Qeveria e Kosovës
From Wikipedia, the free encyclopedia
Qeveria e Kosovës (serbisht: Влада Косова Vlada Kosova) ushtron pushtetin ekzekutiv në pajtim me Kushtetutën dhe me ligjin.
Qeverinë e Kosovës e përbëjnë Kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat. Qeveria udhëhiqet nga Kryeministri/ja, ai ose ajo zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës. Qeveria zbaton ligjet dhe aktet e tjera të miratuara nga Kuvendi i Kosovës dhe ushtron veprimtari tjera brenda përgjegjësive të përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj.
Qeveria merr vendime në pajtim me këtë Kushtetutë dhe me ligje, propozon projektligje dhe amendamentimin e ligjeve ekzistuese e akteve të tjera, si dhe mund të japë mendimin rreth projektligjeve të cilat nuk janë të propozuara nga ajo. Qeveria, për punën e vet, i përgjigjet Kuvendit të Kosovës. Kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat mbajnë bashkëpërgjegjësinë për vendimet që merr Qeveria, dhe përgjegjësinë individuale për vendimet që marrin në fushat e përgjegjësive të tyre.
Ministrat nominohen nga kryeministri dhe pastaj votohen nga kuvendi. Avdullah Hoti ishte Kryeministër aktual i Kosovës dhe udhëheqës i qeverisë. Avdullah Hoti u zgjodh më 3 qershorë 2020. Qeveria e tij përbëhet kryesisht nga shqiptarët, por gjithashtu ka ministra nga minoritetet e Kosovës, si boshnjakët, serbët dhe turqit.
- Qeveria ka këto kompetenca
- propozon dhe zbaton politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit;
- mundëson zhvillimin ekonomik të vendit;
- propozon Kuvendit projektligje dhe akte të tjera;
- merr vendime dhe nxjerr akte juridike ose rregullore, të nevojshme për zbatimin e ligjeve;
- propozon Buxhetin e Republikës së Kosovës;
- udhëzon dhe mbikëqyr punën e organeve të administratës;
- udhëzon veprimtarinë dhe zhvillimin e shërbimeve publike;
- i propozon Presidentit të Republikës së Kosovës emërimet dhe shkarkimet për shefa të misioneve diplomatike të Kosovës;
- propozon amendamentimin e Kushtetutës;
- mund të referojë çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese;
- ushtron edhe funksione të tjera ekzekutive, të cilat nuk u janë caktuar organeve të tjera qendrore ose vendore.