Remove ads
From Wikipedia, the free encyclopedia
Ebu Abdullah Muhamed ibn Salih ibn Muhamed ibn Sulejman ibn Abdurrahman El Uthejmini El Uehijbi Et Temimi (Arabisht: أبو عَبد الله مُحَمّد بن صَالِح بن مُحَمَّد بن سُلَيْمَان بن عبد الرَّحْمن العُثَيْمِين الوهيبي التميمي) (9 mars 1929 - 11 janar 2001), gjithashtu i njohur si Ibn Uthejmini, ishte një nga dijetarët saudit më të shquar mysliman të gjysmës së dytë të shekullit 20. Ibn Uthejmini në moshë të re mësoi Kur`anin përmendësh. Ai ka studiuar me një numër të madh dijetarësh të famshëm, prej tyre: Shejh Abdul‐Rrahman es‐Sa’di, Shejh Muhammed esh-Shenkiti dhe Shejkh Abdul‐Aziz ibn Baz. Gjatë karrieres së tij ai u bë i njohur në botë për njohuritë e tij të lartë në fikh (jurisprudencë), gjatë së cilës ai publikoi mbi pesëdhjetë libra mbi këtë temë. Ibn Uthejmini i përket shkollë juridike Hanbelite.
Ibn Uthejmini lindur më 27 Ramazan 1347 hixhri (9 mars 1929), në qytezën e Unejzes, Rajoni Kasim, Arabia Saudite, në një familje të shquar fetare nga fisi Beni Tamim, fis ky me prejardhje nga fisi i Kurejshëve.
Ai mësoi Kuranin Fisnik tek gjyshi i tij nga nëna Abdurrahman ibn Sulejman Ed Damig – Allahu e mëshiroftë – shkrim e lexim dhe aritmetikë. Derisa u fut në njërën prej shkollave fetare, në të cilën mësoi përmendësh Kuranin që në moshë të vogël, dhe bashkë me të edhe disa përmbledhje tekstesh në shkenca të ndryshme si fikhu dhe hadithi.
Në atë kohë, dijetari i madh Shejh Abdurrahman ibn Nasir es Sa’di – Allahu e mëshiroftë – kishte ngarkuar disa prej studentëve të tij më të spikatur me mësimdhënie për nxënësit e vegjël. Prej tyre ishte edhe Shejhu i nderuar Muhamed ibn Abdulaziz El Mutaua – Allahu e mëshiroftë – tek i cili u ul Shejh Uthejmini dhe përfitoi prej tij.
Pasi arriti të merrte një pjesë të mirë të dijes në teuhid, fikh, gramatikë etj, u bashkua me studentët e mëdhenj në mësimet e Shejhut të tij të spikatur Abdurrahman ibn Nasir es Sa’di – Allahu e mëshiroftë – tek i cili mësoi tefsirin, hadithin, teuhidin, fikhun, bazat e fikhut, gramatikën, rregullat e trashëgimisë etj.
Shejh Abdurrahman ibn Nasir es Sa’di – Allahu e mëshiroftë – konsiderohet si shejhu i tij i parë, prej të cilit është ndikuar më shumë, për metodën që ndiqte, për mësimdhënien, pasimin e argumentit etj.
Ai u spikat menjëherë nga Shejhu i vet për zgjuarsinë dhe mprehtësinë që shfaqte në kuptimin e çështjeve, saqë ai e ngarkoi të jepte mësim edhe pse vazhdonte të ishte nxënës i tij.
Ka studiuar rregullat e trashëgimisë tek Shejh Abdurrahman ibnu Ali ibnu Audan – Allahu e mëshiroftë – kur ky i fundit ishte gjykatës në Unejze.
Po ashtu ka studiuar degët e ndryshme të gjuhës si retorikën dhe gramatikën me Shejhun e nderuar Abdurrezak Afifi – Allahu e mëshiroftë.
Pas hapjes së institutit të shkencave në Rijad, disa prej vëllezërve të tij i sugjeruan të shkonte atje për të studiuar, prandaj ai kërkoi mendimin e Shejhut të vet Abdurrahman Es Sa’di, e pasi ai e nxiti për këtë, shkoi dhe filloi studimet në atë institut në vitin 1372 h ku studioi plot dy vjet.
