Luftërat e Trëndafilave
From Wikipedia, the free encyclopedia
Luftërat e Trëndafilave (në anglisht Wars of the Roses) ishte një përleshje e ashpër e karakterizuar nga një dhunë e pazakontë në Angli, gjatë viteve 1455-1485 ndërmjet familjes së Yorkut (trëndafili i bardhë) dhe familjes së Lankastërve (trëndafili i kuq), që përfundoi me hypjen në pushtet e monarkut Tudor, Henri VII.
Luftërat e Trëndafilave është emërimi i një serie luftërash civile të zhvilluara në Angli gjatë sundimit të Henrit VI, Eduardit IV dhe Riçardit III, nga viti 1455 deri në vitin 1485. Komandantët ushtarakë të Eduardit III (1312 – 1377) me kalimin e kohës degraduan në statusin e ushtarëve mercenarë, të cilët luftonin zakonisht në shtetet e tjera (Francë dhe Normandi). Këta kalorës, në fillim mbase thjeshtë fshatarë por më pas luftëtarë profesionistë, do të demoralizoheshin shumë shpejtë nga luftërat njëqind vjeçare kundra Francës. Në këto luftëra, me mijëra persona kishin rezultuar të humbur në Angli. Në një situatë të tillë, lordët feudalë përfituan për të përqendruar të gjithë pushtetin në duart e tyre. Këta lordë të pasur e të fuqishëm, ishin ambiciozë kundrejt fronit mbretëror. Ndërkohë, ushtarakët në luftën kundra Francës, mbas kthimit të tyre në atdhe, do të ndikonin të dyja anët me idetë e tyre djallëzore për të shtirë në dorë gjithçka duke përdorur gjithçka.
Në këtë kaos të madh, ku lordët e mëdhenj feudal luftonin për të shtirë në dorën e tyre pushtetin, dhe me veteranët e luftërave të lodhshme franceze, që më në fund ishin kthyer në shtëpitë e tyre vetëm për t’i gjetur ato të aneksuara nga e drejta “hyjnore” e feudalëve, nuk ishte fare e paparashikueshme se një luftë e madhe civile do të përfshinte vendin. Magna Carta (1215) me parimin se "Askujt nuk do i shesim, askujt nuk do i refuzojmë ose mohojmë të drejtën dhe drejtësinë” u la në harresë gjatë kësaj periudhe.