Remove ads

Adem Hasan Selimi (Gllavica) (Gllavicë 14 shtator 1916- Perth, 4 shkurt 2001) ka lindur në fshatin Gllavicë të komunës së Lipjanit më 14 shtator 1916.

Ai ishte fëmi i vetëm i Hasanit dhe i Fatimes. I ati u vra gjatë Luftës së Parë, diku në Maqedoni, kur Ademi ishte 9 muajsh, ndërsa Fatimja, u detyrua, pas disa vitesh, të kthehej në gjini, duke e lënë të birin në familjen e axhës së tij, Hysen (Selimi), që kishte djem Selimin dhe Beqirin. Shkollën fillore ai e kreu në fshatin Llugaxhi ndërsa të mesmen në Shkup, në “Medresenë e Madhe të Kral Aleksandrit". Studimet e larta i vijoi në Zagreb, në Fakultetin e Agronomisë, ku u laurua në vitin 1943.

Të dhënat personale
Lindi më: 14 shtator 1916
Lindi në: Gllavicë, Lipjan Kosovë
Vdiq më: 4 shkurt 2001
Vdiq në: Perth, Australi
Kombësia: Shqiptare
Profesioni: Agronom
Fëmijë 3

Gjatë periudhës 1941 - 1944 ai shërbeu disa muaj si nënprefekt në Ferizaj, pastaj si mësimdhënës në “Normalen “ e Prishtinës, si drejtor i “Fermës Bujqësore “ në Fushë - Kosovë, si Inspektor për Bujqësinë në Komunën e Prishtinës. Pas krijimit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në vjeshtë 1943, Ademi u zotua në Lëvizjen për mbrojtjen e kufijvë etnikë të Kosovës, si kryetar i “Komitetit të Rinisë Nacionaliste “ e më pas, në vjeshtë të 1944, si komandant i “Shtabit Epror për Mbrojtjen e Kosovës “.

Në verë të vitit 1944, Ademi u martua me mësuesen Vezire Gjeraku, nga Sllatina e Prishtinës.

Pas hyrjes së forcave komuniste në Prishtinë, Ademi e vijoi luftën e rezistencës në mal, së bashku me mijëra bashkëluftëtarë të tjerë, deri në vjeshtë 1945. Në gusht 1945, pasi kishin kaluar dhjetë muaj të ripushtimit sllavokomunist të Kosovës, Ademi shkruan një Thirrje (Proklamatë), që u shtyp në Shkup dhe u shpërnda në Kosovë. Në këtë Thirrje analizohet gjendja politike, tradhëtia e madhe që u bë në Prizren nga bashkëpunëtorët shqiptarë të pushtetit sllavokomunist, në korrik 1945 kur u vendos që Kosova t'i bashkangjitej Serbisë, mashtrimet e tjera të pushtetarëve sllavë e komunistë, masakrat ndaj shqiptarëve, përshi edhe atë të Tivarit, si dhe jepen mendime për të ardhmen. Aty shpaloset edhe qendrimi i nacionalistëve shqiptarë që luftonin për liri: “Ne nuk jemi kundër asnjë ideologjie, por as që përkrahim ndonjë ideologji. Ideologjia jonë është lufta për ekzistencën e popullit shqiptar. Jeta jonë dhe ekzistenca jonë mund të jenë të sigurta vetëm në një shtet shqiptar, që do të përfshijë kufijtë e tokave shqiptare “.

Në këtë kohë u muar vendimi për ta lëshuar Kosovën dhe për ta dalë, me luftë, në Greqi, ku atë dhe intelektualë të tjerë si Ibrahim Kelmendi, Luan Gashi etj, i mbajtën në kampet politike deri në qershor 1951. Pastaj Ademi kaloi në Gjermaninë Perëndimore, për dy vjet. Në pamundësi për t'u ribashkuar me bashkëshorten, ai mori udhën e mërgimit në Australi, ku krijoi një familje të re.

