Zagoria
zonë gjeografike dhe etnografike në jug e Shqipërisë From Wikipedia, the free encyclopedia
Zagoria është zonë gjeografike dhe etnografike; shtrihet në krahinën malore - jugore të vendit dhe rajonizohet në rrethin e Gjirokastrës. Nga pikëpamja e pozicionimit gjeografik kufizohet nga: Mali i Dhëmbelit në L, i Lunxhërisë në P, fshatrat Kala e Leskaj në V dhe Poliçani në Jug. Ka gjatësi rreth 15 km, gjerësi 4 - 5 km, dhe vijë kufitare 45 km, prej së cilës 22 km me rrethin e Përmetit. Është formuar nga flishi paleogjenik, që formon një sinklinal dytësor në trajtë lugine në brezin antiklinal të Beratit. Lugina nga ana hapësinore ka fund të ngushtë dhe shpate të pjerrëta. Relievi është i ndërtuar nga formacionet të buta dhe shumëformësh. Prezente janë malet e lartë, të cilët e “mbështjellin” luginën, duke i dhënë një trajtë të veçantë tipike; përrenjtë e ngushtë e pjesërisht të thellë, kodrat e buta, kryesisht të veshura, të thepisura, të ravijëzuara dhe të pasura me kullota. E veçantë është se në lartësitë mbi 2000 metra janë tipike e prezente format e shumta karstike, cirqet akullnajore dhe shpellat karstike, të cilat krijojnë tablo të bukura, tërheqëse natyrore. Përmes luginës së Zagorisë rrjedh lumi i Zagories, i cili derdhet në Vjosë, por si rrjedhojë e gjatësisë së tij ai në “fjalorin” terminologjik gjeografik konsiderohet “përroi” i Zagories . Nga të dy anët e tij, sidomos në krahun e djathtë, dalin një sërë burimesh karstike.
Biodiversiteti
Krahina e Zagorisë ka bukuri të rralla dhe është tërheqëse, jo vetëm për biodiversitetin, por edhe për vlerat e peizazhit, historisë dhe kulturës së saj. Është një territor tepër i larmishëm me natyrë karakteristike me magjinë dhe potencialin e saj tërheqës që nga pjesët më të larta të malit të Dhëmbelit dhe malit të Çajupit me mbi 2000m lartësi, që hijeshojnë kurorën e zonës dhe deri në ultësirat e freskëta të lumit të Zagories, në derdhjen e tij në lumin e Vjosës. Biodiversiteti, në të cilat janë vendosur të gjitha gjallesat, llojet e bimëve dhe fauna, është një tërësi e dozuar në mënyrë inteligjente në natyrën e këtij vendi, e elementëve biotike dhe abiotike, por edhe gjeomorfologjike. Është një tërësi e tokës, vegjetacionit, faunës dhe mikrofaunës, atmosferës, peizazhit, por që medoemos duhet ruajtur dhe zhvilluar në dobi të njeriut, të banorëve të territorit të Zagories. Larmia e mjedisit në krahinën e Zagories fillon në zonën alpine me kullotat e pasura me mbulesë barishtore të shumëllojshme dhe me vlera të larta ushqyese për blegtorinë me një sipërfaqe rreth 7200 ha. Kullotat që dallohen për cilësinë dhe kapacitetin e tyre të lartë janë rrafshnalta e Dhëmbelit, zona e Çajupit - Rapavicë në të cilat kullosin jo vetëm bagëtia e Zagories, por edhe ato të zonave të tjera të Gjirokastrës, Tepelenës, Sarandës e tjerë.
