Remove ads
fshat në Kosovë From Wikipedia, the free encyclopedia
Muzeqina është fshat rrafshinor, i cili ka lartësinë mesatare mbidetare 542 metra. Shtrihet buzë lumit Shtimjanja përgjatë rrugës Gjurkoc-Muzeqinë-Koshare rreth 7 kilometra në veri-lindje të Shtimes. Është vendbanim i tipit të grumbulluar. Në lagje nuk është i ndarë. Fshati Muzeqinë kufizohet me fshatrat: Gjurkoc, Topliqan, Davidovc, Vojnoc, Rashincë, Gllavicë, Tërrn dhe Koshare. Sipërfaqja e Zonës Kadastrale të Muzeqinës është 603.89.96 metra katrorë.
Në dokumentet e shkruara për të parën herë Muzeqina përmendet në defterin e Vilajetit Vëllk të vitit 1455 me emrin Muziqina, sipas të cilit kishte 6 shtëpi të besimit të krishterë.
Muzeqina ka edhe një histori të begatë arkeologjike, ngase posedon vendbanimin e hapur mesjetar. Gjurmët e këtij vendbanimi ndodhen në mes të këtij fshati dhe Vojnocit, në vendin e njohur me toponimin “Starasella”. Gjurmimet në sipërfaqe nga arkeologët në vitin 2004, kanë treguar për një densitet gjetjesh të fragmenteve të qeramikës e cila është shumë e pasur me forma enësh të përdorimit të përditshëm si vorba, tasa dhe enët me glazurë. Dheu në të gjithë shtrirjen e vendbanimit është i përzier me gëlqere, njëkohësisht gërmimet e rastit të kryera nga vendësit, kanë zbuluar edhe puse uji me sa duket të përdorura nga ky fshat mesjetar i braktisur. Në afërsi të “Starasellës” ndodhen edhe gjurmët e një varreze të njohur me emrin “Vorret e moçme”
Në perëndim të fshatit, gjegjësisht në afërsi të lumit Shtimjanja ndodhet vendi i njohur me toponimin “Qeramidnica”. Mbi sipërfaqe ka gjurmë fragmentesh qeramike ndër të cilat mund të veçojmë tulla e tjegulla të tipit kalipter. Në këtë masë vërehen edhe fragmente qeramike me glazurë të periudhës mesjetare (Harta Arkeologjike e Kosovës – Vëllimi II).
Banorët e sotëm, të cilët jetojnë në fshatin Muzeqinë janë:
Vëllazëria Shahini e fisit Krasniq, të cilët janë banorë të vjetër të Muzeqinës, por nuk kanë të dhëna për periardhjen e tyre. I pari i tyre është Hajra, i cili ka pasur një djalë, Asllanin, ndërkaq Asllani ka pasur trashëgimtar Sylën, kurse Syla, ka pasur Shahinin dhe kështu vjen degëzimi i kësaj familje. Një pjesë e këtij trungu familjar, me mbiemër Arifi janë shpërngulur në kohë të hershme në Gllogoc të Lipjanit dhe deri vonë janë endur ndërmjet vete. Familja Shahini në kohën e Mbretërisë së SKS-së ka pasur mbiemrin Sylo-viq (Sylovitë), ku administrata serbe edhe përmes mbiemrave ka tentuar të asimilion familjet shqiptare, mirëpo pas Luftës së Dytë Botërore e kanë ndërruar dhe tashti kanë mbiemrin Shahini.
Në Lagjen e Shahinëve jeton edhe një familje me mbiemrin Sahiti, të fisit Krasniq, të cilët janë kusherinjë me vëllazërinë Shahini. I pari i familjes Sahiti, është Sejdiu, i cili ka pasur një djalë, Ramadanin, ndërsa Ramadani ka pasur djalë, Sahitin, ndërkaq Sahiti ka pasur dy djem: Sejdiun dhe Latën.
Vëllezëria Hyseni e fisit Gash nga Muzeqina, nuk kemi të dhëna për prejardhjen e tyre. I pari i tyre është Bajrami, i cili ka pasur një djalë, Hysenin, mandej Hyseni ka pasur Halitin, ndërsa Haliti ka lënë pas vete Ferizin. Pas Ferizit vjen Idrizi e Idrizi ka pasur djalë, Izetin, ndërkaq Izeti ka pasur një djalë me emër të ripërtrirë Hysen. Kusherinjë të vëllazërisë Hyseni janë edhe familjet me mbiemrin Sejdiu.
