Islamizimi i shqiptarëve
From Wikipedia, the free encyclopedia
Përhapja e islamit në tokat shqiptare ishte një dukuri e shkaktuar prej bashkëveprimit të një numri faktorësh të natyrave të ndryshme: politike, ekonomike, kulturore dhe fetare. Pas vitit 1389, shumica e shqiptarëve u konvertuan në myslimanë. Perandoria Osmane ishte një shtet islam që pranonte të drejtën e ekzistencës brenda kufijve të tokave nën sundimin e vet edhe të komuniteteve fetare joislamike, mjafton që këto të fundit të njihnin pushtetin e sulltanit dhe të paguanin një taksë të caktuar (xhizjen) si kompensim për “mbrojtjen” që gëzonin nën hijen e sovranit osman. Megjithatë, mjaft aspekte të politikës së shtetit osman kundrejt vendeve të krishtera të përfshira nën sundim, rrjedhimisht edhe ndaj Shqipërisë, shërbyen si shkaqe të mirëfillta që inkurajuan procesin e përhapjes së fesë islame ndër shqiptarët. Në radhë të parë këtu duhen përmendur mekanizmat politikë, që u përdorën për tërheqjen e fisnikërisë feudale vendase në hierarkinë ushtarako-administrative osmane.