të drejtat themelore që i përkasin të gjithë njerëzve From Wikipedia, the free encyclopedia
Të drejtat e njeriut kanë të bëjnë me të drejtën e cila mbrohet me ligj dhe lirinë e barazinë në mes njerëzve. Këtë e gjejmë në nenin e parë të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, ku të gjithë njerëzit lindin të lirë e të barabartë në dinjitet e të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri-tjetrit me frymë vëllazërimi. Të drejtat e njeriut janë një pjesë e rëndësishme e teorive të së drejtës dhe një koncept i rëndësishëm filozofiko-politik.[1] Mes të drejtave themelore të qenies njerëzore janë e drejta e lirisë individuale, e drejta për jetën, e drejta e vetvendosjes, e drejta e fesë etj. Të Drejtat e Njeriut përshkruajnë një koncept sipas të cilit të gjithë njerëzve iu takojnë që nga lindja të drejtat universale njerëzore.
Termi “Të drejtat e njeriut” është një koncept që ka ndryshuar (në kuptim të evoluimit) gjatë gjithë historisë. Nëse shikohet në mënyrë kronologjike, njerëzimi nuk ka “luftuar” prej fillimit për të gjitha të drejtat që sot ekzistojnë dhe i gëzojmë. Pra, lufta për të drejtat e njeriut fillon me përpjekjet për t’u njohur të drejtat e njeriut fillon me përpjekjet për t’u njohur të drejtat më themelore (elementare) të tilla si : e drejta për jetën dhe e drejta për të qenë i lirë.
Nëse do të shohim zhvillimin historik për sa i përket të drejtave të njeriut, është e nevojshme të bëhet një ndarje të zhvillimit të tyre në tri faza:
E drejta natyrore (rrënjët filozofike të të drejtave të njeriut ), në këtë fazë mbisundon ideja e barazisë së pretenduar të gjithë njerëzve (e drejta natyrore), e cila vlen për të gjithë, është zhvilluar qysh në filozofinë antike greke, pra para më shumë se 2000 vjetësh. Në krishtërimin e hershëm dhe në fetë e tjera, kjo traditë e të drejtave të njeriut është zhvilluar më tej: Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë nga Zoti dhe të gjithë kanë detyrime të barabarta përpara tij. Apo nga feja tjetër (myslimane) do të theksonim: “Të gjithë njerëzit janë të barabartë, sikurse dhëmbët nuk ka të drejta i bardhi mbi të ziun apo arabi mbi joarabin...” Këto parime përbëjnë rrënjët e idesë së të drejtave të njeriut. Megjithatë, në atë kohë, ato nuk kishin të bënin shumë me realitetin politik. Ato pasqyronin më shumë mendime filozofike, të cilat edhe pse në fakt kishin ngritur kërkesa universale, zbatimin praktik në jetën politike e përjetuan hap pas hapi në fillim të Epokës së Re. Shumë juristë, politikanë dhe filozofë të shekujve XVI, XVII dhe XVIII (Hugo Grotius, Xhon Locke, Spinoza, Jean Jack Rousseau, Jefferson etj.), nën ndikimin e teorisë të së drejtës natyrore, filluan t’i trajtojnë të drejtat e njeriut si të drejta të përcaktuara me “ligj hyjnor” ose me “ligj të Perëndisë”. Sipas këtyre autorëve njerëzit si individë lindin me disa të drejta (të cilat “ua jep” e drejta mbishtetërore apo natyrore) dhe këto të drejta nuk mund të kufizohen me norma pozitive të krijuara nga shoqëria. Duke pasur parasysh mendimet e dhëna nga autorët e lartpërmendur, zhvillimin e mëvonshëm të të drejtave të njeriut mund ta shtrojmë në fazën e ardhshme.
