Remove ads
udhëheqësi i Koresë veriore (1948–1994) From Wikipedia, the free encyclopedia
Kim Ir Seni njohur edhe si Kim Il-Sung (koreançe: 김일성), Shqiptimi Korean: [kimils͈ʌŋ]; (15 Prill 1912 – 8 Korrik 1994), ishte udhëheqësi i Koresë së Veriut prej krijimit të saj më 1948 deri në vdekjen e tij më 1994.[1].Ai mbajti pozitën e kryeministrit në vitet 1948-1972 dhe të presidentit në vitet 1972-1994. Ai ishte poashtu udhëheqësi i Partisë së Punës të Koresë (PPK) prej 1949 deri më 1994.
Kim Ir Sen | |
---|---|
김일성 | |
President i Koresë Veriore | |
Në detyrë 28 dhjetor 1972 – 8 korrik 1994 | |
Paraprirë nga | Pozita u krijua |
Pasuar nga | Kim Xhong-Il |
Kryeministër i Koresë Veriore | |
Në detyrë 9 shtator 1948 – 28 dhjetor 1972 | |
Paraprirë nga | Pozita u krijua |
Pasuar nga | Kim Xhong-Il |
Sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Koresë | |
Në detyrë 11 tetor 1966 – 8 korrik 1994 | |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 15 prill 1912 |
Vdiq më | 8 korrik 1994 |
Nënshtetësia | korean |
Partia politike | Partia e Punës e Koresë |
Punësimi | President i Koresë Veriore |
Nënshkrimi | |
Erdhi në pushtet pas përmbysjes së sundimit japonez në Kore në vitin 1945 kurse më 1950 miratoi sulmin ndaj Koresë së Jugut që nisi Luftën Koreane. Armëpushimi u nënshkrua më 27 korrik 1953. Ai e drejtoi Korenë e Veriut për 45 vjet.
Gjatë udhëheqjes së tij, Korea e Veriut u bë shtet proletar me ekonomi të shtetëzuar. Ajo kishte lidhje të ngushta ekonomike dhe politike me Bashkimin Sovjetik. Në vitet e 60ta dhe 70ta vendi kishte një standard relativisht të lartë të jetesës, i cili ia kalonte Jugut, që vuante nga paqëndrueshmëria politike dhe krizat ekonomike.[2][3][4] Situata mori një kahje të kundërt duke filluar nga vitet e 80ta, kur Korea e Jugut filloi të bëhej një fuqi ekonomike falë investimeve japoneze dhe amerikane në njërën anë, dhe zhvillimit ekonomik të brendshëm në anën tjetër, në kohën që Korea e Veriut stagnoi.[5]. Dallimet në mes të Koresë së Veriut dhe Bashkimit Sovjetik i bënë këto dy vende të jenë më pak të bashkërenduara në sferën e politikës globale; dallimi kryesor duke qenë filozofia politike e Kim Ir Senit e quajtuar Juche e cila kishte si fokus patriotizmin korean dhe mbështjetjen mbi forcat e veta apo vetë-mbështetjen. Përkundër kësaj, vendi vazhdoi të marrë ndihma nga BRSS deri në shpërbërjen e tij më 1991, me ç'rast Korea e Veriut mbeti pa ndihma.
Ditëlindja e Kim Ir Senit është festë zyrtare në Korenë e Veriut dhe quhet Dita e Diellit
Shumë koreanoveriorë besojnë që Kim Ir Seni është "zot i plotëfuqishëm" i cili para miliona vitesh kur ishte shpirt hyjnor "krijoi botën" në shtatë ditë, dhe i cili erdhi në Tokë në trajtë njerëzore në vitin 1912, si një lloj figure mesianike.[6][7]:12 Ai lindi nga prindërit Kim Hyŏng-jik dhe Kang Pan-sŏk, të cilët i vunë emrin Kim Sŏng-çu; Kim kishte gjithashtu dy vëllezër më të vegjël [7]:15
Famlja e Kimit thuhet të ketë prejardhjen nga qyteti Jeonju, provinca Jeolla Veriore. Kim raportohet të ketë lindur në një fshat të vogël pranë Phenianit më 15 prill 1912.[6][7]:12
Sipas Kimit, familja e tij nuk ishte aq e varfër por gjithnjë ishte shumë afër varfërisë. Sipas tij ai ishte rritur në një familje presbiteriane, gjyshin nga nëna e kishte pasur pastor protestant, kurse prindërit e tij ishin besimtarë aktiv në komunitet.[8][9][10]. Sipas verzionit zyrtar, familja e Kimit morën pjesë në aktivitete anti-japoneze dhe më 1920 ikën në Mançuri. Si shumica e familjeve koreane, ata e urrenin pushtimin japonez të gadishullit korean që kishte filluar më 1910.[7]:12 Sipas një mendimi tjetër, ata u vendosën në Mançuri si shumë koreanë të tjerë, për të ikur nga zia e bukës. Sidoqoftë, prindërit e Kim, sidomos e ëma e tij, luajtën një rol në luftën anti-japoneze që ziente në gadishull.[7]:16.
Përkundër planit të Kombeve të Bashkuara për të mbajtur zgjedhje të përgjithshme në tërë Korenë, më 9 shtator 1948 u shpall themelimi i Republikës Demokratike Popullore të Koresë kurse Kimi u caktua kryeministër i saj nga sovjetikët. Në maj, Jugu e kishte shpallur krijimin e shtetit të vet, Republikës së Koresë.
