Literatura shkencore
From Wikipedia, the free encyclopedia
Literatura shkencore (anglisht: scientific literature) është një term nga fushat e metodologjisë, hulumtimeve shkencore, historiografisë dhe shkencës së bibliotekës e që përfshin botime shkencore që paraqesin vepra origjinale empirike dhe teorike në shkencat natyrore dhe shoqërore. Gjithashtu literatura është pjesë përbërëse e aparaturës shkencore të një libri ose punimi tjetër shkencor që paraqitet zakonisht në fund të tij, si një seksion më vete dhe që zakonisht titullohet thjeshtë Literatura ose në disa raste shkruhet Literatura e cituar, Literatura e konsultuar ose Literatura shtesë. Në këtë pjesë renditen të gjitha burimet primare, sekondare dhe terciare mbi të cilat është mbështetur hulumtimi, vepra shkencore ose shkrimi akademik. [1] Në disa qarqe akademike, termi Literaturë shpesh ngatërrohet me termin Letërsi (anglisht: The Literature).
Botimi akademik është procesi i publikimit të rezultateve të kontributit kërkimor (hulumtues) në fusha të ndryshme të shkencës, artit dhe kulturës, dhe i cili shpesh kërkon një proces rishikimi (recensioni) nga kolegët.
Hulumtimi ose kërkimi shkencor origjinal i botuar për herë të parë në revista shkencore quhet literaturë parësore (burim parësor). Patentat dhe raportet teknike, për rezultate të vogla kërkimore dhe punë inxhinierike dhe projektuese (përfshirë softuerin kompjuterik), mund të konsiderohen gjithashtu literaturë parësore.
Burimet dytësore (sekondare) përfshijnë artikuj rishikues (të cilët përmbledhin gjetjet e studimeve të botuara për të nxjerrë në pah përparimet dhe linjat e reja të kërkimit) dhe libra (për projekte të mëdha ose argumente të gjera, duke përfshirë përmbledhje artikujsh).
Burimet tretësore (terciare) mund të përfshijnë enciklopedi dhe vepra të ngjashme të destinuara për konsum të gjerë publik.