Zbatimi politik në kuadrin e shteteve kombëtare, në këtë fazë është karakteristike marrja e disa prej arritjeve në lëmin e të drejtave të njeriut (edhe të atyre nga e drejta natyrore) në aktet e shteteve kombëtare. Anglia ka luajtur rol vendimtar gjatë këtij zhvillimi. E ashtuquajtura “Magna Charta Libertatum ", e cila i kufizoi mbretit disa të drejta, “Petition of Rights “, siguroi paprekshmërinë e qytetarëve, ndërsa dosja” Habeas-Corpus" e vitit 1679 shënoi kalimin vendimtar në fazën e shpalljes së idesë së të drejtave të njeriut si të drejta të shprehura me ligj, në të drejtën konkrete të shtetit. Në të, qytetari u mbrojt nga arrestimi i paarsyeshëm: detyrimi për t'u sjellë para gjykatësit brenda 20 ditëve të të arrestuarit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadrin e luftës për pavarësi, duke u mbështetur në idenë e Xhon Lokut, u formuluan katalogun e parë në histori për të drejtat e njeriut, “Virginia Bill of Rights” i vitit 1776, i cili bashkë me “ Deklaratën Amerikane të Pavarësisë” të po të të njëjtit vit, numërohen si dokumentet më të rëndësishme në historinë e të drejtave njeriut. "Virginia Bill of Rights" ngriti të drejtat e shënuara më poshtë si të drejta të patjetërsueshme të njeriut, të cilat që nga ajo kohë përbëjnë thelbin e të drejtave të njeriut: E drejta për jetë, liri dhe pasuri, Liria e mbledhjes dhe liria e shtypit, e drejta e peticionit, e drejta për mbrojtje juridike dhe e drejta e votës. Në Francë, zbatimi në formën kushtetuese i idesë së të drejtave të njeriut mori përmasa të përshpejtuara. Revolucioni Francez i vitit 1789 pati ndikim shumë të madh. Më 26 gusht 1789 u pranua “Deklarata për të Drejtat e Njeriut dhe atyre Qytetare”. Në të bie në sy përpjekja për të vënë theksin në rëndësinë universale të të drejtave të njeriut. Me rëndësi të veçantë, në fillim ishte përfshirja e të drejtave të njeriut si të drejta themelore në kushtetutat kombëtare, gjë që u arrit me sukses gjatë shek. XIX pothuajse në të gjitha shtetet evropiane. Zbatimi i plotë politik dhe juridik i idesë filozofike të të drejtave të njeriut u arrit deri në mesin e shekullit XX.
Realizimi universal politik (Kombet e Bashkuara), ishte lufta e dytë botërore ajo që do të shpejtonte procesin e globalizimit të çështjes së të drejtave të njeriut. Tendencat ishin që ajo që kishte ndodhur në këtë luftë, nuk duhet të përsëritej më. Të gjithë njerëzit në botë duhet të gëzonin të drejta dhe liri themelore. Kjo ishte njëherazi edhe arsyeja kryesore e themelimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo gjë u garantua me nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet shteteve, nëpërmjet të ashtuquajturës "Karta e Kombeve të Bashkuara", e cila u aprovua më 26 qershor të vitit 1945. Me këtë kartë, të gjitha shtetet anëtare detyrohen për bashkëpunim të ndërsjellë dhe po ashtu çdo shtet i veçantë është i detyruar të bashkëpunojë me OKB-në, me qëllim që të arrihen qëllimet e saj (neni 56). Ndër qëllimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara është edhe vënia në jetë e të drejtave të njeriut. Sipas këtij neni, çdo anëtar i Kombeve të Bashkuara është i detyruar të respektojë të drejtat e njeriut. Anëtarë të organizatës, sot janë thuajse të gjitha vendet e botës. Për të përkufizuar saktë të drejtat e njeriut, është përpiluar edhe "Deklarata e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut", e cila u aprovua në dhjetor të vitit 1948. Më vonë do të miratohen edhe akte të tjera nga OKB, si: Pakti për të drejtat Civile dhe Politike (janar 1976), Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (mars 1976), etj. Nëse do të futnim në këtë fazë edhe organizatat rajonale për sa i përket të drejtave të njeriut do të përmendim Këshillin e Evropës dhe disa nga aktet më të rëndësishme të kësaj organizate si: Konventa evropiane e të drejtave të njeriut (me protokollet e saj ), Kartën Sociale Evropiane (me ndryshimet e bëra ), etj.
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.