Liturgjia
From Wikipedia, the free encyclopedia
Liturgjia (greq. λειτουργια = shërbesë) është adhurimi i zakonshëm publik i bërë nga një grup i veçantë fetar, sipas trashëgimisë së tij të posaçme. Thënia e liturgjisë përfshin ecurinë e shërbesës së plotë të meshës: lutjen, leximin, shpalljen (predikimin), këndimin, veshjen, simbolet dhe enët e shenjta.
Në fe, liturgjia është një përgjigje e përbashkët ndaj sakramentit nëpërmjet veprimtarisë pasqyruese (përsiatëse) lutëse, falënderuese, falëse, apo penduese. Rituali mund të shoqërohet me ngjarjet më të rëndësishme të jetës së njeriut si lindja, rritja, martesa, dhe vdekja. Kështu ajo formon bazën për themelimin e një marrdhënieje me një fuqi hyjnore, si edhe me pjesëmarrës të tjerë në liturgji. Mënyrat e veshjes, përgatitjes së ushqimit, apo ushtresa të tjera higjenike mendohen të gjitha si veprimtari liturgjikore. Rite përsëritëse formale, pak të ngjashme me liturgjitë, janë të natyrshme dhe të zakonshme në të gjitha veprimtaritë njerëzore si ngjarjet e organizuara sportive etj.