Pas dy vitesh qendrimi në një kamp emigrantësh në Bonegilla, Ademi arriti të punësohet si specialist në fushat e linit të Ballaratit dhe më vonë në një institut shkencor për pemëtarinë në Tatura të shtetit Victoria. Derisa  doli në pension në vitin 1982, Ademi zhvilloi një veprimtari të pasur kërkimore dhe eksperimentale për pomologjinë në fushat e luginës së Melbournit, ku punonin edhe shumë shqiptarë të qytezës së Sheppertonit. Rezultatet e kësaj pune u pasqyruan në shumë revista prestigjioze të Australisë dhe vendeve të tjera. Shumica e kumtesave të tij janë përmbledhur në librin në dy gjuhë (shqip dhe anglisht) "Punime Shkencore" (Eksperimente në frutikulturë), përgatitur nga i biri, Bardhyli, në vitin 2005. Ademi e ka përfaqësuar Bashkimin Australian në shumë kongrese ndërkombëtare shkencore. Pjesëmarrja e fundit ka qenë në Hamburg (Gjermani) më 30 gusht 1982 me ligjëratën " Response of golden queen peach". Ja disa kumtesa që kanë pasë kërkesa për ribotim në revista jashtë Australisë":

Nr. Rendor Artikulli Botuar në Nr . i kërkesave
1 Effect of rootstock of oriental origin on pears under irrigation in the 1970 "Australian Journal od Experimental Agriculture and Animal Husbandry", vol 10 6
2 "Effects  of Pollen Exclusion by Bagging limbs or Caging trees on Packham’s Triumph pears. "Australian Journal of Experimental Agriculture and Animal Husbandry", Vol.11 shtator 1971 7
3 "Effect of distance from William's pollinator on production of Packham’s Triumph pears in the " "Australian Journal of Experimental Agriculture and Animal Husbandry", Vol.9 8
4 "Effect of blossom thinning on fruit density, fruit size and seed count of William's Bon Chretien and Packham’s Triumph pears" "Australian Journal of Experimental Agriculture and Animal Husbandry", Vol.13 6
5 "Effect of 2,4,5 trichlorophenoxyproprionic and on setting and cropping of under conditions" "Australian Journal of Experimental Agriculture and Animal Husbandry", Vol.10 8
6 "Better fruit set for pears" "Victorian Horticultural Digest" 1
7 "A long term rootstock for trial for pears under irrigation in the " "Australian Journal of Experimental Agriculture and Animal Husbandry", Vol.7 1
8 "Effects of liming on soil pH and manganese toxity in pear archard" "Australian Journal of Experimental Agriculture and Animal Husbandry", Vol.12 janar 1972 11
9 "Effects of soil management pollination and nitrogen fertilizers on 's pear trees" "Australian Journal of Experimental Agriculture and Animal Husbandry", Vol.9 6
10 "Rootstocks for pears in the " "Victorian Horticultural Digest", vol.10 2
11 "Thinning golden queen peaches with chemicals" "Australian Journal of Experimental Agriculture and Animal Husbandry", Vol.38 nr 3 shkurt 1972 3
12 "Response of golden queen peach.." Fjalimi në Kongresin e 21 Ndërkombëtar të hortikulturës më 30 gusht 1982 1

Ndonëse nuk qe antar i asnjë partie politike të emigracionit, Ademi mbante lidhje me korrespondencë dhe i takonte shokët e tij të luftës gjatë vizitave në Evropë e gjetkë dhe shkëmbente me ta mendime për të ardhmen e Kosovës. Veçanërisht aktiv ai ka qenë gjatë viteve 1990, kur ndiqte në dinamizëm zhvillimet në Kosovë dhe parashihte shkatërrimin e federatës jugosllave. Të rinjtë që i takonte në Tiranë i udhëzonte se "lufta guerilje është forma më e mundëshme në kushtet e Kosovës". Në vitin 1999 u takua shpesh më refugjatë nga Kosova në Perth të Australisë si dhe me gazetarë, me të cilët diskutonte për aktualitetin.