Në këtë institut ai përfitoi prej dijetarëve që ishin në stafin mësimdhënës në atë kohë, si Shejhu i madh Muhamed Emin Esh Shënkiti, Shejh Abdulaziz ibnu Nasir ibn Rreshid dhe Shejh Abdurrahman El Efrijki – Allahu i mëshiroftë të gjithë.
Më pas u lidh me Shejh Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz – Allahu e mëshiroftë – të cilit i lexoi Sahih Buhariun dhe disa prej broshurave të Shejhul Islamit Ibn Tejmijes, e gjithashtu përfitoi prej tij në shkencën e hadithit, në studimin e çështjeve të dijetarëve të fikhut dhe në krahasimin e mendimeve të tyre. Prandaj Shejhu i nderuar Abdulaziz ibnu Abdullah ibn Baz – Allahu e mëshiroftë – konsiderohet shejhu i tij i dytë në përfitimin prej tij.
Pasi përfundoi studimet në institutin e shkencave, ai vazhdoi studimet me korrespondencë dhe u diplomua nga Universiteti Islamik Imam Muhamed Ibn Saud në Riad.
v Filloi mësimdhënien që prej vitit 1370 h në “Xhaminë e madhe” të Unejzes, në kohën e Shejhut të vet Abdurrahman Es Sa’dit dhe pasi mbaroi institutin e shkencave në Rijad u ngarkua si mësues në institutin e shkencave në Unejze, në vitin 1374 h.
v Në vitin 1376 h vdiq Shejhu i tij i nderuar Abdurrahman Es Sa’di – Allahu e mëshiroftë – dhe Shejhut iu ngarkua detyra e imamit në “Xhaminë e madhe” të Unejzes, predikimi (hutbeja) i ditës së xhuma dhe mësimdhënia në “Bibliotekën Kombëtare” të Unejzes e cila ishte nën varësinë e Xhamisë dhe e kishte themeluar atë Shejhu i vet në vitin 1359 h.
v Më pas nxënësit e tij u shtuan shumë, aq sa biblioteka nuk u mjaftonte, prandaj e zhvendosi mësimin në “Xhaminë e madhe” ku u mblodhën rreth tij studentë të shumtë që vinin nga zona të ndryshme brenda Saudisë dhe nga jashtë saj, derisa arritën në qindra. Ata merrnin mësime të rregullta, jo vetëm dëgjim. Kështu vazhdoi duke qenë mësues, imam dhe hatib në xhaminë e tij derisa vdiq, Allahu e mëshiroftë.
v Vazhdoi të ishte mësues në institutin e shkencave në Unejze deri në vitin 1398 h, ku mori pjesë në fund të kësaj periudhe në komisionin e përpilimit të metodave të instituteve të universitetit islamik “Imam Muhamed ibnu Suud” ku edhe shkroi disa prej programeve shkollore.
v Pastaj vazhdoi pa ndërprerë të ishte profesor në njërën prej degëve të universitetit islamik “Imam Muhamed ibnu Suud” në Kasim, për degën e Sheriatit që prej vitit 1398 h derisa vdiq.
v Jepte mësim në Xhaminë e Shenjtë, në Qabe dhe në Xhaminë e Profetit – Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të – gjatë periudhës së haxhit, gjatë muajit të Ramazanit dhe gjatë pushimeve verore.
v Mori pjesë në shumë komisione shkencore brenda Saudisë.
v Jepte leksione fetare brenda Saudisë dhe jashtë saj nëpërmjet telefonit.
v Drejtoi “Qendrën Bamirëse për Mësimin e Kuranit Fisnik” në Unejze që prej themelimit të saj në vitin 1405 h derisa vdiq, Allahu e mëshiroftë.
v Ishte anëtar i “Komisionit të Dijetarëve të Mëdhenj” në Mbretërinë e Arabisë Saudite që prej vitit 1407 h deri në vdekje.
Dhe përveç punëve të tij të shumta dhe përgjegjësive të panumërta, ai ishte shumë i përkushtuar për t’iu bërë dobi njerëzve, me mësime, fetua, zgjidhjen e problemeve të tyre natën dhe ditën, sido që të ishte në udhëtim apo në vendin e vet, kur ishte i shëndetshëm dhe kur ishte i sëmurë, Allahu e mëshiroftë me mëshirë të gjerë!
