit” (Drita, 1996).
Agron Gjekmarkaj: Një rindërtim subjektiv i një universi social shumë kompleks, ku personazhet përballen për një realitet të ri, të domosdoshëm dhe të padukshëm. Për shkrimtarin e njohur letërsia ka mbetur gjithmonë një fakt jetësor, sepse ai e lexon botën si të ishte një faqe që duhet rijetuar. Zija Çela është shkrimtar i poetikës së realizmit. Romani i tij ka një qëllim të dukshëm, atë të informuarit, sigurisht, lajmi i tij nuk ka natyrë dokumentare por përkundrazi krejt emotive, informon mbi kuptimin e gjendjes njerëzore. Romani provokon iluzionin e së vërtetës, pa na e dhënë atë. E siç thotë Barthes, meqenëse realja nuk është e përfaqësueshme, ekziston letërsia. (Gazeta Panorama)
Lindita Tahiri: Metonimia i jep ngjyrim realist kësaj proze dhe është një nga arsyet që stili i Çelës cilësohet shpesh si realizëm magjik. Realizmi magjik, term i huazuar nga piktura, përkufizohet si hibrid i reales dhe fantastikes, si bashkim i natyrshëm dhe njëkohësisht paradoksal mes të kundërtave. Kështu, për shembull, Jari Kaçinarit, kryepersonazhit të këtij romani apo shpërndarësit të buzëqeshjeve, një mikeshë i sugjeron të themelojë Agjencinë e Tregtimit të Buzëqeshjes, dhe kjo përzgjedhje gjuhësore i mundëson tekstit fiktiv ta ngërthejë të mbinatyrshmen brenda prozaikes, ta njësojë ëndrrën për forcën frymëzuese të njerëzimit me pasionin konsumator të civilizimit pasindustrial. Me kontekste të ngjashme gjuhësore, Çela e ruan distancën ironike nga bota e magjisë, dhe përmes një humori të lehtë e sinkronizon fantastiken dhe realen, pa i lënë të shkëputen nga njëra-tjetra dhe ta shndërrojnë rrëfimin në alegori apo në përrallë. (Gazeta shqiptare)
Erion Kristo: Në letërsi ka shkrimtarë themeli, të cilët vendosin normat e saj, pastaj ka dhe shkrimtarë të tjerë që vërtiten rreth këtyre normave. Me krijimtarinë e tij , Zija Çela ka caktuar norma në letërsinë shqiptare.
Nasi Lera: Tregimi shqiptar përherë ka synuar të përvetësojë arritjet më të mira të tregimit botëror. Do të më mjaftonin vetëm dy tregime të Zija Çelës, “Tani të bien muzikat” dhe “Kinema verore, lozhë”, për të pohuar se tregimi shqiptar qëndron me dinjitet në tregimin e sotëm modern. E ato dy tregime mund t’i shkruante vetëm Zija Çela si tregimtar shqiptar. Dhimbja e tyre është ekrani tragjik i tërë jetës njerëzore. (Drita, 1995)
Ilia Lengu: Historitë që tregon Zija Çela në tregimet e tij të befasojnë për nga gjetja e realizimi artistik, si dhe të vënë në mendime. Ai duket se kërkon një lloj të ri lexuesi, deviza e Andre Zhidit unë shqetësoj, i përshtatet më së miri prozës së tij, çka dëshmon se shkrimtari i ka bërë të vetat si konceptet teorike, ashtu edhe tërë arsenalin e teknikave, procedimeve, mjeteve shprehëse të letërsisë bashkëkohore. (Drita, 1996)
Tefik Çaushi: Të flasësh për përmbajtjen e “Banketit”, do të thotë ta thjeshtosh e ndoshta ta banalizosh atë, t’i heqësh tisin mitik dhe magjinë e rrëfimit, të shpërbësh bukurinë e kompozicionit. Është njësoj si në rastin e mumjeve, të cilat shpërbëhen sapo t’i nxjerrësh në dritë për të kuptuar teknikën e ballsamosjes së mjeshtrave të dikurshëm. Romani ka rreth 80 personazhe. Secili ka biografinë e vet tejet origjinale, në dukje të pavarur nga ajo e të tjerëve, por si në sixhadet persiane, ku edhe filli më i parëndësishëm e nxjerr kokën atje ku duhet dhe atëherë kur duhet për të krijuar atë bukuri të mahnitshme, edhe te romani i Çelës ajo është funksionale dhe e pashlyeshme nga panoja fantazmagorike që krijohet gjatë leximit. (Libri “Klubi i personazheve”)
