Remove ads
From Wikipedia, the free encyclopedia
Rrahim Beqiri (1 Janar 1957 – 2 Gusht 2001) i njohur si Komandant Roki ishte një komandant i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe më vonë i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, i cili mori pjesë në Luftën e Kosovës, në Luftën e Luginës së Preshevës dhe në Luftën e vitit 2001 në Maqedoni. Lindi më 1 janar 1957 në fshatin Kopernicë të Komunës së Dardanës (ish–Kamenicës) në Kosovë dhe ndërroi jetë më 2 gusht 2001 në Spitalin e Prishtinës si pasojë e plagëve të marra në trup gjatë Betejës së Tetovës, e cila u zhvillua gjatë Luftës së vitit 2001 në Maqedoni. Pas vdekjes ai u shpall Hero i Kosovës.
"Sytë hapur më mbesin, kur shoh Shqipërinë e ndarë, Amanet ua lë unë Roki, kurrë të mos ndalet lufta drejt Bashkimit Kombëtar" (Rrahim Beqiri–Roki).
Rrahim Beqiri | |
---|---|
Pseudonimi/et | "Komandant Roki" |
Lindur më | 1 Janar 1957 Kopernicë, Komuna e Dardanës, ish–Jugosllavia, (tani Kosovë) |
Vdekur më | 2 Gusht 2001 Spitali i Prishtinës, Prishtinë, Kosovë |
Në aleancë me | |
Vite shërbimi | 1998 – 2001 |
Grada | Komandant |
Njësia | Brigada 112 "Mujdin Aliu" (Tetovë, Maqedoni) |
Në komandë |
|
Betejat/luftrat |
|
Çmimet | Urdhëri Hero i Kosovës (pas vdekjes) |
Me fillimin e Luftës në Kosovë, Rrahim Beqiri iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në rolin e komandantit të Zonës Operative të Marecit. Më vonë, pas përfundimit të luftës në Kosovë, ai iu bashkua UÇPMB-së në Luftën e Luginës së Preshevës dhe pas fillimit të Luftës së vitit 2001 në Maqedoni ai iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe depërtoi në kufirin Kosovë–Maqedoni. Ai ishte një nga komandantët e Brigadës 112 të UÇK-së, e cila vepronte në rajonin e Tetovës. Ai u plagos rëndë nga forcat sllavo-maqedonase në një përleshje në periferi të Tetovës, në lagjen Drenovec, gjatë betejës për Tetovën, ku mori plagë vdekjeprurëse. Ai u transferua menjëherë në spitalin e Prishtinës, ku edhe ndërroi jetë më 2 gusht të vitit 2001. Edhe pse në kushte lufte, bashkëluftëtarët e kishin transferuar me shpejtësi në Spitalin e Prishtinës ku mjekët bënë të pamundurën, por nuk arritën ta shpëtojnë nga vdekja. Rrahim Beqiri është varrosur pranë trupave të dëshmorëve të tjerë të lirisë, në Varrezat e Dëshmorëve në qytetin e Dardanës, (ish–Kamenicës) në Kosovë.
Rrahim Beqiri lindi më 1 janar të vitit 1957, në fshatin Kopërnicë të Komunës së Kamenicës, në Kosovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Dardanë, (Ish-Kamenicë). Ka kryer studimet në Degën-Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1980. Ka qenë pjesëmarrës aktiv në demonstratat dhe protestat e vitit 1981, ku ishte afishuar kërkesa për krijimin e Republikës së Kosovës. Duke qenë me prejardhje nga familjet atdhetare, ishte i ndjekur, i burgosur dhe i persekutuar nga regjimi jugosllav i asaj kohe.
Në vitin 1990, për shkak të intensifikimit të terrorit shtetëror serb kundër shqiptarëve, ashtu sikur edhe shumë të rinj të tjerë liridashës nga Kosova e më gjerë, ishte detyruar të largohej nga vendi dhe ishte vendosur në Gjermani. Aktivitetin e tij politik e kishte vazhduar në radhët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, organizatë e cila vepronte në përgatitjen e luftës së armatosur kundër pushtimit serb të Kosovës.
Me të filluar lufta në Kosovë, në Zonën e Karadakut e Gjilanit, Rrahim Beqiri i bashkohet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) tek komandanti i Zonës, Ahmet Isufi. Fillimisht ishte sistemuar në Zonën Operative të Marecit. Ka marrë pjesë në luftimet e shumta që ishin intensifikuar në atë zonë sidomos në muajt e fundit të luftës, ndërsa ishte me luftëtarët e parë që hyri fitimtar në qytetin e Gjilanit, në qershor të vitit 1999.