Në Kosovë ai nuk mundi të kthehet asnjëherë. Ndërsa në Shqipëri erdhi dy herë, në shtator 1991 dhe gusht 1994. Gjatë kësaj periudhe shkroi kujtimet e veta të luftës në gazetën "Rilindja" që botohej në Tiranë e Zvicër, të cilat dolën më të plota në një monografi të shkruar nga z. Gani Ratkoceri më 2002 dhe nga i biri, Bardhyli më 2016. Me këtë rast, më 1994, i shoqëruar nga i biri dhe reja, Ademi shkoi edhe në Shkup te të afërmit e kushërinjtë e ardhur posaçërisht për të nga Kosova.

Në vitin 1994 Ademi dekorohet nga presidenti i Shqipërisë Z. Sali Berisha për kontributin e dhënë në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa në vitin 2012 presidentja e Kosovës, Znj. Atifete Jahjaga e dekoroi atë me "Urdhërin e Lirisë".

Që nga viti 1998, Ademi pati probleme serioze me shëndetin. Ndërroi jetë më 4 shkurt 2001, pa mundur të vinte dot sërish në Shqipëri e Kosovë. Hiri i trupit të tij të djegur ruhet sot në një varrezë në Muenchen.

Remove ads

Burimi i të dhënave

1.     Gani Ratkoceri: Adem Selimi, monografi, Tiranë 2002

2.     Ing. Adem Selimi (Gllavica: Punime shkencore, Tiranë 2005

3.     Sulltane Ukaj- Kojçini: Proklamata e Adem Gllavicës, "Bota Sot", fejton

4.     Akademik Idriz Ajeti: Fjala e mbajtur me rastin e ngritjes së bustit të Adem Selimit në shkollën teknike Lipjan, 2004

5.     Bardhyl Selimi: Adem Gllavica (Selimi) tregon, Tiranë 2016

Teksti i plotë i Proklamatës së Adem Gllavicës

Vëllezër kosovarë, ju drejtohemi sot, ne vëllezërit tuaj nga malet e lira të Kosovës. Kaluan dhjetë muaj në pritje të armatosur, kemi pritur me durim dhe kur është ndier nevoja kemi luftuar. Gjatë kësaj kohe i kemi hetue dy veprime dhe masa të çlirimtarëve dy arshinë. Ne, këto dy arshinë, i kemi ditur që në fillim dhe për këtë kemi shfaqur mendimin tonë për premtimet e tyre boshe, duke pritur që edhe të tjerët të binden. Tani edhe më naivët edhe simpatizantët e “çlirimtarëve” e kanë të qartë se si qëndrojnë punët. Tash e kanë kuptuar realitetin e hidhur dhe tradhëtinë e madhe që i është përgatitur popullit qysh gjatë Luftës së Dytë Botërore nga internacionalistët jugosllavë.

Neve nuk na habisin qëndrimet e serbëve dhe të malazezëve. Ata janë të njëjtit që tradhëtuan më 1878, më 1912, më 1918 dhe këta të fundit janë bijtë e tyre, që janë më të moderuar për të përgatitur lojëra dhe janë të tillë që përgatisin “planet e dreqit”.

Këtë ne nuk po e themi pa fakte por po na çudit qëndrimi i disa shqiptarëve. Ata janë shndërruar në armë të verbër për interesa të huaja dhe e kanë okupuar dhe varfëruar deri në lëkurë popullin e vet shumë të përvuajtur. Popullit ja kanë marrë të gjitha dhe asgjë nuk i kanë dhënë, fakt i madh i barazisë dhe i lirisë së popullit për të cilat fraza kanë trumbetuar kaq vite.

