politikan shqiptar From Wikipedia, the free encyclopedia
Terenc Toçi (italisht: Terenzio Tocci; Strigàri, 9 mars 1880 - Tiranë, 14 mars 1945) ka qenë një agjitator propagandist i çështjes shqiptare në Itali, jurist, botues, shkrues, dhe nëpunës arbëresh i shtetit shqiptar që pas Kongresit të Lushnjes e deri me pushtimin italian. I angazhuar me ngjarjet në Shqipëri që me kryengritjet e pas Hyrrijetit, pas pushtimit italian qe kryetar i Këshillit të Epërm Korporativ Fashist që ishte legjislativi i kohës. Arsye për të cilën me mbarimin e luftës, pas marrjes së pushtetit nga Lëvizja Nacional-Çlirimtare u arrestua dhe u gjykua nga Gjyqi Special i dënuar me vdekje, pushkatohet.
Terenc Toçi | |
---|---|
Ministër i Financave | |
Në detyrë 23 mars, 1937 – 31 maj, 1938 | |
Paraprirë nga | Kostaq Kota |
Pasuar nga | Rrok Gera |
Kryetar i Këshillit të Epërm Korporativ Fashist | |
Në detyrë prill 1940 – 1942 | |
Paraprirë nga | Pandeli Evangjeli |
Pasuar nga | Ernest Koliqi |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 9 mars 1880 Strigari, Mbretëria e Italisë |
Vdiq më | 14 prill 1945 Tiranë, Republika Popullore e Shqipërisë |
Nënshtetësia | italian, shqiptar |
Punësimi | gazetar, jurist |
U lind në Strigari të Kalabrisë më 9 mars 1880, i biri i Paolos dhe Anna Maria de Vulcanis.[1] Mësimet e para i bëri në kolegjin e Shën Mitër,[2] prej ku u përjashtua për shkak të qëndrimeve të tij progresiste.[1]
Më 1901, kur ishte student, botoi broshurën me emrin “Questione Albanese” (Cosenza, 1901), duke divulguar të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. U diplomua për drejtësi në Universitetin e Urbinos më 1904,[3] që andej u vendos në Romë, ku zhvilloi propagandë politike në partinë maciniane, ku themeloi dhe botoi disa të përkohshme së bashku me revolucionarin Manilo Bennici.
Ushtroi profesionin pranë një studioje legale si dhe nisi të jepte mësim gjuhën latine.[4]
Më 1908-1909 shkoi nga Hemisfera Perëndimore, nga Buenos Airesi, Montevideo, Rio de Janeiro e deri në Philadelphia, New York e Chicago, duke takuar kolonitë shqiptare e arbëreshe duke mbajtur fjalime për të fituar mbështetje që të lirohej Shqipëria prej zgjedhës osmane.[2] Në New York njihet me të shoqen e tij të ardhshme, Clementina Romano.[1]
Gjatë trazirave që pasuan rivendosjen e kushtetutës osmane më 1908, masat represive të qeverisë xhonturke çuan drejt fushatave për mbledhjen e armëve që shkaktuan ndër të tjera edhe Kryengritjen e 1911. Qarqe të ndryshme ndiqnin ndodhitë në Shqipëri me vite, dhe me këtë rast gjenerali Riciotti Garibaldi propozoi formimin e një njësie vullnetare për mbështetjen e shqiptarëve.[5] Në ujdi me Garibaldin dhe Këshillin Arbëresh të Italisë, Toçi u nis drejt viseve shqiptare për t'iu bashkuar kryengritjeve,[2] dhe më 26 prill 1911 tuboi Kuvendin e Fanit që nxorri qeverinë njëditëshe të Kimzës,[5] që u shua për shkak të pengimit të ndihmave nga qeveria Giolitti.[6] Kësodore u kthye në Itali korrikun e 1912,[2] i mbikëqyrur nga autoritetet italiane që të mos shkaktonte incidente tjera diplomatike.[1]
Më 1913 mori pjesë në punimet e Kongresit të Trieshtës, prej ku u kthye në Shkodër, ku themeloi gazetën "Taraboshi" (1913-1914), e përditshmja e parë politike në Shqipëri. Me anë organit të tij të shtypit u angazhua me një fushatë që trazoi praninë diplomatike italiane në qytet dhe më 1914 kërkuan largimin e tij.[6] U kthye në vendlindje ku u izolua gjithnjë nën mbikëqyrjen prej autoriteteve italiane. U nënshkrua vullnetarisht që të shërbente në ushtrinë italiane gjatë Luftës së Parë Botërore.[7] Gushtin e 1920 mërgoi përfundimisht në Shqipëri, ku nisi veprimtarinë e tij si avokat dhe u thirr të shërbente në detyra shtetërore.[6]
Më 1921 u emërua prefekt i Korçës, pas një viti në shkurt u caktua përkohësisht të mbulonte shërbimin diplomatik si konsull i përgjithshëm i Shqipërisë në Egjipt. Më pas në qershor qe drejtor i zyrës së shtypit të qeverisë. Nën kujdesin e tij nisën të funksionojnë në Tiranë agjencia e shtypit italian "La Stefania" dhe agjenci të tjera.[3] Pas zgjedhjeve të 1923 u zgjodh deputet i Shkodrës,[1] dhe më 1925 kryetar i Gjykatës së Kasacionit dhe më 1927 sekretar i përgjithshëm i presidencës.[6] Pas shpalljes së monarkisë, Toçi prej bindjeve republikane dha dorëheqjen nga çdo post. Pas një periudhe ftohjeje, më 1937 u ftua që të merrte pjesë në qeveri duke kryesuar ministrinë e financave, gjë të cilën e pranoi.[3]
Pas pushtimit italian aderoi për bashkimin e kurorave të dy vendeve, pranoi detyrën si kryetar i Këshillit të Epërm Korporativ Fashist (1940-42) dhe me çarmatosjen e njësive ushtarake italien nga ana e Wehrmacht (8 shtator 1943) u aktivizua për të ndihmuar italianët e mbajtur në territorin shqiptar. Ngeli në Shqipëri ku pas marrjes së pushtetit nga Lëvizja Nacional-Çlirimtare në Tiranë, u arrestua dhe prillin e 1945 u dënua nga gjykata speciale me pushkatim,[6] mendohet se vendi i quajtur Kodra e Priftit.[8]
Eshtrat e tij nuk u gjetën kurrë.[6]
Nëpër ligjëratat e mbajtura në dy Amerikat, Toçi u përpoq të rriste ndjeshmërinë mbi sa e nevojshme ishte t'i kushtohej vëmendje çështjes gjeopolitike të shqiptarëve në mesin e Çështjes Lindore.[9] Më 1912 ai mbajti një kumtesë me temën Turqit në historinë e qytetërimit (italisht: I Turchi nella storia della civiltà) në qerthullin kulturor të Katanxaros dhe më pas në Kozencë, shkurtin e 1912.[10]
Më 1914 botoi broshurën "Krimet e Taraboshit" (apo Qytetërimi Evropian në Shkodër të Shqipërisë) ku riprodhoi artikujt e gazetës së tij, e drejta për botim e së cilës u pezullua nga Komision Ndërkombëtar i Kontrollit.[11]
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.