Ai ndërmerrte takime të dobishme të programuara. Ka pasur takime javore me gjykatësit e Kasimit, me anëtarët e komisionit “Urdhërimi për të Mira dhe Ndalimi nga e Keqja” në Unejze, me hatibat e qytetit të Unejzes, me studentët e tij të mëdhenj, me studentët e konviktit, me anëtarët e qendrës për mësimin e Kuranit Fisnik dhe me përfaqësuesit e institutit të akides të universitetit “Imam” për degën e Kasimit.
Ndërmerrte takime të përgjithshme, siç ishte takimi javor në shtëpinë e tij, takimi mujor në xhaminë që drejtonte, si dhe takimet vjetore që i programonte për jashtë qytetit në të cilin banonte. Prandaj jeta e tij ishte e mbushur me aktivitet dhe punë të begatë, saqë kudo që gjendej ishte i dobishëm, ashtu si shiu i butë që bën dobi kudo që bie.
Ka fituar “Dhuratën vjetore të Mbretit Fejsal për Shërbimin ndaj Islamit” për vitin 1414 h. Komisioni përzgjedhës ka përmendur ndër të tjera edhe shkaqet për të cilat u zgjodh shejhu për të qenë fitues i kësaj dhurate. Ata kanë shënuar si më poshtë :
Ø Stolisja e tij me moralin e lartë të dijetarëve, që spikatet në devotshmërinë, zemërgjerësinë, të folurit me hakun, të punuarit për dobinë e myslimanëve dhe në këshillimin e të veçantëve dhe të përgjithshmëve.
Ø Nga dija e tij, mësimet dhe botimet, ka pasur dobi njerëz të shumtë.
Ø Predikimi i leksioneve të shumta e të dobishme në zona të ndryshme të mbretërisë.
Ø Pjesëmarrja e tij e dobishme në shumë prej simpoziumeve të mëdha shkencore.
Ø Ndjekja e një mënyre të spikatur në thirrjen në rrugën e Allahut të Madhëruar , me urtësi e këshillë të mirë dhe duke na dhënë një shembull të gjallë të menhexhit të selefëve (metodës së të parëve tanë të mirë) në mendim dhe sjellje.
Ai, Allahu e mëshiroftë, posedonte shumë dituri fetare. Gjithë jetën e tij ia kushtoi marrjes së dijes dhe më pas shpërndarjes së saj mes njerëzve. Kapej për argumentin e saktë dhe për arsyetimin e fortë, ashtu siç bënte shumë kujdes që të ishte i lidhur ngushtë me atë çfarë ishin në të selefët e parë në akide, në dije, punë, thirrje dhe moral. Prandaj aktiviteti i tij në dije dhe metoda e tij në daua ishin sipas atij menhexhi të saktë.
Allahu i Madhëruar i kishte dhënë një aftësi të madhe në sjelljen e ajeteve dhe haditheve të shumta për mbështetjen e argumentit dhe nxjerrjen e gjykimeve dhe dobive. Ai në këtë fushë është spikatur me zotësi të madhe, e kjo për shkak të dijes së tij të madhe, mprehtësisë në hulumtime, kuptimit të gjerë dhe njohjes së thellë të gjuhës arabe dhe rregullave të saj.
Ai e shpenzoi kohën në mësimdhënie dhe edukim, në përgjigje për pyetjet fetare dhe kërkime, në hulumtime dhe përzgjedhje, prandaj ai spikatet në shumë prej përzgjedhjeve të tij të mprehta. Nuk kishte lënë për vete kohë që të rehatohej. Kur ai ecte në këmbë për në xhami dhe kthehej po ashtu, njerëzit e rrethonin dhe e shoqëronin duke pyetur për çështjet e tyre dhe duke regjistruar përgjigjet e tij.
Shejhu, Allahu e mëshiroftë, ka pasur një mënyrë mësimdhënie të spikatur. Ai pyeste dhe diskutonte që të mbillte sigurinë në zemrat e nxënësve. Jepte mësime dhe leksione me një ambicie të lartë dhe gjallëri të pashtershme për orë të tëra, pa u lodhur e mërzitur, madje gjente në këtë aktivitet kënaqësi dhe gëzim.