Pas çlirimit të Kosovës, Rrahim Beqiri kishte rënë në konflikt me forcat ruse, që ishin nisur nga Republika Serbe e Bosnjës dhe kishin hyrë në Kosovë në kuadër të forcave të KFOR-it. Ishte burgosur dhe ishte maltretuar fizikisht nga forcat ruse, të cilat vepronin në territore të ndryshme, gjoja për ta ruajtur pakicën serbe, edhe pse shumica e tyre, sëbashku me forcat serbe ishin larguar nga Kosova, nga frika e hakmarrjes së shqiptarëve, meqë kishin kryer krime barbare kundër popullatës civile shqiptare, sidomos gjatë kohës së luftës.
Pas dëbimit përfundimtar dhe të turpshëm të forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova ashtu sikur ishte paraparë me Marrëveshjen e Kumanovës të 10 qershorit të vitit 1999, kur Serbia kishte nënshkruar kapitullimin, forcat serbe në shenjë hakmarrjeje, për dëmin e tyre nga Kosova fillojnë represionin në fshatrat dhe qytetet e Kosovës Lindore. Ata kishin vrarë 15 civilë shqiptarë liridashës në Bujanoc dhe kishin vendosur punktet që kishin për qëllim dëbimin e popullatës shqiptare nga trojet e tyre etnike, të mbetura në Serbi.
Asokohe, Rrahim Beqiri ashtu sikur edhe qindra liridashës nga Kosova e trojet shqiptare, kryesisht luftëtarë të radhët të UÇK-së, organizuan Ushtrinë për Çlirimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Ai iu bashkua radhëve të çlirimtarëve dhe betejë pas beteje u arrit që forcat policore dhe ushtarake serbe të dëbohen nga lokalitetet etnike shqiptare të tre komunave të Kosovës Lindore, Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Fillimisht aktivitetin e tij luftarak e ka zhvilluar në Zonën e Qarrit.
Pas arritjes së Marrëveshjes së Konçulit, në pranverë të vitit 2001 e cila parashihte demobilizimin e UÇPMB-së, pa ndonjë garanci ndërkombëtare që të mos ktheheshin në atë zonë forcat dhe administrata serbe, Rrahim Beqiri ashtu sikur edhe qindra luftëtarë të tjerë, nuk i dorëzuan armët por depërtuan në trojet shqiptare në Maqedoni ku edhe ishte formuar Ushtria Çlirimtare Kombëtare, e cila kishte për qëllim që shqiptarëve t’iu siguronte liri, barazi e drejtësi, ose të luftohej për ndarjen e trojeve shqiptare nga ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë e cila për herë të parë ishte krijuar si Republikë, në nëntor të vitit 1945 nga Jugosllavia. Rrahimi ashtu sikur edhe shumë luftëtarë liridashës nuk ishte pajtuar me nënshkrimin e Marrëveshjes së Konçulit.
Rrahimi, i armatosur me përvojë të jashtëzakonshme, strategji luftarake e zemër fisnike, ai kyçet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, fillimisht në Tanushë ku edhe ishte thyer kufiri i Kosovës me Maqedoninë dhe pas një kohe depërton në zonën e Tetovës.
Nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së merr detyrën e Komandantit të batalionit, në zonën e luftës në rrethin e Tetovës, në lokalitetin e Drenovecit, asokohe i quajtur Drenas.
Gjatë luftimeve të ashpra, të cilat ishin intensifikuar me rritjen e UÇK- dhe përgatitjen e mijëra ushtarëve për të depërtuar në Shkup, forcat sllavo-maqedonase të ndihmuara nga ato serbe e ruse kishin intensifikuar sulmet me qëllim për të pamundësuar depërtimin e luftëtarëve shqiptarë, për të depërtuar në qytete.
Më 1 gusht të vitit 2001, Rrahim Beqiri i njohur si Komandant Roki, merr plagë vdekjeprurëse në zonën e tij të luftimeve në Drenovec të Tetovës. Bashkëluftëtarët e tij duke parë se plagët ishin të rënda, me shpejtësi organizohen dhe trupin e Rrahim Beqirit e nisin në drejtim të Spitalit të Prishtinës, ku edhe i jepen të gjitha ndihmat e nevojshme mjekësore, por nuk kishte arritur të mbahej në jetë.
Natën e 1 gushtit të vitit 2001, në moshën 44 vjeçare, për herë të fundit e thithi ajrin e Kosovës së lirë dhe ndërroi jetë, luftëtari i tri luftërave çlirimtare, Rrahim Beqiri. Varrimi, me nderime ushtarake, u bë në Varrezat e Dëshmorëve në qytetin e Dardanës (ish-Kamenicë), më 2 gusht ku morën pjesë mijëra liridashës shqiptarë nga Kosova, Kosova Lindore e Maqedonia.
Rrahim Beqiri ka qenë i martuar dhe ka lënë pas bashkëshorten me katër fëmijët e tij, tre djemë dhe një vajzë.
Familja e tij ka marrë mirënjohje e dekorata nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.