Muskuli
From Wikipedia, the free encyclopedia
Muskuli është një ind i butë, një nga katër llojet kryesore të indeve te kafshët. Indi muskulor mundëson muskujt skeletor të tkurren. Muskujt formohen gjatë zhvillimit embrionik në një proces të quajtur miogjenezë. Indet muskulore përmbajnë proteina të veçanta tkurrëse të quajtura aktinë dhe miozinë të cilat ndërveprojnë për të shkaktuar lëvizjen. Ndër shumë lloje proteinash të pranishme gjenden edhe dy proteina rregulluese, troponina dhe tropomiozina.
Indet muskulore ndryshojnë në bazë të funksionit dhe vendndodhjes në trup. Te kurrizorët tre llojet janë: muskujt skeletor; muskut e lëmuar; dhe muskujt kardiak. Indet e muskujve skeletor janë përgjegjës për lëvizjet e trupit dhe përbëhen nga qeliza të zgjatura muskulore shumëbërthamore të quajtura fibra muskulore. Inde të tjerë që gjenden në muskujt skeletor janë edhe tendinat. Muskujt e lëmuar dhe kardiak tkurren në mënyrë jovullnetare, pa ndërhyrje të ndërgjegjshme. Këta lloje muskujsh mund të aktivizohen nga ndërveprimi me sistemin nervor qendror si dhe duke marrë nxitje nga rrjeti nervor periferik ose aktivizimi endokrin (hormonal). Muskujt skeletor tkurren vetëm vullnetarisht, pas ndikimit të sistemit nervor qendror. Reflekset janë një formë e aktivizimit të pandërgjegjshëm të muskujve skeletor por gjithsesi krijohen si pasojë e aktivizimit të sistemit nervor qendror edhe pse informacioni kalon në strukturat e korteksit cerebral vetëm pasi tkurrja ka ndodhur.
Llojet e ndryshme të muskujve ndryshojnë në përgjigjen e tyre ndaj neurotransmetuesëve dhe hormoneve si acetilkolina, noradrenalina, adrenalina dhe oksidit nitrik në varësi të llojit të muskulit dhe vendndodhjes së saktë të tij.
Nënkategorizimi i indit muskulor është gjithashtu i mundur, përveç të tjerash në varësi të përmbajtjes të mioglobinës, mitokondrive, ATPazës së miozinës etj.