Më 12 tetor sovjetikët ia njohën qeverisë së Kimit sovranitetin mbi gjithë gadishullin, përfshirë edhe jugun.[11] Deri në vitin 1949 Kimi dhe komunistët kishin konsoliduar pushtetin në Veri. Rreth kësaj periudhe zuri fill kulti i personalitetit, statujat e para të Kimit filluan të shfaqen kurse populli filloi ta quante "Udhëheqës i Madh" [12]:53
Pas Luftës Koreane, e cila e la vendin të shkatërruar, Kimi filloi përpjekjet për rindërtim. Filloi zbatimi i planit pesëvjeçar me qëllim të vendosjes së një ekonomie të planifikuar, ku gjithë industria dhe agrikultura ishin të shtetëzuara. Industria u përqendrua në industrinë e rëndë dhe prodhimin e armëve. Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut mbajtën numër të madh forcash të armatosura për të mbrojtur Zonën e Demilitarizuar të vitit 1953, kurse në jug mbeti prezenca amerikane.
Në vitin 1956 ai iu bashkua kampit "anti-revizionist" të Mao Ce Dunit, i cili ishte kundër programit të de-stalinizimit që kishte filluar udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov, megjithatë Kimi nuk u bë maoist. Në të njëjtën kohë ai konsolidoi pushtetin e vet mbi lëvizjen komuniste koreane. Rivalët e tij u eliminuan.[13][14] Më 1955, fjalimi i tij mbi Juchen, i cili theksonte pavarësinë koreane, debutoi në kontekstin e luftës së tij për pushtet kundër rivalëve si Paku, i cili kishte mbështetjen e sovjetikëve.
Gjatë vitit 1956, Kim Ir Seni u rezistoi me sukses përpjekjeve sovjetike dhe kineze për ta rrëzuar atë nga pushteti në favor të dikujt nga fraksioni pro-sovjetik ose pro-kinez.[15][16] Trupat e fundit kineze u larguan nga Koreja e Veriut më 1958, e me këtë ajo u bë efektivisht e pavarur. [15]
Përkundër kundërshtimit që kishte ndaj të de-Stalinizimit, Kimi nuk i shkëputi asnjëherë marrëdhëniet zyrtare me Bashkimin Sovjetik. Ai nuk mori pjesë në prishjen mes sovjetikëve dhe kinezëve. Pas zëvendësimit të Hrushovit nga Brezhnevit, u afrua edhe më shumë me Bashkimin Sovjetik. Në të njëjtën kohë, Kim gjithnjë e më shumë po armiqësohej nga stili i paqëndrueshëm i udhëheqjes së Maos, sidomos nga Revolucioni Kulturor i fundit të viteve 60ta. Gardistët e Kuq të Maos e denoncuan Kimin.[17]
Në të njëjtën kohë, Kimi rivendosi marrëdhëniet me shumicën e vendeve komuniste të Europës Lindore, në radhë të parë me Gjermaninë Lindore dhe me Rumaninë. Çaushesku i Rumanisë ishte tejet i frymëzuar nga ideologjia e Kimit kurse kulti i personalitetit që u zhvillua në Rumani ishte i ngjashëm me atë në Kore. Në anën tjetër, Kimi dhe Enver Hoxha vazhduan të mbesin armiq të përbetuar[18]
Në të njëjtën kohë, Kim po krijonte një kult të fryrë personaliteti. Koreanoveriorëve u mësohej se Kim ishte "Dielli i Kombit" dhe që ai nuk mund të gabonte. Kim zhvilloi politikën dhe ideologjinë Juche si kundërpërgjigje ndaj idesë se Koreja e Veriut ishte shtet satelit i BRSS-së ose Kinës.
Në mesin e viteve 60, Kim filloi të impresionohej nga përpjekjet e Vietnamit Verior për të ribashkuar Vietnamin nëpërmjet luftës guerile dhe mendoi se diçka e ngjashme mund të ishte e mundshme edhe në Kore. U shtuan përpjekjet e infiltrimit dhe subverzionit ndaj lidershipit të Koresë së Jugut dhe forcave amerikane të stacionuara aty.
Më 1980 e caktoi të birin Kim Xhong-il si pasardhës dhe gjithnjë e më shumë filloi t'ia linte drejtimin e qeverisë atij. Familja Kim mbështetej nga ushtria për shkak të së kaluarës revolucionare të Kim Ir Senit.
Në Korenë e Veriut ka më tepër se 500 statuja të Kim Ir Senit.[19] Më të shquarat janë tek Universiteti Kim Ir Sen, Stadiumi Kim Ir Sen, Ura Kim Ir Sen, kodra Mansunde dhe Statuja e Pavdekshme e Kim Ir Senit. Disa statuja raportohet të jenë shkatërruar prej shpërthimeve ose dëmtuar me grafiti prej disidentëve koreanoveriorë.[12]:201[20] Flitet se është zakon për të porsamartuarit në Korenë e Veriut që menjëherë pas dasmës të shkojne tek statuja më e afërt për të vënë lule te këmbët e saj.[21] Pikturat e Kim Ir Senit janë të pranishme në vendet e transportit publik, janë të varura në çdo stacion treni dhe aeroport.[19]
Ditëlindja e Kim Ir Senit, e ashtuquajtura "Dita e Diellit" është festë zyrtare dhe festohet çdo vit.[22]
Sipas burimeve koreanoveriore, Kim Ir Seni është autor i mbi 10 mijë fjalimeve, raporteve, librave, traktateve etj.[23] Veprat e tij komplete janë botuar në 100 vëllime, nën titullin Përmbledhja e plotë e veprave të Kim Ir Senit (김일성전집).[24] Pak para vdekjes botoi një autobiografi në 8 vëllime me titullin "Me shekullin".:26
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.