Aktivitetet dhe preokupimet e tij ishin të përqendruara në :
a) Mësimdhënie që prej vitit 1370 h deri në natën e fundit të muajit Ramazan të vitit 1421 h (pra, më shumë se gjysmë shekulli) – Allahu e mëshiroftë me mëshirë të gjerë! Ai jepte mësim në xhaminë e tij në Unejze përditë.
b) Jepte mësim në Xhaminë e Shenjtë, në Qabe dhe në Xhaminë e Profetit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) gjatë periudhës së haxhit, gjatë muajit të Ramazanit dhe gjatë pushimeve verore.
c) Jepte mësim në universitetin islamik “Imam Muhamed ibnu Suud”
d) Jepte mësim me anë të telefonit brenda Mbretërisë dhe jashtë saj nëpërmjet qendrave islame.
e) Shfrytëzonte mjetet e komunikimit si radioja dhe gazetat për mësimdhënie, duke prezantuar vetë ose nëpërmjet audio-kasetave të tij, veçanërisht në emisionin e njohur të radios “Nurun aled derb” (Dritë mbi Shteg).
f) Preokupohej shumë me predikimet, të cilave u kushtonte një pjesë të madhe të mësimeve të tij, e shumë shpesh përsëriste Fjalën e Allahut të Madhëruar “Dhe dijeni se ju do ta takoni Atë (Allahun)” duke thënë: “Betohem në Allahun që sikur zemrat tona të ishin gjallë, kjo Fjalë do të ndikonte shumë në vetët tona”
g) Së fundmi, aktiviteti i tij në dije dhe shërbimi i tij i madh që kreu për njerëzit, gjendet në librat e tij të shumtë, që kanë vlera të mëdha në dije, qofshin ato libra me vëllime, libërtha apo shpjegime, që janë shpërndarë në horizonte, kudo në botë ku ka nxënës dijeje. Numri i librave të tij është më shumë se nëntëdhjetë, pa llogaritur këtu ato thesare të shtrenjta të ruajtura në kaseta, që llogariten me mijëra e mijëra orë mësime e leksione, në të cilat vëren bereqetin që Allahu i ka dhënë këtij dijetari të nderuar në kohën e tij. I lutemi Allahut të Madhëruar që çdo hap që ai ka hedhur në këtë shërbim të madh kundrejt myslimanëve ta vendosë në peshoren e punëve të tij të mira, Ditën e Gjykimit!
Ky dijetar ka qenë shembull i mirë dhe model i veçantë. Dija e tij nuk ishte vetëm leksione dhe mësime që u diktoheshin nxënësve, por ishte një shembull i gjallë në dijen dhe thjeshtësinë, urtësinë dhe asketizmin, moralin dhe punën.
Dallohej në urtësi, durim, seriozitet dhe këmbëngulje në kërkimin e dijes, në programimin e kohës dhe në shfrytëzimin e çdo çasti të jetës. Ai qëndronte larg të shtirurit dhe ishte në kulmin e modestisë, moraleve të larta dhe cilësive të lavdëruara. Ai, me fytyrën e tij të qeshur, ishte i shoqërueshëm me njerëzit dhe ndikonte tek ata duke futur gëzim në zemrat e tyre, Allahu e mëshiroftë.
Ishte i dashur dhe i butë me të rinjtë. Dëgjonte problemet e tyre dhe diskutonte me ta. I orientonte dhe i këshillonte me butësi e urtësi, duke i bindur ata me argumente fetare dhe logjike.
Shejhu ishte shumë i kujdesshëm në zbatimin e sunetit në të gjitha çështjet e tij.
Prej devotshmërisë së tij është edhe siguria e madhe që kishte në përgjigjet që jepte, duke mos u nxituar në fetua para se t’i qartësohej mirë argumenti, prandaj kur në ndonjë çështje shfaqej ndonjë problem, ai thoshte : “Prit derisa të hulumtoj në këtë çështje.”, dhe shprehje të tjera si kjo që tregojnë për devotshmërinë e tij dhe për kujdesin që bënte në sqarimin e çështjeve të fikhut.