Pas luftës në mënyrë sistematike që dhjetë muaj i rekrutojnë të rinjtë dhe i dërgojnë jashtë Kosove më shumë se 70 mijë shqiptarë, pjesa më vitale e kombit. Në brigadën e 7 kosovare u mashtruan dhe u inkuadruan rreth 20 000 shqiptarë. Të gjithë këta u futën në brigadë për çlirimin e Kosovës nga se u thanë se do të mbesin në Kosovë dhe do të luftojnë për çlirimin e saj. Pas disa ditësh, të paarmatousr i dërguan në Banat. Sot janë të sistemuar në shumë brigada anembanë Jugosllavisë, të vrarë e të masakruar, të cilëve nuk u dihet as varri.

Më vonë është bërë edhe një mashtrim tjetër duke tentuar që në mënyrë vullnetare të tubojnë ushtarë. . Por vullnetarisht askush nuk u shkoi. Atëhere e menduan formën tjetër të mashtrimit, u thanë se këta ushtarë do të shkojnë të shërbejnë në Shqipëri, se po i kërkon Enver Hoxha. E preku në tel shqiptarin. Kosovarët e pafat, të gatshëm të flijohen për Shqipëri u futën nëpër brigada partizane. Por tradhëtia jugosllave nuk vonoi. I çarmatosën dhe i futën nëpër kazermat e Prizerenit, që të mbushura me shqiptarë u kthyen në kampe përqëndrimi më të rënda se ato të fashizmit. Pas disa ditësh, të rinjtë shqiptarë i sistemuan në grupe të ndryshme “reaksionare” dhe “elemente fashistë”. Shumica e tyre të zhveshur e të zbathur fituan sëmundjen e tuberkulozit duke qëndruar nëpër barakat e ftohta të kazermave. Pjesën tjetër e çarmatosën pa rrobe, të zhveshur e të zbathur nën përcjelljen e malazezëve të armatosur e nisën për në Shkodër.

Të kaplon tmerri kur i shikon këta të rinj shqiptarë, që nën tytën e pushkës së malazezëve të armatosur i nisën për në Shkodër. Më të fortit kundërshtuan dhe tentuan të iknin, por ranë pa shpirt, u qëlluan nga malazezët e armatosur. Rruga Prizeren –Shkodër ato ditë i ka përngja kasaphanes.

Disa më të fuqishmit arritën t’i çarmatosin rojat dhe t’ja mësyjnë maleve. Ata që arritën të iknin na njoftuan për kasaphanën dhe sot janë pjesëtarë të batalioneve tona. Nga ata u njoftuam për tragjedinë e shqiptarëve të rinj e të paarmatosur nga mjeshtritë e partizanëve. Kjo ndodhi atë ditë kur Haki Taha në Prishtinë vrau tradhëtarin më të madh të popullit shqiptar, malazezin Miladin Popoviç.

Kjo nuk mbeti me kaq. Forcat malazeze të egërsuara jashtë mase vranë 3000 shqiptarë duarthatë. Kjo masakër do të zgjaste po mos të kishin qënë familjet nga Tivari, që e penguan atë të bëhej edhe më e madhe derisa të ishte vrarë shqiptari i fundit..

Populli shqiptar në Kosovë përbën 85 % të popullsisë e vende- vende 100 %. Gjuhë zyrtare në Kosovë është gjuha serbe, ajo e 15 përqindëshit të popullsisë. Kjo mund të quhet barazi?!

Ne e kemi alfabetin tonë shumë të bukur dhe fare nuk na duhet cirilika sllave. Kjo nuk po ndodh në Slloveni, Kroaci dhe as në Maqedoni. Ne mendojmë se futja e cirilikës në Kosovë është e qëllimshme.

Për 10 muaj të “lirisë” së premtuar nga komunistët jugosllavë janë vrarë e pushkatuar 35 000 shqiptarë, emrat e të cilëve dhe vendi i vrasjeve tashmë u janë njohur të gjithëve. Këto janë metodat e Pushtetit Popullor për “liri të popullit”.