Vëllazëria Sylejmani dhe Ismaili nga fisi Elshan, të njohur në fshat si “Gërqoll” janë ardhur në Muzeqinë, në fillim të shekullit të 19-të nga fshati Sllapuzhan i Suharekës.
Në të njëjtën kohë me Gërqollët kanë ardhur edhe Ngucatët nga fisi Gash, të cilët kanë mbemrat: Avdiu, Halimi dhe Ibrahimi. Kjo vëllazëri kanë ardhur në Muzeqinë nga fashti Ngucat i Malishevës. Pak më vonë nga i njëjti fshat, kanë ardhur edhe vëllazëria Krasniqi, e cila i takon fisit Krasniq.
Familja Fazliu e fisit Gash kanë ardhur nga fshati Budakovë (Suharekë) dhe janë vendosur në Muzeqinë.
Në gjysmë të dimrit, dikund në muajin janar të vitit 1878 nga fshati Bukoloram i Prokuples (Toplicë) ka ardhur familja Zeqiri në Godanc të Poshtëm. Mandej janë shpërngulur në Turqi dhe pas qëndrimit të shkurtër atje për shkak të kushteve të këqija janë rikthyer përsëri në Kosovë, përkatësisht në fshatin Muzeqinë. I pari i tyre, Sadiku i Mehmet Ramës, fisi Kryezi ka ardhur në Muzeqinë me katër djem: Sejdiun, Avdylin, Zeqirin dhe Tahirin. Sejdiu ka pasur një djalë, Hasanin, gjithashtu edhe Avdyli ka pasur vetëm një djalë: Rushitin. Vëllau i tretë, Zeqiri ka pasur dy djem: Dautin dhe Salihun, ndërkaq vëllau i katër, Tahiri, ka pasur tre djem: Asllanin, Rifatin dhe Jupën, i cili ky i fundit ka emigruar në Turqi. Kjo vëllazëri pas degëzimit kanë marrë mbiemrat: Zeqiri, Tahiri, Avdyli dhe Rushiti.
Vëllazëria me mbiemrat: Fetahu, Salihu dhe Fazliu, fisi Thaç janë me prejardhje nga Draguasha e Madhe (Toplicë). Fillimisht, të parët e këtyre familjeve janë vendosur në vitin 1878 në Gllavicë, mandej në Reçak, Godanc, Breg të Zi, Sllatinë të Madhe, Talinovc dhe dy familje vijnë në Muzeqinë. i pari i tyre ka qenë Mustafa, i cili ka pasur pesë djem: Hajrizin, Sylën, Fetahun, Nezirin dhe Sinanin. Pasardhësit e Hajrizit dhe Sylës jetojnë në Breg të Zi, ndërkaq, familjarët e Sinanit në Sllatinë të Madhe, të Nezirit në Godanc të Poshtëm, ndërkaq familja e Fetahut janë ngulitur në Muzeqinë. Fetahu ka pasur dy djem: Fazliun dhe Bajramin.
Familja nga fshati Shullovë (Jabllanicë) me mbiemër Avdyli dhe Avdullahu, fisi Sopë që nga viti 1878 jeton në Muzeqinë. Gjithashtu nga fshati Zhinopotok (Toplicë) ka ardhur familja Rrustemi, fisi Thaç dhe është vendosur në Muzeqinë. I pari i familjes Rrustemi ka qenë Syla, i cili ka ardhur në Kosovë së bashku me fëmijët: Shabanin, Zymryten, Akqen dhe një vajzë tjetër, e cila është shpërngulur në Turqi. Ndërkaq, Shabani ka lënë pas vetes: Izetin, Shefkiun, Sylejmanin, Mehdiun dhe Eminen.
Familja Ivaja nga fisi Krasniq, janë ardhur në Muzeqinë në vitin 1878 nga Ivaja (Jabllanicë). Kanë mbiemrin Osmani dhe në vitin 1975 janë shpërngulur në Talinovc të Ferizajit, Vragoli (Fushë-Kosovë) dhe Prishtinë.