Zagoria është krahinë tipike malore me këto karakteristika klimatike: me dimër të shkurtër e të butë, me borë e ngrica të mëdha, me rreshje të shumta (mesataria 1500 mm në vit) dhe me 15 – 20 ditë me borë në vit në luginë dhe 20 - 30 ditë në male. Erërat e ftohta, që fryjnë përmes luginës, megjithë pengesat malore, e ulin shumë temperaturën deri në formimin e ngricave, ndërsa erërat e ngrohta, që depertojnë nëpërmjet Grykës së Selckës dhe sidomos nga ajo e Këlcyrës, janë kaq të ndjeshme sa që në Zhej dhe në Doshnicë rritet dhe pema e ullirit. Vendi më i ngrohtë i Zagories është Vërria, e cila shtrihet midis Vithuqit dhe Hoshtevës. Në të dy krahët e lumit, në lartësi 400 - 800m, shtrihen 10 fshatra: Doshnica, Hoshteva, Vithuqi, Koncka, Nivani e Sheperi nga njëra anë, nga krahu i djathtë i lumit dhe Ndërani, Topova, Lliari dhe Zheji nga krahu i majtë i lumit. Në vartësi të rrjedhës së lumit vendasit e ndajnë këtë trevë në dy pjesë: Zagoria e poshtme dhe Zagoria e sipërme, të cilat kanë nga 5 fshatra dhe përfshihen në komunën e Zagories, ku secili nga fshatrat ka karakeristikat e tij. Krahina ka pasur një rrjet rrugor të zhvilluar për marrëdhëniet politiko - ekonomike dhe shkëmbime tregtare me viset e tjera të vendit dhe me jashtë, si edhe për komunikim e marrëdhënie brenda saj. Fshatrat lidhen ndërmjet tyre nëpërmjet urës së Hoshtevë - Lliarit, të Nivanit të Shtrigës dhe të një pasarele, që lehtëson kalimin nga Zheji në Doshnicë. Me Përmetin kalimi bëhet me anën e Qafës së Dhëmbelit e Gjurmë Mushkës, ndërsa me Gjirokastrën realizimi i lidhjes sigurohet nëpërmjet Qafës së Çajupit dhe Grykës së Selckës. Nga pikëpamja e banimit si trevë, Zagoria ka qenë e banuar që në kohë të lashta. Këtë e dëshmojnë prezenca dhe zbuluesa e rrënojave të vëndbanimet e hershme, si kalaja Ilire e periudhës së dytë të hekurit dhe gjetjet e rastit të objekteve, që u përkasin antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme. Të këtyre periudhave janë edhe vendbanimet: Qyteza e Doshnicës, Vërria e Zhejit, Lumërat e Hoshtevës, Plesha, Dërmazi. Thuhet se në vitin 604 në Korfuz e Qefalloni u formua një koloni nga banorët e krahinës EVRE, që mendohet se është Zagoria e sotme. Dyndjet e sllavëve në shek VI - IX dhe më pas ato të bullgarëve, që sipas transmetimeve ende të pavërtetuara, thuhet se i vunë krahinës emrin Zagori, (përfshinë edhe këtë krahinë) , e cila në shek XIII- XIV bënte pjesë në despotatin e Epirit e të Janinës dhe principatën e Artës, por në lidhje me emrin e vënë nuk ka ndonjë gjë konkrete, por hamendësi, gjë që nuk e vërteton praktikisht këtë “nunëzim”. Gjatë sundimit osman është administruar nga Delvina, Janina, Gjirokastra dhe Tepelena.
Në fund të shek. XVII, e sidomos gjatë shek. XVIII, sunduesit osmanë u përpoqën me të gjitha format për ta islamizuar këtë krahinë, por nuk e mposhtën qëndresën e saj: ajo ruajti me fanatizëm zakonet dhe traditat e veta shekullore. Në Zagori nuk u ngrit asnjë institucion fetar islam dhe shkollë në gjuhën islame. Kjo realizoi një puritantizëm fetar, pra u mbrojt feja ortodokse. Ruajtja e institucioneve, objekteve të kultit brez pas brezi dëshmon qartë për lashtësinë dhe për vazhdimësinë e jetës së banorëve të saj. Banorët e luginës në shekuj kanë qenë bashkëluftëtarë të vezirëve vendas në rebelimin e tyre kundër Portës së Lartë, pjesëmarrës aktivë në kryengritjet antiosmane kundër