Ka edhe raste të tjera të tmerrshme që populli ynë nuk i ka ditur. I thërrasin romët që t’u bien daulleve para burgjeve serbe, derisa brënda qelive në mënyrën më çnjerëzore keqtrajtoheshin shqiptarët e pafajshëm, tortura këto që të çmëndnin si futja e bajonetave në trup, këputja e pjesëve të trupit me dana, thyerja e eshtrave e shumë tortura të tjera. Krejt kjo bëhet që të mos dëgjohet ulurima e shqiptarëve nga dhëmbjet e shkaktuara.

Plaçkitjet që partizanët ia bënë popullit shqiptar për ta varfëruar skajshmërisht, që të rrezikohen edhe me vdekje për shkak të urisë, nuk janë të rralla, Shqiptarëve iu digjen edhe shtëpitë, duke i arsyetuar veprimet e tyre, duke i cilësuar ata si “reaksionarë fashistë”.

Çfarë ironie!.. Të njëjtët partizanë që plaçkitën dhe djegin çdo gjë, tash vijnë shtëpi për shtëpi dhe regjistrojnë dëmet e bëra nga vetë ata dhe mundohen t’i bindin gratë tona se këto dëmë i kanë bërë gjermanët, pasi që burrat shqiptarë janë nëpër male.

Populli shqiptar i shumëvuajtur nga regjimet serbe të mëparshme me gëzim priti “lirinë”, atë liri e barazi të premtuar gjatë luftës. Por përjetoi zullum, plaçkitje e vrasje, që sot e din e tërë bota.

Për “lirinë” e dhuruar nga Pushteti Popullor është njoftuar i tërë populli shqiptar. Prej shumë premtimeve, që u dhanë gjatë luftës, për vetëvendosje asgjë nuk është realizuar. Na mashtruan, ngase ky popull i lodhur e i stërlodhur nga shumë regjime okupuese u besoi premtimeve komuniste. Kur u hetua tradhëtia, ne veç ishim të armatosur dhe bijtë tanë më të mirë i internuan dhe i degdisën nëpër skajet e Jugosllavisë.

Ne ende i kemi të freskëta parrullat e komunistëve të proklamuara gjatë luftës: “Populli shqiptar do të vendosë vetë me kënd do të mbetet, me Shqipërinë, me Jugosllavinë ose republikë më vete”

Ditët e para të këtij pushteti komisarët politikë të regjimit, flisnin në të katër anët me oratori të flaktë për të drejtat e liritë, duke propaganduar dorëzimin e armëve. Populli i shkretë, duke shpresuar në liri të plotë filloi t’i dorëzojë armët, duke menduar se më ato nuk do t’i nevojiten, ngase erdhi liria.

Kosova i ka përjetuar padrejtësitë në këta dhjetë muajt e shkuar nga ana e terroristëve me yllin e kuq në ballë

Kjo gjueti në njerëz, që bëhet kundër shqiptarëve të Kosovës për 10 muaj të “çlirimit”, nuk zbatohet askund në botë, por në Kosovë nuk është kurrëfarë risie, por përsëritje e historisë së viteve 1978, kur ardhacakët nga Beogradi (Karpatet), vranë dhe masakruan 100 000 shqiptarë nga vilajeti i Nishit. Ata që arritën të ikin sot këtu quhen “muhaxhirë”, të cilët janë të shpërndarë në të gjitha pjesët e Kosovës.

Në vitin 1912, prapë me urdhër të Beogradit, u pushkatuan hiç më pak shqiptarë se shifra e sipërshënuar.

Në vitin 1918 gjatë formimit të Jugosllavisë mozaike, prapë me urdhër të Beogradit, u vranë dhe u pushkatuan me mijera shqiptarë. Në atë kohë, në Konferencën e Paqës, është publikuar lista e 8000 viktimave, që është përcjellë me një protestë energjike. Por kjo është si gjithnjë “vox clamantis in deserto”.

