Mësimdhënia
From Wikipedia, the free encyclopedia
Mësimdhënia është kategori themelore e didaktikës dhe gjithashtu veprimtari dhe proces i organizuar që ka për qëllim arsimimin dhe edukimin e nxënësve. Ajo paraqet një aspekt të rëndësishëm shoqëror. Procesi i mësimdhënies është shumë kompleks pasi përfshin raporte dhe marrëdhënie të cilat duhet gërshetohen dhe harmonizohen njëkohësisht dhe vazhdimisht. Veprimtaria e mësimdhënies kryhet kryesisht në institucionet pedagogjike (shkollë, akademi, liceun, kolegj, fakultet etj.) dhe është e orientuar drejt zhvillimit të përgjithshëm të nxënësve, edukantëve, studentëve, etj.
Më tutje, mësimdhënia është veprimtari e organizuar, sistematike, krijuese e interaktive, institucionale ose joinstitucionale me qëllim të zotërimit të përmbajtjeve të përcaktuara, përvetësimin e njohurive, shkathtësive dhe shprehive, dhe aftësimin e nxënësve për punë të mëtejshme dhe të vazhdueshme. Qëllimi i mësimit është zhvillimi dhe krijimi i një personaliteti të nxënësit kritik, të lirë, të pavarur, kreativ, human, të arsimuar, multikulturor dhe shumëkonfesional, i cili është i hapur për të gjitha ndryshimet progresive aktuale dhe në të ardhmen, si për dhe në vetvete ashtu edhe në shoqërinë në të cilën jeton dhe vepron. Komponentët e këtij sistemi janë:
- Nxënësi (nxën dituri, fiton përvojë relevante, d.m.th. edukohet dhe promovohet)
- Mësuesi (arsimon, d.m.th. aktiviteti i tij është i orientuar drejt optimizimit të mësimit)
- Përmbajtja mësimore (përfaqëson bazën mbi të cilën mbështetet mësimi)
- Kushtet objektive (hapësirat dhe pajisjet mësimore ndikojnë direkt dhe indirekt në mësimdhënie)
- Marrëdhëniet ndërmjet pjesëmarrësve të mësimdhënies janë një faktor me rëndësi për sukses.[1] [2] [3] [4]