From Wikipedia, the free encyclopedia
Diomedi (greqisht: Διομήδης Latin: Diomedes) - i biri i Tideut, kreshnikut kalidonas dhe gruas së tij Deipilës, mbret në Arg.
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. Ju lutemi ndihmoni edhe ju në përmirësimin e këtij artikulli.
|
Para së gjithash e njohim nga lufta e Trojës, në të cilën u dallua si njëri prej luftëtarëve akeas më trima, më të fortë dhe më të suksesshëm. Kurrë nuk paraqitej si frikacak e as që është tërhequr nga beteja. Nuk u frikësohej as magjive e zotërave dhe ka besuar në mënyrë të vendasur në fundin ngadhënjimtar të luftës, Trim i njëjtë, si në fushëbetejë, është treguar edhe në kundërvënie me eprorët, ballë për ballë me Agamemnonin, kryekomandantin e ushtrisë akease, kur propozimet e tij nuk i ka konsideruar si të mira dhe të arsyeshme. Mirëpo, urdhrat i ka përfillur pa mëdyshje dhe vullnetarisht paraqitej për kryerjen e detyrave më të rënda. Ishte vërtet trim pa frikë dhe pa të meta dhe sipas normave tona, ndoshta, edhe më simpatiku prej të gjithë komandantëve akeas nën Trojë.
Luftën e vet të parë e përjetoi që në kohën e të ashtuquajturës ekspeditë e epigoneve kundër Tebës, në të cilën ka marrë pjesë me thirrjen e Adrastit, mbretit të Argut për ta marrë gjakun e babait të vet, i cili vritet në luftën fatkeqe "të shtatët kundër Tebës". Nën Trojë e ka sjellë njërën prej ushtrive më të fuqishme, marina e tij numëronte tetëdhjetë anije dhe me numër e tejkaloi vetëm marina e kryekomandantit Agamemnon, e cila përbëhej prej njëqind anijesh dhe e Nestorit, mbretit të Pilosit i cili ka sjellë nëntëdhjetë sosh.
Veprave trimërore të Diomedit Homeri ia ka kushtuar tërë këngën V të Iliadës. Mirëpo, emrin dhe sukseset e tij i përmend edhe në shumë vende të tjera. Në dyluftime të pavarura Diomedi i vret dhjetë luftëtarë të dalluar trojanë, në mesin e tyre edhe Pandarin, aleatin trojan, i cili e shkeli marrëveshjen solemne të armëpushimit në mes akeasve dhe trojanëve në vitin e dhjetë të luftës. Nuk i ka munguar guximi për ta sulmuar edhe vetë Hektorin, kryekomandantin e ushtrive trojane, dhe Zeusi, zoti suprem, i cili e mbronte Hektorin, ka qenë i detyruar që ,me dritën e vetëtimës ta detyrojë që mos ta sulmojë më. Kur në fushëbetejë paraqitet Afrodita, hyjnesha e dashurisë, për ta shpëtuar Enenë, udhëheqësin e dardanëve, të cilin Diomedi më parë e kishte plagosur, nuk është hamendur për ta sulmuar me shigjetë dhe ta detyrojë të ikë. Mori guxim të sulmojë edhe vetë zotin e luftës, Aresin dhe ta plagosë me ndihmën e hyjneshës Athena, ashtu që Aresi nga dhembjet uluriti sa dhjetë mijë burra dhe iku nga fushëbeteja. Kur ushtria ekease qe e detyruar të tërhiqet për shkak të presionit të fuqishëm të trojanëve, në mënyrë të vetëmohueshme e mbronte zmbrapsjen e shokëve të vet me qëllim që t'ua mundësojë rregullimin që të sulmojnë sërish.
Nuk ka pasur detyrë para të cilës Diomedi është tërhequr. Ndër të parët u çua kur Hektori e thërret në dyluftim kreshnikun më të guximshëm të akeasve. I pari u paraqit për aksionin e rrezikshëm që natën ta spiunojë kampin e trojanëve. Me Odiseun, mbretin e Itakes, në këtë detyrë i vret Dolonin, spiunin trojan dhe Resin, aleatin trojan. Me Odiseun e kryen veprën trimërore, e cila ka qenë vendimtare për mbarimin ngadhënjimtarë të luftës: i veshur në lecka, dhe duke u paraqitur si i gjymtë pa u vënë re hyn në Trojë, depërton në tempullin kryesor dhe ia mundëson Odiseut që nga ky ta rrëmbejnë truporen e konsakruar të Palada Athenës, paladin e famshëm, i cili e mbronte Trojën nga shkatërrimi. Ishte poashtu në mesin e luftëtarëve të zgjedhur të cilët, fshehur në barkun e "kalit trojan", hynë brenda mureve të qytetit dhe e pushtuan qytetin e Priamit.