Lazër Stani: Ky roman kështu është konceptuar, kështu është shkruar: të krijon mundësinë ta lexosh vertikalisht, por sakaq horizontalisht krijohet libri tjetër me subjekte, ngjarje e situata të pakuptueshme që në vetvete krijojnë një libër të ri, dhe ti vetë pa e kuptuar je bërë bashkautor në shkrimin e këtij libri, që edhe është, edhe nuk është më i pari. Kur autori e arrin këtë, kur ai ua krijon hapësirën e mundësinë bashkautorëve, atëherë ai nuk ka shkruar në të vërtetë një libër, por një bibliotekë me libra aq të pasur, sa është dhe numri i lexuesve.” (Drita, 1993)
Virgjil Muçi: Ma do mendja se ka të drejtë Zija Çela, kur diku në librin “Gjaku im i errët” thotë se “Gjërat e trilluara, pra ato që nuk ekzistojnë, janë të përjetshme”. Sigurisht, kur flet për trillimin, shkrimtari e ka fjalën për fikcionin, thënë më shqip, për krijimin si formën më të lartë të abstragimit të mendjes njerëzore... Le ta themi që në krye, pasi ta keni lëçitur këtë libër, mos u rrekni më kot ta etiketoni, ta klasifikoni, me një fjalë, ta standartizoni, si ndonjë punonjës i zellshëm biblioteke, në roman, novelë apo ku ta di unë se në çfarë tjetër, çka do të ishte një kuturisje e marrë dhe e pavlerë. Në mes të Borges-it e shkrimtarit shqiptar (të cilit edhe pse autori nuk ia zë kund ngoje emrin, lexuesi e ka fort të lehtë ta identifikojë), qëndron një tjetër shkrimtar i përmendur, Ernesto Sabato, në rrembat e të cilit rrjedh një fije nga gjaku ynë i shprishur e, kësodore, kush më mirë se ai mund të bëhej mblesi i kësaj krushqie të çuditshme mes shkrimtarit të gjallë, Çelës dhe të vdekurit, Borges-it. Fletorja misterioze, që Çela i beson Sabato-s, përbën nyjen lidhëse të kësaj trinitie të shenjtë mes njerëzish që flasin të njëjtën gjuhë, atë të Kozmosit të letrave, por jo vetëm kaq, ndonëse e ronitur, ajo na shërben si dëshmi e asaj që metafizika nuk është gjë tjetër, veçse një degë e letërsisë fantastike. Me këtë vepër Zija Çela na dëshmon se, siç thotë Malraux-ja, arti ngrihet mbi art, ndaj mos u mundoni më kot të kërkoni diçka të kulluar në atë që është thjesht njerëzore. (Revista Klan)
Ali Aliu: Goja e Botës (llagëmi që depërton dy anët e malit e ku era qarkullonte fragmente bisedash sa nga lindja, sa nga perëndimi), fjala botë, logosi botë, e përimtuar në komunikimin e përditshëm të fifarasve, mbart të pleksura në vete të gjitha fushat e jetës dhe të ekzistencës njerëzore. Brenda janë ëndrrat e fifarasve, është përditshmëria, historia, mitet, dashuria, urrejtja, është filozofia dhe psikologjia e Fifarës, janë bizneset, intrigat, zakonet, shpirti, lindja, vdekja, ringjallja, vrasja, është shteti, Zoti, është qielli, Hadi, është estetika përfshirëse e universit... Pra, është një botë që shpaloset shkallë-shkallë, duke u shtrirë përmes një epike narrative, e cila të rrëmben pa e hetuar. Është tërë bota njerëzore, monumentalizuar në universin shekspirian, është heroizmi dhe tradhtia, dija dhe padija, është shkolla, besimi, feja, është hetimi, gjykimi, dënimi dhe mosdënimi, është brutaliteti, gjuha e urrejtjes e politikës dhe e politikanëve, aq buçitëse në hapësirën tonë. Kjo rrokje e gjerë