From Wikipedia, the free encyclopedia
Abdullah bej Dume-Frashëri njohur thjesht si Abdyl Frashëri (Frashër, 1839 - Stamboll, 23 tetor 1892) ka qenë deputet shqiptar në Mexhlisin Osman, një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Fotoporteti | |
Abdyl Frashëri | |
Emri | Abdyl |
Mbiemri | Frashëri |
Lindur më | 1 qershor 1839 |
Lindur në | Frashër, Perandoria Osmane (tani Shqipëri) |
Vdiq më | 23 tetor 1892 |
Vdiq në | Stamboll, Perandoria Osmane |
Kombësia | Shqiptar |
Profesioni | ushtarak, politikan |
Mirënjohje | |
#Mirënjohjet | |
Ai lindi në fshatin Frashër të Vilajetit të Janinës (sot në rrethin e Përmetit), i biri i Halit beut (1797–1859) dhe Emine hanëmit (1814–1861). Nga i ati ishin pasardhës timarlinjsh me prejardhje nga Berati që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës qenë pinjoj të Iljaz bej Mirahorit.[1]
Kaloi pjesën e parë të jetës në fshatin e lindjes deri në moshën 18-vjeçare kur u vendos për nevoja pune në Janinë. U shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se Kriza Lindore po rrezikonte trojet shqiptare. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane. Por shpresat e tij se idenë e shtetit shqiptar do ta përkrahnin rivalët e Perandorisë Ruse, të cilët nuk e dëshironin supremacinë e saj në Gadishullin Ballkanik, nuk u realizuan. Bisedimet që zhvilloi me përfaqësuesit e Greqisë në korrik dhe në dhjetor 1877, për një aleancë politike dhe ushtarake shqiptaro-greke kundër Perandorisë Osmane dështuan gjithashtu mbasi as Athina nuk e pranoi idenë e një Shqipërie të Pavarur në kufijtë e saj etnikë.
Në fund të vitit 1877, Abdyl Frashëri (atëherë deputet i Janinës në parlamentin e dytë osman), u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll (Komiteti i Stambollit). Si kryetar i tij ai dha një kontribut të rëndësishëm në përpunimin e platformës politike që adoptoi lëvizja kombëtare pas fitores ruse mbi Perandorinë Osmane dhe sidomos pas nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit. Sipas tezës së Abdyl Frashëri në kushtet e krijuara nga prirjet ekspansioniste të Rusisë cariste, nga interesat e fuqive perëndimore për ta mbajtur më këmbë Perandorinë Osmane dhe nga synimet e monarkive ballkanike fqinjë për ta copëtuar Shqipërinë, zgjidhja më e përshtatshme (një zgjidhje kjo e përkohshme) ishte krijimi i një shteti autonom shqiptar nën suzerenitetin e sulltanit ose, të paktën, krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane, i cili, po të realizohej, do të sanksiononte kufijtë etnikë të Shqipërisë dhe të drejtat kulturore të shqiptarëve.
Si një nga autorët kryesorë të platformës politike të Komitetit Qendror të Stambollit, të cilën Abdyl Frashëri e parashtroi publikisht edhe me anën e artikujve që botoi në disa organe të shtypit evropian gjatë pranverës së vitit 1878, ai mori pjesë aktivisht në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pas themelimit të Lidhjes, e cila e adoptoi këtë platformë, Abdyl Frashëri. u shqua si udhëheqës, organizator, diplomat dhe aktivist i saj. Veprimtarinë e tij kryesore e zhvilloi sidomos në viset e vilajetit të Janinës dhe të Kosovës. Nuk e shkëputi asnjëherë luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut nga lufta për autonominë e Shqipërisë. Mori pjesë pothuajse në të gjitha kuvendet kryesore që u organizuan nga Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare ose nga komitetet ndërkrahinore të saj. Kudo udhëhoqi krahun autonomist të lëvizjes. Në Kuvendin themelues të Lidhjes së Prizrenit u zgjodh kryetar i koinisionit të punëve të jashtme të saj. Ai përfaqësoi Toskërinë në Kuvendin e Parë të Dibrës (1 nëntor 1878), ku u miratua rezoluta me të cilën kërkohej zyrtarisht nga Porta e Lartë krijimi i vilajetit të bashkuar autonom të Shqipërisë. Ai qe organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës (janar 1879), i cili arriti ta pengonte lëshimin e Çamërisë në favor të Greqisë. Në pranverën e vitit 1879 kryesoi delegacionin e Lidhjes që vizitoi kryeqytetet e Fuqive të Mëdha për të mbrojtur nga afër tërësinë territoriale dhe të drejtat për autonomi të Shqipërisë. Abdyl Frashëri, ishte promotori i projektit që miratoi Kuvendi i Dytë i Frashërit për të formuar qeverinë e përkohshme. Ai udhëhoqi gjithashtu Kuvendin Kombëtar të Gjirokastrës që u shpreh për krijimin e shtetit autonom shqiptar me anën e lëvizjes së armatosur.
Abdyl Frashëri, e mbrojti programin e Gjirokastrës në Kuvendin e Dytë të Dibrës ku udhëhoqi si gjithnjë krahun radikal të lëvizjes. Edhe pse programi i autonomisë nuk u pranua nga përfaqësuesit e rrymës së moderuar, ai kaloi në Kosovë dhe aty së bashku me bashkëluftëtarët e vet kosovarë, vuri në jetë vendimet e Gjirokastrës. U bë anëtar i qeverisë së përkohshme që u formua në Prizren në fillim të vint 1881 dhe dha një kontribut të rëndësishëm né përgatitjet politike dhe ushtarake që u morën për mbrojtjen e autonomisë kundër ekspeditës ushtarake osmane.
Pas shtypjes së Lidhjes, më 2 maj 1881 mbërriti në Manastir i përcjellur prej një oficeri të xhandarmërisë dhe shtatë xhandarëve kalorës. Mbasi qe arrestuar duke shkuar nga Dibra në Elbasan tek Mahmud bej Biçakçiu. Prej aty iu dërgua Dervish Pashës në Prizren, i cili e burgosi në kalanë e qytetit ku qëndroi tre vjet që ia rrënoi shëndetin kryekëput. Më tej u internua së bashku me familjen e tij në Balliqeser e në Bandërma të Anadollit për afro dy vjet të tjera. Në fund u amnistua me ndërhyrjen e Gazi Osman Pashës, heroit të Plevnës;[2] u kthye në Stamboll, ku u emërua përfaqësues i këshillit bashkiak të kryeqytetit.[3] Ndërroi jetë në kryeqytetin e perandorisë pas një sëmundjeje të gjatë.[2]
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.