Familja e Bajrë Miftarit së bashku me djemtë: Xhema, Dauti, Hajra dhe Sherifi, të fisit Bytyç janë shpërngulur nga Nishori i Suharekës dhe vendosur në vitin 1936 në fshatin Muzeqinë. Trollin e kanë blerë nga dhëndri i tyre, Ibrahim Krasniqi me prejardhje nga Ngucati. Kjo vëllazëri kanë mbiemrin Bajrami.
Familja e parë Bibaj e fisit Gash nga Jezerci kanë ardhur në vitin 1964 në Muzeqinë, ku i pari i tyre që është vendosur në këtë fshat është Tahir Shaban Bibaj. Mandej, kanë ardhur disa nga djemtë e Sherif Shaban Bibajt. Pas përfundimit të luftës, vendosen në Muzeqinë edhe pjesa tjetër e familjes së Sherifit, meqë në fshatin Jezerc forcat serbe kishin shkatërruar çdo gjë.
Familja e Shaban Qerim Hoxhës nga Bellanica e Malishevës, fisi Thaç janë shpërngulur në Muzeqinë në vitin 1972, ndërsa në vitin 1986 kësaj vëllazërie i janë bashkuar edhe familja e Rrahim Brahim Hoxhës.
Familja e Ramadan Rrahman Ramës nga Topilla, fisi Sopë është shpërngulur në Muzeqinë në vitin 1970.
Familja e Rifat Bafti Sukës, fisi Thaç nga Bllaca e Suharekës ka ardhur në Muzeqinë, në vitin 1971.
Familja e Sylë Ramë Bislimit nga Topilla, fisi Sopë është shpërngulur në vitin 1979 në Muzeqinë.
Vëllezërit Osman dhe Ali Mehmet Ndrecaj, fisi Krasniq nga Maqiteva e Suharekës janë shpërngulur në vitin 1981 në Muzeqinë.
Familja e Isuf Kolgecit nga Vraniqi i Suharekës, fisi Krasniq, kanë ardhur në Muzeqinë në vitet e ’80-ta.
Familja e Kurtish Ali Kurtishit, fisi Sopë kanë ardhur në vitin 1983 nga Ranca në Muzeqinë. Pas Kurtishit në ndërkohë kanë ardhur edhe vëllezërit e tij, Nuhiu, Zeqiri, Mustafa dhe Beqiri. Më vonë kanë ardhur familja e Xhemajl Adem Kurtishit dhe vëllezërit e tij, Ahmeti dhe Zeneli. Familja e fundit e kësaj vëllazërie që është vendosur në këtë fshat është ajo e Ferat Hafir Kurtishit.
Familja e Metush Brahim Hysenit me djemtë: Ahmetin, Xhevdetin dhe Mehmetin, fisi Gash janë shpërngulur në vitin 1992 nga Vojnovci dhe vendosur në Muzeqinë. Kjo familje tashti ka mbiemrin Brahimi. Paraardhësit e kësaj familje janë nga Belinci.
Në fshatin Muzeqinë kanë jetuar edhe familjet serbe: Popoviq, Stoloviq, Jovoviq e Qurkoviq, për të cilat nuk kemi të dhëna për prejardhjen e tyre. Po ashtu, në Muzeqinë ka jetuar edhe familja Bugaroviq, e ardhur në fillim të shekullit të 19-të nga rrethina e Prizrenit dhe një familje serbe tjetër e ardhur në vitin 1919 nga Viça e Shtërpcës. Gjatë vitit 1999, të gjitha familjet serbe janë shpërngulur nga Muzeqina për shkak të dhunës dhe terrorit shtetëror të ushtruar nga Serbia ndaj popullsisë shqiptare.
Nga komuniteti ashkali kanë jetuar në Muzeqinë, familja Nuredini e ardhur rreth vitit 1880 nga fshati Gilancë i Suharekës, familja Rrahmani e ardhur rreth vitit 1905 nga Rashinca, familja Rexhepi, e ardhur rreth vitit 1905 nga Vojnoci, familja Ramadani e ardhur në vitin 1913 nga Lloshkobarja e Ferizajt dhe familja Ibishi e ardhur në vitin 1919 nga fshati Makoc (Prishtinë). Gjatë viteve, të gjitha këto familje janë shpërngulur në vende të ndryshme.
Autor ( Lulzim Sahiti )
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.