është romani “Goja e Botës”... Gjatë rrëfimit, Zija Çela sjell mbi 160 personazhe, që të gjithë me emër e mbiemër të plotë, disa madje edhe me nofka. Emrat dhe nofkat e tyre nuk janë të rastit: autori mëton të gjejë një lidhje, motivim të brendshëm mes personazhit dhe shënjimit të tij nominal. Në këtë çështje, me gjasë Zija Çela i takon krahut kratilian, sipas filozofisë së Platonit... Personazhi kështu nuk është vetëm një përbërës mekanik në poetikën e prozës së Çelës, por dukuri me funksion të rëndësishëm në mbarë projektin krijues të tij. (Libri “Don Kishoti shqiptar”, 2012)
Mehmet Elezi: “Goja e Botës” nuk është galeri që mund të vizitohet si turist. Romani ka dendësi të frikshme. Mund të lexohet veçse ngadalë, duke u përqendruar dhe duke pushuar. Në të mungojnë pikat e vdekura, kur bateritë e krijuesit cijatin, lypin me u ngarkue. Mungojnë faqet e venitura dhe paragrafët e sforcuar, s’ka terina a gropa nëpër të. Me një frymëzim dhe energji krijuese të pazakontë, në të 434 faqet autori ruan të njëjtin ritëm të lartë kallëzimi, ose siç quhet narrative, të konrolluar mjeshtërisht. I ngjeshur në mendim, në kulturë, në gjuhë... Romani nuk vret shijen e të jetuarit, la joie de vivre. Banorët e Fifarës gjejnë gjithnjë motiv me e gëzue jetën. Tekefundit “janë mësuar të kënaqen me merita që vetë ia njohin vetes”. Tipikë shqiptarë, do të thotë dikush. Ballkanas, mund të ngulë këmbë tjetri, duke huazuar këtë cilësor nga fjalori i modës politike. Janë thjesht fifaras. Dhe Fifara mund të gjindet ose të zhvendoset edhe në gjysmën tjetër të rruzullit... Për nga kompozicioni të kujton romanin e Orhan Pamukut “Unë jam e kuqja”. Për kah universi që krijon, të kujton Markezin. Fifara është një lloj Makondoje, me prerje të caktuar. Një botë paralele, fiction. Penelë të realizmit magjikë, ngjyra të jetës së përditshme... Një ironi e butë, dashamirëse, ndihet si shije erëze përgjatë romanit. (Gazeta 55, nëntor 2014)
Linda Spahia: Kur njëherë i kam thënë Zija Çelës se është njeri i lumtur, qeshi hidhur. Tani po i them prapë se kam të drejtë, sepse ai është krijues i gozhduar përfundimisht në kryqin e krijimit, ka kohë që nuk zbret prej aty dhe, i gjakosur e me kurorë, na fton në Banket, domethënë në banketin e tij letrar. (Rilindja, 1997)
Elvana Zaimi: Mendoj se risia e romanit “Las Varrezas” të Zija Çelës është një rikonceptim i gotikës, rikthimi i saj nëpërmjet një lenteje dhe eksperimenti tërësisht tjetër, të cilin unë kushtëzueshëm po e quaj post-gotika. (Fjala, 2005)
Ali Aliu: Proza e Zija Çelës mund të merret model ilustrativ për vrojtime teorike narrative, sidomos në lidhje me intertekstualitetin, që konsiderohet si një veçori e postmodernizmit në prozë. Në këtë rrugë, autori provon mjeshtërinë e vet në zotërimin e dy kategorive themelore të poetikës narrative, të kohës e të hapësirës, dhe Çela dëshmohet si i tillë, si mjeshtër i vërtetë në prozën bashkëkohore shqiptare.
Luljeta Dano: Kam një merak të pathënë për librin “Oborri i një tirani të fshehtë” të Zija Çelës. Kur lexon ato tregime të dorës së parë në prozën shqipe, “Misteri i jetës”, “Mit grek me shishe të mëdha” “I biri i Jahos dhe Sofisë”, “Ultima”, që edhe në ndërtimin e veprës janë të pashqitur në konstelacion, njeh pushtetin e tregimit që, në botën letrare, është si shteti i Vatikanit, i vogël por i plotfuqishëm.