reformave të Tanzimatit, në ngjarjet e mëdha të viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në luftën për zhvillimin e arsimit kombëtar dhe luftëtarë aktivë në ngjarjet e mëdha ndryshuese dhe të përcaktimit të fatit, siç ishte evenimenti i madh historik i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Pra Zagoria është një krahinë shumë solide dhe tipike, që ka kontribuar në momente shumë të rëndësishme të jetës dhe ndryshimeve në historinë e Shqipërisë. Për nga natyra, popullsia dhe historia, nga trashëgimia e pasur materiale dhe shpirtërore e banorëve të saj, është një ndër krahinat më interesante dhe më potente të Shqipërisë së Jugut, paçka se në shumtësinë e rasteve nuk është parë me këndvështrime reale për potencialin që mbart, gjë që ka ndikuar në mosshfrytëzimin dhe vlerësimin e vlerave të saj. Duhet evidentuar se gjatë pushtimit osman ku fshatrat e krahinës rrezikoheshin nga bandat mbaheshin roje muslimane të emërtuara “kwmborë” që loznin një rol të organizuar mbrojtës. Po kështu Zagoria mbart mbi vete dhe kontributin e madh që ka dhënë gjatë gjithë ekzistencës për evakuimin dhe akomodimin përfundimtar të familjeve të zonave të tjera të kërcënuara. Veçoritë natyrore të relievit, karakteri dhe veprimtaria plot nerv i popullsisë, kanë krijuar në shekuj një njësi më vete me krarakteristika tepër të veçanta, një zonë gjeografike dhe etnokulturore të veçantë me një origjinalitet, që dallohet shumë qartë nga zonat e tjera me të cilat ajo kufizohet dhe ka hyrë në marrëdhënie jetësore, duke ndikuar katërcipërisht tek to. Ajo ruajti në shekuj një autonomi relative, një vetëqeverisje në trajtën e Venomit, që e ndeshim që nga fillimet e sundimit osman (1492). Për këtë arsye banorët e kësaj treve ishin detyruar të përpunonin, të pranonin dhe të zbatonin të drejtën zakonore në të cilën gjetën zgjidhje problemet e pronësisë, u përpunuan normat juridike dhe u rregulluan marrëdhëniet ndërmjet tyre.
Në të drejtën zakonore gjetën vend dhe u kultivuan toleranca, fqinjësia e mirë dhe solidariteti në mes të njerëzve dhe nuk u pranuan norma të tjera, që u shndërruan në plagë të shoqërisë shqiptare. Brenda kësaj të drejte u ruajtën dhe u zhvilluan traditat patriotike dhe atdhetare, krenaria e dinjitetit njerëzor, ndjenjat e pastra fisnike të dashurisë për familjen, fshatin, krahinën, për vendin dhe shoqërinë. Ky venom nuk mbeti një vend i mbyllur e i izoluar, por u shndërrua në një shtrat të ngrohtë, ku u kultivuan dhe u shprehën shpirti krijues i zagoritit, inteligjenca tipike, dëshira për të përqafuar të renë dhe progresin shoqëror. Sipërfaqja e kufizuar e krahinës, mungesa e tokës së bukës, kanë qenë faktorë përcaktues në popullimin e rrallë të saj, orientimin e popullsisë me aktivitet kryesor blegtorinë dhe nxitjen e emigracionit, që në fillim të shek. XVIII, më parë në drejtim të Stambollit, Greqisë, Misirit dhe nga fillimi i shek. XX për në Amerikë dhe Kanada, pa llogaritur atë brenda vendit. Rreth 80% e burrave dhe djemve zagoritë ishin në emigracion, të cilët luajtën një rol të madh në “importimin” e kulturave, të cilat sollën edhe qytetërimin. Madje, këta të fundit, ishin më të preferuarit nga vajzat për t'u martuar. Emigracioni ka sjellë rënien e popullsisë që pasqyrohet në të dhënat tabelore të pasqyruara si më poshtë:
Viti Familje Banorë
1431-1432 188 ?
1582-1583 310 ?
1826 500 3300
1854 535 ?
