From Wikipedia, the free encyclopedia
Në vitet harrova Tashi po gjeje në gugëll të shek. XIII bëhet fjalë për një pinjoll të saj, përfaqësues i aristokracisë ushtarake me titullin miles. Në atë kohë Topiajt ditën t'i bënin vend vetes, duke u shkëputur nga Bizanti e duke vendosur lidhje të ngushta me anzhuinët e Napolit si dhe me Papatin e Romës. Këtij të fundit Topiajt i premtuan kalimin e tyre nga riti ortodoks në atë katolik. Për rrjedhojë, kisha e Romës u njohu Topiajve si zotërim të familjes tokat midis rrjedhës së Matit dhe asaj të Shkumbinit, të cilat përputheshin pak a shumë me shtrirjen e Principatës së dikurshme të Arbrit. Të drejtat e Topiajve mbi këto vise u konfirmuan më 1338 edhe nga anzhuinët e Napolit, të cilët e konsideronin veten kryezot të Durrësit e të Arbrit si dhe Topiajt vasalë të tyre. Topiajt ishin shpallur vasalë të mbretit të Napolit, Karli I Anzhu, që në vitin 1272. Megjithatë varësia e tyre nga oborri i Napolit mbeti thjesht formale. Si mbreti Karli I, ashtu dhe pasardhësit e tij, Karli II e Roberti I Anzhu, ankoheshin vazhdimisht në aktet e tyre për "mosbindjen" madje edhe për "rebelimet" e vazhdueshme të Topiajve dhe të krerëve të tjerë shqiptarë kundër pushtetit sovran të tyre. Megjithatë, të ndërgjegjshëm se s'do të mund ta ruanin autoritetin e tyre mbi Durrësin dhe Arbrin, anzhuinët këmbëngulnin t'i mbanin afër Topiajt, qoftë duke u falur herë pas here "fajet", qoftë duke u dhënë edhe provizione (para) të mëdha vjetore, siç vepruan më 1338 me kontin Tanush Topia. I vëllai i këtij të fundit, Domeniku, ishte klerik i lartë dhe në vitin 1336 mbreti Robert Anzhu e kishte tërhequr në oborrin e Napolit si kapelan e këshilltar të tij.
Principata e Topiajve | |||||||||
---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|
1368–1392 | |||||||||
Kryeqyteti | Durrës | ||||||||
Gjuhët e zakonshme | shqipja | ||||||||
Besimi | Krishterimi | ||||||||
Qeveria | |||||||||
Lloji i qeverisjes | Principatë | ||||||||
Princ | |||||||||
• 1368-1382 | Karl Topia | ||||||||
• 1382-1385 | Balsha i II | ||||||||
• 1385-1388 | Karl Topia | ||||||||
• 1388-1392 | Gjergj Topia | ||||||||
Epoka historike | Mesjeta | ||||||||
• Themeluar | 1368 | ||||||||
• Shpërbërë | 1392 | ||||||||
Të dhëna të tjera | |||||||||
|
Marrëdhëniet e Topiajve me anzhuinët e Napolit pësuan një ngrirje të fortë në kohën e sundimit të Andreas, djalit të Tanushit. Ndonëse qe martuar me një vajzë jashtë martese të mbretit Robert, Andre Topia tregohej fare i pabindur ndaj tij, aq sa anzhuini vuri njerëz dhe e vrau.
Zotërimi i Topiajve arriti fuqinë dhe shkallën më të lartë të organizimit në kohën e princit Karl Topia, djali i madh i Andreas, që erdhi në fuqi në vitin 1359. Brenda viteve 50 të shek. XIV ai arriti të konsolidonte në luftë me rivalët e shumtë pushtetin e vet në trevën e Arbrit. Ashtu si paraardhësit e vet, Karli shfrytëzoi mjeshtërisht për këtë qëllim lidhjet e hershme të familjes së tij me anzhuinët e Napolit. Ai nuk ngurronte të vinte në dukje "lidhjet e gjakut" që kishte me këta të fundit nga e ëma. Në këtë kuptim ai i shtoi stemës familjare të Topiajve, që paraqiste një luan, edhe simbolin e anzhuinëve, zambakun.