Më 1945 përsëritet historia. Prapë me udhëzimet e Beogradit, bëhen masakra masive mbi popullin shqiptar. Ende pa kaluar 10 muaj në regjistër janë evidentuar 35 000 të vrarë e të masakruar dhe mbi 50 000 të dëbuar, për fatin e të cilëve nuk dihet. Këto janë fakte të hidhura. Katër data tragjike të historisë, katër regjime të ndryshme, por me një politikë të përbashkët dhe identike dhe shumë të thjeshtë, asgjësimi dhe shkatërrimi i qënies shqiptare në Kosovë.

Italia fashiste, e cila ishte armike e përbetuar e shqiptarëve, ka qënë e detyruar ta pranojë karakterin shqiptar të trojeve shqiptare.

Ndërkaq pushteti popullor i sotëm, “çlirimtarët e popullit” tentojnë që të gjitha lidhjet me Shqipërinë të këputen, duke e tejkaluar okupatorin fashist. Këtë e ka treguar OZNA me veprime terroriste që i tejkalon ato të Gestapos. Diktatura dhjetëmujore me veprimet e veta terroriste e len pas diktaturën fashiste. Ne të lirët, në malet tona të lira, jemi të autorizuar dhe të obliguar ta shprehim vullnetin e popullit të Kosovës.

Për këtë arsye në emër të popullit shqiptar të Kosovës ngremë zërin dhe i drejtohemi opinionit ndërkombëtar dhe solemnisht deklarojmë që pa dëshirën tonë na kanë imponuar bashkimin me Serbinë.

Dëshira dhe vullneti ynë është bashkimi me Shqipërinë, me vëllezërit tanë, pa marrë parasysh se cili regjim është në pushtet, ngase kemi zakone të njëjta dhe kushte të njëjta morale dhe materiale.

Dëshirojmë që t’ja shtrijmë dorën njëri-tjetrit sa më parë dhe ta shkundim pjesën e errësirës dhe të robërisë, frikës nga terrori, që vuajtëm nga okupatorët e ndryshëm, duke e përfshirë edhe këtë të sotmin, të Beogradit dhe të kuislingëve të Prizerenit.

Ne nuk jemi kundër asnjë ideologjie, por as që përkrahim ndonjë ideologji. Ideologjia jonë është lufta për ekzistencën e popullit shqiptar. Jeta jonë dhe ekzistenca jonë mund të jenë të sigurta vetëm në një shtet shqiptar, që do të përfshijë kufijtë e tokave shqiptare.

Sa i përket pakicës serbe, të lindur në Kosovë, që jeton bashkërisht me popullin shqiptar, deklarojmë se do t’i ketë të drejtat të barabarta me shumicën shqiptare dhe në asnjë mënyrë nuk do të dallohet prej shqiptarëve.

Ata malazezë që në Kosovë kanë ardhur pas vitit 1912 dhe në vitin 1918, si kolonistë, i këshillojmë që të kthehen në vendet e veta nga e kanë prejardhjen, pasi tokat që ata i kanë uzurpue, u takojnë autoktonëve shqiptarë. Po ashtu, deklarojmë se në Kosovë nuk ka asnjë malazez autokton dhe të gjithë malazezët janë kolonizatorë. Këtë e dokumentojnë faktet e jo ne. Malazezët në Mal të Zi e kanë pushtetin dhe qeverinë e vet, ndërsa populli shqiptar dhe pse është katër herë më i madh në numër se sa malazezët këtë të drejtë nuk e gëzon.

Organizata jonë nuk ka lidhje me asnjë parti, organizatë të jashtëme apo me qeverinë e vendit që Kosovës ia konteston mundësinë të jetojë dhe të bashkohet me Shqipërinë

Sa i përket gënjeshtrave dhe thashethemeve tendencioze të terroristëve serbë e malazezë, deklarojmë se në batalionet tona nuk ka asnjë të huaj. Në të gjitha luftërat që kemi zhvilluar në këto 10 muajt e fundit në Kosovë nuk ka marë pjesë asnjë i huaj.