Remzi Lani: Teknikën e rimarrjes deri tani në letërsinë tonë e ka përdorur me sukses vetëm Ismail Kadare... Zija Çela e zotëron këtë mënyrë të shkruari mjeshtërisht. Ai zotëron njëkohësisht asimetrinë e saj, copëzimin, shpërndarjen e subjektit, ashtu dhe harmoninë, unitetin. Këtë mendoj se mund ta bëjë vetëm një shkrimtar që këmbëngul dhe kërkon vazhdimisht. (Gazeta Zeri i rinise)
Ramadan Musliu: Sa më shumë që kalon kohë, opusi romansor i Zija Çelës zbulon shtresa e nënshtresa kuptimore, ide dhe mesazhe që dalin nga shtresimet asociative të rrëfimit të ndërtuar me mjeshtëri të madhe artistike. Edhe “Monedha e dashurisë” dëshmon po atë prirje për asociativitet të gjerë të narracionit, për mjeshtërinë e zhvillimit të fabulës, ndërtimit të syzheut romansor dhe estetizimin total të tekstit. (Pasthenie)
Faruk Myrtaj: Zija Çela nuk stërmundohet për të bërë prozën e madhe filozofike, por kurrkush nuk mund ta mohojë se proza e tij zbërthen mjeshtërisht filozofinë e madhe të jetës. Ky është ndryshimi dhe origjinaliteti i Zija Çelës, vendi që zë ai në letërsinë e djeshme, të sotme e të nesërme. (Rilindja demokratikie)
Vaid Hyzoti: Një thirrje e fuqishme për njeriun pikërisht në kohën e rrokopujës, e mërzisë dhe të kërkimit për shpëtim. Një popull tashmë nuk mund të vdesë si një njeri, paralajmërohet në SOS, një buzëqeshje, por kjo nuk do të thotë se të gjithë bashkë nuk jemi të kërcënuar për vetëndëshkim. Sepse: “çdo njeri në kafazin e kraharorit ka një bilbil të vetin, që ose e vret, ose e bën të këndojë”. Padyshim, është fat për letësinë shqiptare të kultivuar që tashmë “inventarizon” një buzëqeshje të plotë letrare. Dhe këtë Zija Çela e heq nga vetja për t’ia falur lexuesit. (Albania)
Ermir Nika: Romani “SOS, një buzëqeshje” i Zija Çelës, para së gjithash, është triumfi i njeriut mbi dhimbjen. Proza e kësaj vepre ka gravitet konstant, sepse e ruan intensitetin narrativ në të gjitha faqet e saj. Gjatë leximit të romanit, subjekti sikur të përthith, duke të hedhur nga atmosfera e ngarkuar me nota të forta realiste, emocionale e psikologjike, në situata që përmbysën dhe rishfaqen në trajta gati-gati eterike, çaste kur lexuesit i vjen të pyesë nëse ky rrëfim është i trilluar nga narratori autorial, apo ndoshta ai vetë është trilluesi ëndërrimtar i gjithë asaj që po ndodh në ato skena aq të dendura, ku ndërthuren shumë jetë dhe shumë fate të ndryshme njerëzore. “SOS” është një vepër që përcjell frymën dhe filozofinë e kohës. Një letërsi e mirëfilltë, e cila kam bindjen se do të lexohet me të njëjtën frymë edhe pas dhjetë, njëzetë apo shumë e shumë vitesh... Është siguria relative që ka për referencë atë lloj biblioteke, ku zënë vend vlerat universale të njerëzimit.
Altin Haxhinasto: Është thënë dikur se artin e rrezikojnë dy përbindësha: artistët që nuk janë mjeshtra dhe mjeshtrat që nuk janë artistë. Në vijim të kësaj logjike, them se te shkrimtari Zija Çela mjeshtri i jep perfeksionin e elaborimit të fjalës artistit, ndërkohë që artisti i jep në dorë mjeshtrit gjetje të atilla, që përbëjnë margaritarë të mrekullueshëm artistikë. (Albania)
Biblioteka Koha Ditore: Qysh në fillim të viteve ’70, me tregimet e tij realiste, të cilat dilnin nga suazat e socrealizmit të detyruar si normë letrare në Shqipërinë komuniste, Zija Çela bëri emër mes lexuesve shqiptarë, por edhe kritikës letrare. Gjatë dhe pas rënies së komunizmit në Shqipëri, me tregimet dhe romanet e tij të njohura, Zija Çela bëri për vete adhuruesit e tij shqiptarë në të gjitha viset në Ballkan dhe më gjerë.