Diomedi në betejat për Trojën ka qenë njësoj i guximshëm si në fushëbetejë ashtu edhe në këshillin luftarak. Në rend të parë ngritej kundër mosmarrëveshjeve dhe grindjeve të mbretërve akeas, sepse siç thoshte, prej grindjes në mes miqve ka dobi vetëm armiku. Iu kundërvu propozimit të Agamemnonit që t'i dërgohet delegacioni Akilit të zemëruar me qëllim që të zbutet hidhërimi i tij, kur Akili refuzon të marrë pjesë në luftë. Negociatave diplomatike, si edhe magjive dhe profecive nuk u jipte rëndësi të madhe. Deviza e tij ishte: "para së gjithash duhet luftuar trimërisht, përherë në rreshtin e parë". Kur, pas zmbrapjes së ushtrisë akease, Agamemnonin e kaploi frika dhe kur filloi të mendojë që të heqë dorë nga rrethimi i mëtejshëm i Trojës, Diomedi haptas e quajti frikacak dhe i tha që me tërë ushtrinë të kthehej në shtëpi: " Shko, rrugën e ke të hapur dhe pranë detit i ,ke anijet, por këtu do të mbesin akeasit e tjerë flokëgjatë, por këtu do të mbes unë dhe Steneli, derisa qytetit nuk ia gjejmë fundin sepse me zotin arritëm këtu".
Siç dihet Agamemnoni dhe akeasit e tjerë nuk ikën, ndërsa ata të cilët nuk ranë në betejë e përjetuan, rënien e Trojës dhe panë tymin se si gjarpron lart mbi gërmadhat e saj. Diomedi me ushtrinë ngadhënjimtare me fat kthehet në atdhe. Por aty nuk qëndroi gjatë : të paktën sipas miteve pashomerike, e braktis Argun për shkak të gruas së vet të pabesë Egialisë dhe kalon në Itali. Aty gjen strehim në tokën e mbretit Daun (në Apulinë Veriore) dhe martohet me bijën e tij. E themelon qytetin Argiripa, Arpin e mëvonshëm. Për herë të fundit ndeshemi me Diomedin në Eneidën e Vergjilit. Kur mbreti i latinëve e dërgon tek ai delegacionin me lutje për ndihmë në luftë kundër Enesë i cili me trojanët e arratisur arrin në Itali e refuzon energjikisht. Trimi i famshëm e njohu kotësinë e luftës dhe i mësuar me vshtirësitë të cilat në mënyrë të kobshme i përcjellin si të mundurit ashtu edhe ngadhënjimtarët, me mençuri u përgjegji : "Shtrëngoni duart tuaja të djathta dhe vendosni paqen tani, derisa ka kohë për këtë - ndalonu armëve tuaja që kot të ndeshen me ta".
Përveç këtij, nga mitet dimë edhe për një Diomed tjetër më pak të rëndësishëm. Ishte mbreti i bistonëve në Traki dhe u takonin kuajt që ushqeheshin me mish njeriu. Me urdhrin e Euristeut, mbretit të Mikenës, ia rrëmbeu Herakli. Në përpjekje për ta penguar Diomedi bie në dyluftim nga dora e Heraklit.
Me Diomedin nga Argu ndeshemi në shumë vasa të pikturuara nga shek. VI-V para e.s. Me pamjen Dyluftimi i Diomedit me Enenë janë ruajtur shtatë, ndërsa tetë me pamjen Odiseu dhe Diomedi me Dolonin, dhjetë Odiseu dhe Diomedi me paladin etj. Prej skulpturave antike me figurën e tij më e njohura është kopja romake e origjinalit grek e shek. V para e.s. në Luvër të Parisit. Ekzistojnë relativisht pak figura të tij në pikturat e kohës së re. Mirëpo, në Galerinë e Moravskës në Bërno gjendet piktura e J.A.D. Ingresit që paraqet Diomedin duke e plagosur Afroditën. Është interesant që Diomedi nuk u bë hero kryesor i asnjë romani të rëndësishëm antik dhe atij modern. Shkaku i kësaj qëndron, ndoshta, në natyrën e tij të thjeshtë. Mirëpo, ai jeton në të gjitha veprat me tematikë nga lufta e Trojës, para së gjithash në lliadën dhe Odisenë e Homerit dhe si figurë episodike poashtu edhe në Eneidën e Vergjilit. Ndërkaq, emri i tij paraqitet në shumë mbishkrime antike si emër personal mashkullor, ndër të tjera edhe në regjistrimin e popullsisë së Ilionit të ri nga dhjetëvjetëshi i fundit para e.s., të cilin Heinrich Schlimann (Hajnrih Shlimani) e ka gjetur me rastin e gërmimeve arkeologjike në Trojë.
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.