Pavarësisht se u mëshonte lidhjeve të veçanta të Topiajve me kryezotërit e Napolit, Karli kishte vendosur t'u shkëpuste këtyre qytetin e Durrësit. Më 1362 forcat e tij sulmuan Durrësin nga toka dhe nga deti. Ndonëse nuk u mor dot, qyteti u detyrua t'i paguajë Topisë një tribur vjetor, i cili nxirrej nga rritja e taksave mbi tregtarët e huaj që vizitonin Durrësin.
Sulmi i Karl Topisë mbi Durrësin ngjalli shqetësim sa në bashkësinë e këtij qyteti, që i trembej pushtetit feudal, aq dhe te mbretëresha Xhovana e Napolit, dhe te Republika e Venedikut. Kjo e fundit nuk mund të pajtohej me faktin që princi shqiptar zotëronte tashmë një flotë ushtarake, të ankoruar në Kepin e Rodonit në veri dhe në Kepin e Melit (caput Meliarum) në jug të Durrësit, me të cilën ai mund të kontrollonte ose të dëmtonte trafikun e anijeve veneciane nëpër Adriatik. Ndaj në maj të vitit 1364 Senati i Venedikut e urdhëronte kapitenin e flotës së Adriatikut që të pengonte çdo aksion të flotës së Karl Topisë dhe, në rastin ekstrem, t'i kapte anijet shqiptare dhe t'i digjte ato, si dhe të shkatërronte bazën e tyre në Kepin e Melit. Të gjitha këto duhet të bëheshin në mënyrë të fshehtë pa rënë në sy të princit shqiptar, me të cilin gjithsesi Republika ishte e interesuar të mbante marrëdhënie të mira. Në fakt Topia pati rastin të tregonte se nuk ishte një sundimtar i zakonshëm, kur po atë vit theu të fuqishmin Gjergj Balsha. Ndaj, me qëllim që të ndikonte sa më shumë mbi princin shqiptar, në prill të vitit 1366 Senati i Venedikut e shpalli Karl Topinë qytetar të Venedikut. Megjithatë kjo nuk e ndali këtë të fundit të forcojë flotën e tij dhe të intensifikojë sulmet mbi Durrësin. Më në fund, në muajt e parë të vitit 1368, qyteti ra në duart e Topisë. Nga ai çast sundimtari shqiptar i shtoi titullit të tij si "princ i Arbrit" edhe titullin tjetër të "zotit të Durrësit".
Në jug Principata e Topiajve u bë fqinje me atë të Muzakëve, të cilët, aty nga viti 1370, aneksuan zotërimin e sebastokratorit Vlash Matrënga, që shtrihej midis derdhjes së Shkumbinit dhe Semanit. Gjithsesi aleanca e Muzakajve me Balshajt e veriut e keqësoi gjendjen e principatës së Karl Topisë, duke shtrënguar darën rreth saj. Ishte keqësuar ndërkohë edhe pozita ndërkombëtare e saj. Sovranët e Napolit nuk ia falën "vasalit" Karl Topia marrjen e Durrësit më 1368. Plot moskuptime e përplasje paraqiteshin edhe marrëdhëniet me Venedikun, pavarësisht që Republika e detrave e kishte shpallur Karl Topinë qytetar të saj. Marrëdhëniet ishin ftohur dukshëm edhe me Papatin e posaçërisht me papën Gregori XI, i cili nuk i falte princit shqiptar prirjet "heretike" duke e akuzuar atë për patarin (ithtar i lëvizjes antipapale patarine). Edhe miqësia me Raguzën dhe me Hungarinë nuk i sillte ndonjë avantazh të madh Karl Topisë në planin politik. Raguza ishte në fakt një fuqi tregtare, por ajo s'kishte ndonjë peshë në ngjarjet politike e ushtarake. Përsa i përket afrimit me Mbretërinë Hungareze, në sfond të saj qëndronte thjesht armiqësia e kësaj të fundit me Venedikun, pra kishte karakter koniunktural pa ndonjë ndikim në planin praktik.