Martin Cukalla: Më goditi në kokë dhe, siç thotë Kafka: “Nëse libri që lexojmë nuk na zgjon me një goditje në kokë, përse duhet ta lexojmë?”, jo vetëm që e lexova me një frymë romanin më të fundit të Zija Çelës, “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, por mora guximin të shkruaj disa rreshta për të. Në njëfarë mënyre për t’iu larguar efekteve të tronditjes. Siç bëjmë rëndom me çka na trondit: Ia themi dikujt dhe… shpëtojmë. Shpëtojmë vallë?… Zija Çela është organik për nga kultura e vëzhgimit të hollë të përditshmërisë, për nga diapazoni i gjërë e racional i imagjinatës dhe për nga furia me të cilën shtjellon e shkruan. Një re që bredh nëpër limeret e jetës, jo i shtyrë nga erërat e motit, por nga energjitë e brëndëshme! Një re që mbarset hapsirave me shira, suferina e rrufe e që derdhet mandej vetëtimthi tek bie në kontakt me rryma të ftohta ajrore! I pajisur me arritjet më të vlefshme gjuhësore të shqipes dhe me teknikat më të mira të prozëshkruarjes së kohës sonë, Zija Çela nuk ndalet dhe nuk mundet të ndalet... Dhe kështu do të vijojë: me një guxim krijues frenetik! Zija Çelën e kam njohur kur ziente e digjej në një vend akulli, dashuronte Sabaton dhe zhvillimet e njëkohesishme të fateve njerëzore në cepe të përkundërta të globit, zhvillime që nxiteshin jo nga forca sociale, por nga fuqitë e misterit ende të pazbuluar. “Mali i tejdukshem” i tij është shkruar në kohën e shfaqjeve të liberalizmit fallco të neopushtetit diktatorial, por nuk bën pjesë në “liberalizimin” e metodës krijuese të kohës, përkundër thërmon e flak kriteret themelore të asaj metode dhe vetë atë metodë. Falsiteti, megallomania, njësitë hierarkike të rregjimit përballen aty me karaktere të purifikuara njerëzorë që kërkojnë të bëhet ky vend. Jo me revolucionarë, por me reformatorë! Dhe kjo “të bëhet!” jo nën marrshin e luftës së klasave, por në angazhimin e trashëgimisë dhe vlerave më të mira të popullit. (Gazeta Nacional, 2012)
Sami Milloshi: Nëse do ta përkthente dikush këtë roman (“Apokalipsi sipas Shën Tiranës”) në gjuhë të huaj, jam i sigurt se lexuesi i huaj do të njihte një shkrimtar të nivelit botëror, shkrimtar të nivelit të Markesit apo të Llosas. Në të njëjtën kohë Zija Çela ka meritën se në këtë roman, në mënyrën më mjeshtërore të mundshme, na ka dhënë antropologjinë e shpirtit të shqiptarit, ashtu të trazuar në këtë fillim shekulli, ashtu të etur për përparim, ashtu konfuz në një rebus historik dhe moral. Por Çela është gjithnjë i veçantë nga të tjerët, edhe kur shfaq bukuritë, edhe kur shfaq marrëzitë e shpirtit shqiptar. Ne duhet t’ia dimë për nder Zija Çelës që me romanin e tij na ka dhënë në mënyrë të shkëlqyer një marrëdhënie metafizike krejt të veçantë, një marrëdhënie që lëviz në parametra të pangjashme estetike, morale e shpirtërore. Romani i Çelës është kështu një ambasador i shkëlqyer midis kombëtares dhe universales. Lexuesit e sotëm shqiptarë, por sidomos ata që do të vijnë më vonë, do të kenë shumë nevojë ta lexojnë një roman të tillë, jo vetëm për të kuptuar si dhe pse nuk ndodhi apokalipsi në Tiranë, por sidomos si dhe qysh e dëshmoi pikë për pikë shpirti i madh dhe i dhembshur i shkrimtarit Zija Çela. Atëherë, ata që do ta kenë në dorë romanin, do të krenohen jo vetëm me profecitë e Shën Tiranës, por edhe me veprën hyjnore që shkroi Zija Çela. (Gazeta Mapo, 2012)
