Numri pi
From Wikipedia, the free encyclopedia
Numri pi, i cili zakonisht shënohet me gërmën e vogël të alfabetit grek π (lexo pi apo pi-greke), është një konstantë matematikore nga më të rëndësishmet. Numri π mund të përkufizohet si herës (raport) i perimetrit të një rrethi me diametrin e tij. Vlera e tij e përafërt është 3.14159.... Kjo do të thotë se kur diametri i rrethit është Një njësi, atëherë perimetri i tij është vetë π. Numri π është një numër iracional që do të thotë se ai nuk mund të shkruhet si thyesë apo si herës i dy numrave të plotë. Kjo do të thotë se decimalet e tij kurrë nuk përfundojnë por edhe nuk përsëriten. Ky numër njihet edhe si konstanta e Arkimedit (jo numri i Arkimedit) .
![Thumb image](http://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/8/8a/Greek_lc_pi_icon.svg/80px-Greek_lc_pi_icon.svg.png)
![Thumb image](http://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/1/1c/Archimedes_by_Patania.jpg/640px-Archimedes_by_Patania.jpg)
![Thumb image](http://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/2/2a/Pi-unrolled-720.gif/640px-Pi-unrolled-720.gif)
Simboli π u vendos në vitin 1706 nga matematikani anglez William Jones (lexo: Uilliam Xhons) si gërma e parë fjalës greke περίμετρος (perimetros), domethënë përmasa përqark ose përreth. Gjatë historisë së matematikës janë bërë përpjekje të shumta për ta kuptuar më mirë natyrën e këtij numri. Përdorimi i tij njihet që nga antikiteti dhe nuk e ka humbur asnjëherë rëndësinë e tij. Përkundrazi, shumë formula nga matematika, (analiza matematike, trigonometria, stereometria, etj) apo fizika dhe inxhinieria përmbajnë numrin π. Koncepti i tij është sa i thjeshtë, aq edhe interesant.
"Të eksplorosh π, është njësoj si të eksplorosh Universin" (David Chudnovsky).
![Thumb image](http://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/a/a0/Ludolf_van_Ceulen.jpeg/100px-Ludolf_van_Ceulen.jpeg)
Shpesh ky numër quhet edhe numër i Ludolfit, për nder të matematikanit gjerman Ludolph van Ceulen i cili rreth vitit 1600 e njehsoi vlerën e tij me 32 shifra decimale :
3,14159 26535 89793 23846 26433 83279 50
Ishte aq i lumtur dhe krenar për llogaritjet dhe përfundimin e tij, sa që më vonë këtë numër ia gdhendën mbi pllakën e varrit.
Më vonë, më 1789, rekordin e llogaritjeve e arriti slloveni Jurij Vega me 140 shifra decimale nga të cilat 137 ishin të sakta dhe e mbajti për 52 vjet deri më 1841 kur William Rutherford (Uiliam Rathërford) llogariti 208 shifra. Sot numri shifrave decimale, sipas llogaritjeve të një superkompjuteri "Hitachi", është 1.241.100.000.000. Sidoqoftë vlera e tij 3.14 mbetet ajo e domosdoshme për llogaritje.
Me numrin π janë mrekulluar edhe jomatematikanët.