Në kushte të tilla, kur dhe marrëdhëniet me bashkësinë qytetare të Durrësit qenë acaruar, Karl Topia e humbi qytetin, i cili kaloi përsëri për pak kohë nën sovranitetin e anzhuinëve të Napolit. Madje këta të fundit në fillim të vitit 1372 vendosën të organizonin një fushatë të madhe për të shtrirë pushtimet tej Durrësit dhe për të rikrijuar "Mbretërinë e Arbrit" të kohës së Karlit I Anzhu. Në planet e organizatorëve ishte edhe zënia rob e Karl Topisë dhe e Gjergj Balshës, për të cilët premtohej një çmin prej 1 000 dukatë ari. Por fushata që iu besua Gjergjit të Navarës dhe që mori edhe bekimin e papës Gregori XI nuk arriti të realizohej. Karl Topia mbeti zot i plotfuqishëm i "gjithë vendit të Arbrit". Madje, ai mundi t'u marrë Muzakëve edhe zotërimet e dikurshme të Vlash Matrëngës, midis derdhjeve të lumenjve Shkumbin e Seman. Tashmë principata e Karl Topisë kapte gjithë hapësirën midis Drinit e Semanit. Vetë Durrësi, ndonëse formalisht mbeti në zotërimin e anzhuinëve të Napolit, në të vërtetë e ndiente gjithnjë e më shumë pushtetin e princit shqiptar. Me sa duket ky i fundit, i ndërgjegjshëm për interesat e shumtë që ndërthureshin në Durrës, kishte vendosur ta merrte qytetin në mënyrë "të ligjshme", duke shmangur përdorimin e armëve. Në fakt aty nga viti 1383 ai e bleu atë nga anzhuinët kundrejt një shume të madhe të hollash.
Sundimi i Karl Topisë mbi qytetin e dëshiruar buzë Adriatikut nuk zgjati shumë. Marrja e qytetit prej tij ndodhi në një kohë kur ishte rindezur konflikti i hershëm me Balshajt, ndërkohë zotër edhe të Vlorës.
Me një sulm të befasishëm në vitin 1384 Balsha II e pushtoi Durrësin. Tashmë në aktet zyrtare ai filloi t'i atribuojë vetes titullin "dukë i Durrësit". Por nuk e gëzoi gjatë. Më 18 shtator 1385 forcat osmane të Hajredin Pashës shpartalluan në Savër të Myzeqesë ushtrinë e Balshës II dhe të aleatëve të tij. Karl Topia hyri përsëri në Durrës, por tashmë edhe ai, si mjaft sundimtarë të tjerë shqiptarë, u detyrua t'i nënshtrohej hegjemonisë së osmanëve. Në përpjekje për t'i shpëtuar kësaj të fundit, Topia u kthye nga Venediku. Midis viteve 1386-1387 ai bëri disa përçapje pranë Republikës, duke i ofruar kësaj vendosjen e një lloj protektorati mbi zotërimet e tij. Duke iu shmangur një angazhimi të drejtpërdrejtë në një zonë që tashmë ishte në vëmendjen e osmanëve, Venediku u mjaftua t'i premtonte Karl Topisë ndihma modeste ushtarake, sigurisht kundrejt privilegjeve tregtare. I ndodhur nën trysninë e vazhdueshme të osmanëve, Karl Topia tentoi në maj të 1387 një ujdi të fundit me Republikën. Propozimi i tij i ri kishte të bënte me shitjen e Durrësit, me largimin e vetë Karlit dhe vendosjen e tij në ndonjërën nga kolonitë veneciane në Kretë ose në Eube.