Nuk u shterua ambicia e tij në përhapjen e dijes asnjëherë. Derisa edhe në udhëtimin që ndërmori për kurim në Amerikë, gjashtë muaj para vdekjes së tij, programoi një sërë leksionesh në qendrat islame ku u takua me myslimanët amerikanë dhe të tjerë, dhe i këshilloi e i orientoi, si dhe u priu për namazin e xhumasë.
Atë e preokuponin problemet e myslimanëve anembanë botës. Vazhdoi rrugën e tij të mësimit dhe thirrjes edhe pas kthimit të tij nga udhëtimi për kurim. Nuk e pengoi atë rëndimi i sëmundjes që edhe pak ditë para vdekjes, ai të këshillonte dhe udhëzonte njerëzit në Qabe, ku edhe jepte mësim.
Pasi e goditi sëmundja, ai e priti caktimin e Allahut me shpirt të kënaqur, me durim e qetësi. Ai ishte për njerëzit model i lartë dhe shembull i gjallë sesi duhet që besimtari të përballet me sëmundjet e rënda, prandaj e lusim Allahun që kjo gjë t’i ketë ngritur gradat atij tek Allahu i Lartësuar!
Ai, Allahu e mëshiroftë, dëgjonte problemet e njerëzve dhe preokupohej për zgjidhjen e tyre me të gjitha mundësitë. Kishte posaçëruar për këtë punë bamirësie një pjesë kohe të përditshme për pritjen e njerëzve.
Ndihmonte qendrat e bamirësisë dhe të mësimit të Kuranit, madje Allahu i kishte dhënë mirësi dhe sukses për të gjitha rrugët e hajrit, prandaj ai konsiderohej me të drejtë një qendër bamirësie dhe sociale, e kjo është mirësia e Allahut që ia dhuron kujt të dëshirojë.
Shejhu vdiq ditën e mërkurë, 15 Sheual 1421H/10 janar 2001, në moshën 74 vjeçare. Namazi i xhenazes së Shejhut iu fal në Xhaminë e Shenjtë (Qabe), pas namazit të ikindisë, ditën e enjte më 16 Sheual. Mijëra e mijëra besimtarë morën pjesë në namazin e xhenazes dhe në përcjelljen e Shejhut për në varreza. Të nesërmen pas namazit të së premtes, në të gjitha qytetet e Mbretërisë dhe jashtë saj u fal përsëri namazi i xhenazesë për të në mungesë. Shejhu u varros në varrezat Al-Adl në Mekën e nderuar, Allahu e mëshiroftë me mëshirë të gjerë!
Prandaj, për shkak se biografia e këtij Shejhu të nderuar dhe e dijetarëve të tjerë të sinqertë e edukatorë, që kanë ecur në rrugën e të parëve tanë të mirë – Allahu qoftë i kënaqur prej tyre – shërben si shtysë besimi për t’i marrë si shembull, për të ndjekur gjurmët e tyre, e për të përfituar prej dijes që kanë trashëguar, u përpoqëm të sjellim para jush në mënyrë të përmbledhur një përshkrim jetësor të këtij Shejhu të nderuar, Allahu e mëshiroftë!
Shejh ibn Uthejmini ka qenë dijetar i madh, edukator i virtytshëm, shembull i lartë në dije, në asketizëm, në besnikëri, sinqeritet, thjeshtësi, devotshmëri etj.
Ai ishte dijetar i tefsirit, akides, fikhut, historisë profetike, bazave të fikut, gramatikës dhe shkencave të tjera të Sheriatit.
Ai ishte dijetar thirrës i shquar në rrugën e Allahut, prej dijes së të cilit përfituan myslimanët në të gjitha anët e botës islame, saqë zemrat e tyre e deshën, e pranuan dhe dëshmuan për mirësinë dhe gradën e tij të lartë.
Allahu e mëshiroftë me mëshirë të gjerë dhe e bëftë banor të Firdeusit të lartë dhe e bashkoftë me ata që u ka dhënë mirësi të pafundme prej profetëve, besnikëve, dëshmorëve dhe njerëzve të mirë e të devotshëm, e sa shoqëri e mirë është ajo!
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.