Ibrahim Madhi lindi më 25 nëntor të vitit 1945. Është një ndër figurat më të rëndësishme të muzikës dhe artit të interpretimit Shqiptar. I njohur për formimin dhe muzikalitetin e tij madhështor, muzikanti i shquar ka dhënë një kontribut të çmuar në formatimin e shkollës kombtare të interpretimit muzikor. Për meritat dhe kontributin e tij të veçantë, ai gëzoi titullin më të lartë të artit në Shqipëri: “Artist i Popullit”.
Emri i tij lidhet jo vetëm me të qenurit një solist brilant, por në të njëjtën kohë edhe një drejtues i përkryer i grupeve të muzikës së dhomës dhe orkestrsës së harqeve. Brohoritja për shkollën Shqiptare të interpretimit violinistik, nuk mund të kuptohet pa emrin e Ibrahim Madhit si një ndër figurat qëndrore të kësaj shkolle. Ndarë nga jeta më 4 shkurt 2014.
Violinisti i shquar u lind në Tirane më 1945. Pasi mbaron ciklin e plotë të studimeve në Liceun Artistik “J.Misja” Tiranë në 1963, diplomohet në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në 1968 me rezultate te shkëlqyera. Në vazhdim (1973) ai i kompleton studimet e tij violinistike me një specializim pasuniversitar pranë konservatorit “San Pietro a Maiella” në Napoli (Itali).
Fillimet e aktivitetit të tij pedagogjik i përkasin vitit 1962, më parë si mësues i klasës së violinës në Liceun Artistik “J. Misja” dhe më pas, në 1965, prane I.L.Arteve. Për më shumë se 40-vjet karrierë pedagogjike, ai ka pregatitur breza të tërë violinistësh e muzikantësh të spikatur.
Që në moshë të re dallohet për prirje të veçanta solistike, por kur në vitin 1962, violinisti 16-vjeçar interpretoi plot siguri e autoritet koncertin e Mendelssohn-it, i shoqëruar nga Orkestra Simfonike e RTV Shqiptar nën drejtimin e dirigjentit Mustafa Krantja, skena do të ishte sfida më e madhe e tij. Në vijim shume vepra të tjera kapitale të repertorit violinistik do të merrnin jetë nga talenti i mjeshtrit Madhi, në bashkëpunimet e tij me të gjitha orkestrat kryesore shqiptare (Orkestra Simfonike e RTV Shqiptar, Orkestra Simfonike e Teatrit të Operas dhe Baletit, Orkestra Simfonike e I.L.Arteve, Ansambli i Shtetit, Orkestra e Harqeve të I.L.Arteve etj) si dhe me pianistët e shquar M.Kristidhi, A.Tartari etj.
Violinisti i tingullit të bukur, elegant dhe shprehës, ka treguar individualitetin e tij të spikatur artistik në skenat e Shqipërise, Kosovës, Turqisë, Rumanisë, Kinës, Greqisë, Italisë, Austisë, Francës, Gjermanisë, Zvicrës etj. duke marrë vlerësime dhe duartokitje të gjata.
Është themelues dhe antar i trios së I.L.Arteve si dhe i Orkestrës së mirënjohur të Harqeve të këtij institucioni, duke ndihmuar dhe dhëne një kontribur direkt në formimin e traditës së lojës në këto ansamble që u bënë të mirënjohura për publikun.
Me përgjegjësi dhe kualitet të lartë artistik ka interpretuar pothuajse të gjithë repertorin violinistik shqiptar, duke i bërë premierën shumicës së tyre. Ai ka shumë or inçizime e regjistrime në studio apo direkt nga sallat e koncerteve me Radio Tiranën, Televizionin Shqiptar, Radio Prishtinën, Radion e Pekinit (Kinë), Radion e Gracit (Austri) etj., të cilat vazhdojnë të jenë në transmetim.