Veçmas, në mënyrë kategorike demantojmë që organizata jonë mund të ketë lidhje me drazhistët për të cilën na akuzojnë terroristët. Vëllezër shqiptarë të Kosovës, regjimi terrorist me gënjeshtra po ju mashtron, nuk na mundëson që të lirë të votojmë e të vendosim për fatin tonë siç na kanë premtuar zhurmëshëm në fillim, sepse e kanë ditur se do të votojmë për Shqipërinë e jo për Beogradin. Kuislingët e Prizerenit ishin të njoftuar me dëshirën dhe qëllimet e Titos, i cili para delegacionit shqiptar (prill 1945) kishte paraqitur kërkesën e tij që shqiptarët e Kosovës do të ishte më mirë të mbeten me Beogradin?! (me Serbinë). Këta kuislingë që do të bëheshin lajkatarë të Titos nxituan që sa më parë ta plotësojnë dëshirën e tij..

Vëllezër kosovarë. Ne jemi vëllezërit tuaj që gjëndemi nëpër malet e lira të Kosovës duke luftuar me armë në dorë ditë e natë për lirinë e Kosovës. Grushti që armiku po e merr nga ne është i njohur për tërë botën. Heronjtë që po flijohen nga dora tradhëtare e Partisë komniste të Jugosllavisë nëpër malet e fushat e Kosovës, janë themelet e çelikta të Shqipërisë së vitit 1912 dhe për bashkimin definitiv të Kosovës me Shqipërinë e vitit 1913, që do të jetënjëherë e përgjithmonë e pandashme.

Ne jemi të vendosur për bashkimin me nënën Shqipëri, që është e jona për nga gjuha dhe gjaku, si dhe t’i dëbojmë kolonistët që kanë ardhur në Kosovë pas vitit 1913 dhe vitit 1918, që të shkojnë andej nga kanë ardhur. Ky është edhe qëllimi i bijve tuaj të shpërndarë nëpër malet e Kosovës, që derdhin gjakun për t’ua dhënë grushtin e fundit mbeturinave të ndyra që nuk na lejojnë të bashkohemi me nënën Shqipëri në kufijtë e 1912-s, pasi kjo e drejtë na është garantuar sipas Kartës së Atllantikut në San Francisko dhe në Konferencën e Paqes në Kretë.

Vëllezër shqiptarë, kemi parë deri tash mjaft tradhëti e mashtrime nga tradhëtarët dhe të njëjtët me gjakun tuaj të derdhur po duan t’ju lënë nën thembrën e Partisë Komuniste, duke iu mbushur xhepat me dinarët e RFDJ-së. Këta gjakpirës të popullit shqiptar, si Mehmet Hoxha, Fadil Hoxha, Rifat Berisha dhe të tjerë, nuk mund t’i durojmë, as tradhëtitë e tyre. Mjaft më! Këta mendojnë vetëm për kolltuqe e për ta ruajtur miqësinë me Titon, çdo ditë e gënjejnë popullin shqiptar, i cili sot në masë të madhe gjëndet nëpër burgje, duke i kërkuar të drejtat e veta.

Vëllezër kosovarë, i gjithë Ballkani është duke u përgatitur për një të nesërme që po shikohet nga forcat anglo-amerikane, me urdhër të të cilave forcat ruse janë kthyer nga Iraku dhe pjesët e tjera. Organizohuni, bashkohuni, largohuni nga rruga e tradhëtisë dhe e spiunazhit, ajo është në dëmin tuaj. Largohuni nga ata që dëshirojnë të na shesin, siç na shitën më 1878 e deri më sot, ata që dëshirojnë të na lënë nën çizmen e Jugosllavisë. Shtrijani dorën armatës suaj në malet e lira të Kosovës, që për çdo ditë po i këput zinxhirët e terroristëve me yll të kuq në ballë.

“Rroftë ushtria anglo-amerikane”

“Rroftë bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”

“Rroftë liria dhe demokracia”

Remove ads

Wikiwand in your browser!

Seamless Wikipedia browsing. On steroids.

Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.

Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.

Remove ads