Arbër Ahmetaj: Mamaci i Çelës (romani “Banketi i hijeve”) është plot e përplot me jetë, me kurvëri e me hasmëri, me tregti e me festa, me idiotësi e me burg, me të marrë e me të mençur, me emigrantë të ikur e të rikthyer, me të vdekur e të gjallë që enden herë me krye e herë pa krye, me armiq përballë, me armiqësi të vjetra sa jeta. Autori mban nën kontroll jo vetëm linjat, personazhet por edhe detaje e gdhendje nga më të imtat, të cilat i sjell e risjell në mënyrë të befasishme për kënaqësinë më të madhe të lexuesit. Ajo që e shndërron leximin e këtij libri në një kënaqësi të vërtetë, është aftësia e shkrimtarit që të përziejë në të njëjtën materie letrare hiperbolizime fantastike me mite e rrëfenja të vjetra që i japin shkrimit një natyre eterike e mistike, njëherësh e këndshme për t’u lexuar dhe marramendëse si përfytyrim. Nëse vërtet nuk arrijmë “të dëgjojmë zhurmën që bën rruzulli i tokës duke u sjellur në boshtin e vet”, siç i ndodh një personazhi të Çelës, e sigurtë që ndiejmë gurgullimën e pastër gjuhësore dhe mjeshtrinë e një shkrimtari të madh bashkëkohor. (Gazeta Nacional)
Arben Kallamata: Duhet të ketë qenë në vitin 1987 ajo paradite kur, për herë të parë, më ra në dorë romani “1984” i Orwell-it... Unë kujtoja se në redaksinë e atëhershme të “Dritës” vetëm unë dhe Rudolf Marku e kishim lexuar Orwell-in. Por ja ku na del kryeredaktori, Zija Çela, që me një guxim prej të marri ia veshi drejt e në faqet e gazetës, duke krahasuar veprën e Kadaresë me atë të Orwell-it dhe të Prustit. Madje, për herë të parë publikisht në Shqipëri, në shkrimin e tij Çela shprehte edhe opinionin se Kadareja do të ishte i nderuar me Çmimin Nobel, po aq sa Nobeli me Kadarenë. Më rëndshëm nuk kishte si t’ia “këpuste” atyre kuteve të rrepta zyrtare. Reagimi ishte i menjëhershëm dhe mjaft i fortë. Ne, të gjithëve në redaksi, na thërrasin në një mbledhje, ku supozohej ta kritikonim dhe ta denonim “veprën e pamatur” të Zijait dhe ta bindnim atë se e kishte gabim... Në atë mbledhje ndodhën çudira. Zijai mbrohej në mënyrë të shkëlqyer me argumentin se Orwell-i shkruante kundër një sistemi totalitar, fashist, kapitalist apo revizionist, dhe s’kishte si të merrej romani si një sulm kundër “demokracisë socialiste”. Ishte një situatë sa trysnuese, aq edhe qesharake, sepse askush nuk mund të thoshte hapur se socializmi ishte gjithashtu diktaturë dhe totalitarizëm. Mbledhja i rrëshqiti fare synimit të vet, pasi redaktorët nuk po e “lëshonin” kryeredaktorin e tyre në vështirësi... Mëkat që nuk ka protokoll nga ajo mbledhje. (MAPO, 21- 22 shkurt 2015)
Mimoza Erebara: Çela është prova, me të cilën bindim veten në analizat tona se mund të bësh një letërsi antikonformiste edhe duke përdorur mjetet e imponuara nga regjimi i kohës dhe i përdorimit me sukses të një fraze në dukje të shtrirë e të thjeshtë, por që mbart në vetvete një kontekst krejt tjetër dhe një simbolikë të plotë, herë të dukshme e herë të fshehur. Është prova më e mirë që kemi për të vërtetuar qëllimin e këtij shkrimi se letërsia që pasoi nuk erdhi në një terren bosh, nuk erdhi nga hiçi. (Gazeta Nacional, prill 2012)
Juli Qineti: ...Është natë, ai drejtohet për nga kubeja e shembur dhe shtanget. Kubeja është aty, e plotë, e përsosur, llamburitëse. I kujtohen njerëzit që mbanin lëndë në duar. Tërë ato lëvizje të tyre nuk ishin veçse gjeste pune për ta ndërtuar kubenë. Secili ka vënë diçka nga vetja. Zijai përlotet dhe e di se tashmë i duhet të jetojë sërish, me dashuri të plotë. Ai është i çliruar. E ka kaluar tundimin e vet. I ka dhënë jetën të birit, ka bërë paqe me Zotin, është sërish ati i familjes, burri i bashkëshortes, është sërish baba, dhe ka fituar mbi të ligën. E ka arritur shenjtërinë. Pa dashur, thjesht, pastër, siç i ka hije njeriut. Tanimë mund të prehet i qetë, më në fund. Mbyll sytë dhe dëgjon (sheh) Zërin e Zotit që sikur i thotë: Prandaj për Dashurinë shkruhet pas vdekjes, sepse Dashuria është më e fortë se Vdekja. (Mehr Licht, 2011)
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.