Por edhe kësaj radhe nuk u përfundua gjë, qoftë për shkak të hezitimeve të Venedikut, që tashmë ishte i bindur se marrja e Durrësit do të thoshte luftë me osmanët, qoftë edhe se, shumë shpejt pas paraqitjes së këtij propozimi të ri, princi Karl Topia ndërroi jetë. Trashëgimtari i dobët i Karl Topisë, Gjergji, mundi të ushtrojë pushtetin e tij në Durrës e në rrethinat e tij. Kruja dhe krahina përreth saj i kaluan motrës së tij, Helenës, që ishte martuar me fisnikun venecian Mark Barbadigun. Konti Niketa Topia, një kushëri i Gjergjit, sundonte ultësirën në jug të Durrësit. Feudalë të tjerë, që s'i përkisnin familjes fisnike Topia, sundonin tashmë të pavarur në viset e Tiranës, në luginën e Shkumbinit e gjetkë. Marrëdhëniet e tyre me Gjergj Topinë ishin shpeshherë armiqësore. Në këtë mënyrë juridiksioni i trashëgimtarit të Karl Topisë kufizohej në qytetin e Durrësit dhe në rrethinat e afërta të tij. Në fakt, edhe në burimet e kohës Gjergji cilësohet thjesht "zot i Durrësit", ndryshe nga paraardhësi i tij i madh, princi Karl Topia, që quhej "zot i gjithë vendit të Arbrit".
Ardhja në pushtet e Gjergj Topisë përkoi me intensifikimin e sulmeve osmane në viset bregdetare dhe, për rrjedhojë, edhe me politikën e re të Venedikut, për të shtënë në dorë qytetet bregdetare shqiptare. Herë me premtime dhe herë me presione Venediku arriti të bindte Gjergjin që fillimisht t'i lëshonte kullën e poshtme të qytetit, atë që ruante pjesën e portit.
Më tej, Venediku arriti të fuste në kontroll gjithë qytetin, duke shfrytëzuar vështirësitë e zotit të Durrësit, si dhe lidhjet e veta me një sërë fisnikësh shqiptarë nga familjet Muzaka, Skurra, Nesha e vetë Topia, të cilëve u shpërndante provizione vjetore. Me marrëveshjen e nënshkruar me Venedikun në gusht të vitit 1392, Gjergj Topia pranonte që, pas vdekjes së tij, i gjithë qyteti të kalonte edhe de jure nën sundimin e Venedikut. Një kalim i tillë i pushtetit në Durrës ndodhi vetëm ndonjë muaj më vonë, kur sundimtari shqiptar vdiq.
Vitet që pasuan shënuan zhdukjen nga skena edhe të Topiajve të fundit. Në vitin 1403 konti Niketë Topia mori kështjellën e Krujës nga duart e kushërirës së tij, Helenës. Në këtë mënyrë Niketa bashkoi nën sundimin e tij territoret pjellore rreth e rrotull Durrësit prej të cilave nxirrte fitime të mëdha. Venediku ia njohu zotërimet sundimtarit shqiptar, aq më tepër që ato formonin një perde midis Durrësit dhe posteve të përparuara osmane në Maqedoni. Nga ana tjetër, nga zotërimet e Niketës mbërrinin në Durrës produktet bujqësore e blegtorale të domosdoshme për mbijetesën e qytetit. Megjithatë zotërimi i të fundit të Topiajve nuk pati jetë të gjatë.
Më 1412 kontit Niketa iu desh ta paguajë me një disfatë të bujshme dhe me burgimin e tij rivalitetin me Teodor Muzakën e Beratit për zotërimin e fushave rreth Shkumbinit. Falë ndërhyrjes së Republikës së Raguzës, Niketa u lirua nga burgu i Muzakës. Por paskëtaj ai duhej të matej me sulmet e osmanëve, që pikërisht në atë kohë njohën një intensifikim të ri. Me vdekjen e Niketës, osmanët pushtuan kryeqendrën e vjetër të Arbrit dhe të Topiajve, Krujën. Në fillim të vitit 1415 qyteti kishte një komandant turk, Ballaban Beun, i cili quhej “subash i Krujës dhe i Arbrit”.
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.