1874 630 3100
1899 4300
1913 3300
1913 3000
1930 3500
1939 3300
1984 1450
1989 1380
2000 1300
2003 166 437
Zagoria u popullua edhe si rrjedhojë e imigrimit. Në Zagori erdhën mjaft familje nga krahinat e tjera si: Kolonja, Labëria, Suli (Greqi) e tjerë, që nuk pranuan të ndërronin fenë ose për t’i shpëtuar ndjekjeve të pushtuesve. Prandaj, deri gjysmën e shek XIX popullsia arriti 4300 banorë. Në të gjithë botën sot, sipas të dhënave statistikore, jetojnë rreth 18000 banorë me origjinë, në linjë atërore nga Zagoria. Zagoria nga ana administrative bënte pjesë në Nënprefekturën e Tepelenës, deri në vitin 1920, në atë të Përmetit (1921 - 1924) dhe më pas dhe në vijim në rrethin e Gjirokastrës, që është një nga zgjedhjet më të mençuruara dhe më harmonike, për arsye të përqasjeve të traditave dhe lidhësisë kulturore, pa mohuar vlerat e lidhësive të mëpërparshme. Në këto vite në Zagori janë bërë disa revolta për administrimin e kullotave si ajo e Topovës dhe e Hoshtevës. Gjatë Luftës ANÇL, Zagoria ishte dhe mbeti zonë e çliruar, bazë kryesore e saj në Qarkun e Gjirokastrës. Këtu u krijuan 4 çeta e batalione partizane dhe dy Brigata. U ngritën bazat e teknikës së shtypit të Partisë, u mblodhën aktivë të saj, u bënë mbledhje të rëndësishme, të cilat vendosën fatin e Luftës, sidomos në Qarkun e Gjirokastrës. Banorët e kësaj krahine dhanë një ndihmesë të madhe në luftën e armatosur kundër okupatorëve nazifashistë. Rreth 120 bij të saj mbushën radhët e njësiteve partizane, që u krijuan në këtë krahinë dhe në trevat e tjera të vendit dhe 350 të tjerë u inkuadruan në terren. Ajo, pavarësisht se ishte e varfër, nga dëmet e shkaktuara, si rezultat i djegieve të ndërmarra nga pushtuesit, mbeti gjithmonë strehë e sigurt, jo vetëm për bijtë e saj, por për luftëtarët, që vepruan në Shqipërinë e Jugut. Zagoria krijoi mjedise e terrene të qeta e të sigurta për njësitë partizane që u strehuan. Gjatë kësaj lufte ranë 16 dëshmorë, “Heroi i Popullit” Themo Vasi dhe u dogjën 323 shtëpi. Duhet evidentuar se në Luftën Italo - Greke hapësira e trevës së Zagorisë shërbeu si teatër i veprimit luftarak i dy formacioneve kundërshtare italiane dhe greke. Kjo luftë shkaktoi dhe dëme të konsiderueshme në krahinë. Pas çlirimit filloi meremetimi i vendit. Në këtë kuadër u planifikua edhe një plan afatgjatë për Zagorinë. Kështu: u ngritën 220 shtëpi, u çelën shkolla 7 vjeçare në Sheper dhe në Zhej, shkolla e mesme bujqësore në Nivan, u ngrit spitali dhe materniteti i krahinës, shtëpia e kulturës. Gjithashtu u hapën toka të reja, u ndërtuan vepra ujitëse, që rritën rendimente e prodhime bujqësore. Më 1961 u lidh Zagoria me Gjirokastrën me rrugë automobilistike, më 1967 përfundoi telefonizimi dhe 1969 elektrifikimi i gjithë fshatrave të krahinës. Në vitin 1994 KM e ka shpallur zonën Topovë - Zhej “Park natyror dhe zonë pilot”, ndërsa Qarku i Gjirokastrës ka vënë në plan asfaltimin e rrugës Gjirokastër - Çajup, një planifikim i vonuar duke u nisur nga potencialet turistike të krahinës dhe që ka vlera të shumta kurative të provuara.
Në këtë krahinë, falë shpirtit liridashës, humanist dhe progresit të banorëve të saj gjatë shekujve lindën dhe vepruan figura të ndritura, që u bënë luftëtarë konsekuentë për realizimin e interesave të Kombit dhe të Atdheut. Ata me veprimtarinë e tyre në dobi të çështjes kombëtare i kaluan përmasat e krahinës dhe lanë emër në të gjitha sferat e jetës. Këta e bënë historinë e kësaj krahine të pasur dhe të lexueshme. Po kështu mjaft kuadro, krijues, studiues, shkencëtarë në të gjitha fushat luajtën një rol të padiskutueshëm në përparimin kulturor e arsimor, jo vetëm të krahinës, por edhe në shkallë vendi. Kontigjente të tilla janë evidentuar edhe në këtë libër për të krijuar një tablo të qartë të këtij dinamizmi dhe zhvillimi kulturor.
Kristaq F. Shabani " PERLA, PROFIL I BISKUAR-ZAGORIA" faqe 8-12 Shtëpisë botuese “Marin Barleti” Tiranë, 2006 ISBN99927- 39-78-9
.
Ky artikull është i cunguar. Ju mund të ndihmoni Wikipedian duke e zgjeruar atë. |
Wikiwand in your browser!
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.