Vizatimi teknik
akti dhe disiplina e kompozimit të vizatimeve që komunikojnë vizualisht se si funksionon ose ndërtohet diçka / From Wikipedia, the free encyclopedia
Vizatimi teknik është një paraqitje grafike e një objekti real që do të prodhohet ose ndërtohet, ose e një ideje apo projektimi të propozuar që do të vihet në jetë. Vizatimi teknik është përdorur që në kohët e lashta, por teoria e projektimit të objekteve në plane imagjinare u përhap në gjysmën e parë të shekullit të pesëmbëdhjetë nga arkitektët italianë Alberti, Brunelleschi etj.
Personi i cili bën vizatimin quhet vizatues ose teknik vizatimi. Ky person krijon vizatimet teknike të cilat janë një formë e komunikimit grafik të specializuar. Një vizatim teknik ndryshon nga një vizatim i zakonshëm nga mënyra se si interpretohet. Një vizatim i zakonshëm mund të ketë shumë qëllime dhe kuptime, ndërsa një vizatim teknik ka për qëllim të komunikojë qartë dhe saktë të gjitha specifikimet e nevojshme për të transformuar një ide në formë fizike.