From Wikipedia, the free encyclopedia
Bletaria është disiplinë e cila merret me rritjen dhe kultivimin e kolonive të bletëve të mjaltit, zakonisht në koshere të punuara nga njerëzit. Një bletar mban bletë me qëllim që prej tyre të mbledhë mjaltin dhe produktet e tjera që prodhojnë kosheret (duke përfshirë dyll, propolis, polen dhe qumështin e bletës), për të polinuar bimët ose për të prodhuar bletë për shitje tek bletarët tjerë. Një vend ku mbahen bletët quhet park ose "oborr bletësh". [1] [2] [3]
Pamje të njerëzve duke mbledhur mjaltë nga bletët e egra datojnë prej para 10,000 vjetësh. Bletët në enët e qeramikës filluan të përdoren rreth 9,000 vjet më parë në Afrikën e Veriut. Argumentimi shfaqet në artin egjiptian prej rreth 4.500 vjet më parë. Asokohe përdoreshin kosheret e thjeshta dhe tymi ndërsa mjalti është ruajtur në kavanoza, disa prej të cilave janë gjetur në varret e faraonëve si Tutankhamuni. Mirëpo deri në shekullin XVIII evropianët nuk e kuptuan sa dhe si duhet, biologjinë dhe mbarështimin e bletëve. [4]
Ilirët e lashtë, falë kushteve të favorshme klimatike dhe bimësisë se pasur mjaltëdhënëse, janë marrë edhe me rritjen e bletëve. Vetë Aristoteli, filozof i njohur grek dhe njohës i mirë i bletarisë ka shkruar se ilirët kishin bletarë të shkëlqyer. Aristoteli na informon se bletët dhe mjalti përdoreshin gjerësisht nga ilirët. Në veprën me titull "Mbi mrekullitë e dëgjuara" - De Mirabilibus Auscultationibus (Περὶ θαυμασίων ἀκουσμάτων) ai mes tjerash shkruan: "Thonë se tek ilirët e quajtur taulantë, bëjnë verë nga mjalti; pasi i shtrydhin hojet e mjaltit i hedhin ujë dhe e ziejnë në kazan gjersa të mbetet gjysma. Këtë e hedhin ndër enë prej balte dhe e lënë derisa të mbetet gjysma, pastaj lëngun e hedhin ndër enë prej druri. Këtu, ndër enët e drurit, thonë se e lënë të fermentohet për një kohë të gjatë dhe bëhet si verë dhe bile një verë e ëmbël dhe e fortë. Kurse tani thonë se kjo verë bëhet edhe në disa vende të Helladës dhe e tillë që nuk ndryshon aspak prej verës së vjetër, aq sa ishte e pa mundur për kërkuesit që ta dallonin ..."[5] [6] Ndërkohë ilirët e fisit Abri ishin të njohur edhe si prodhues të një birre nga meli, elbi dhe mjalti, e quajtur sabaia (birrë meli). [7] [8] [9] Lidhur me mitologjinë ilire, është edhe emri Melisa/Amelisa/Ambelsia që d.m.th. një lloj blete; etimologjia shqip mbledhësja e ambëlsisë e nektarit), e bija e Epidamnit, ishte një nimfë që ngelet shtatzënë nga Poseidoni dhe lind Dyrrahionin, Hyun e dy rraheve-porteve). Ilirët taulantë, për nderimin e kësaj stërgjysheje të bletëve, përveç përdorimit si emërtim mitologjik e si antroponim, ia kishin ngjitur emrin edhe një kepi detar, Kepi Melissa/Melisonios, në jug të Durrësit. Nga numizmatika shohim se ilirët kishin farkuar edhe monedha argjendi me figura bletësh, në paraqitjen e të cilave përziheshin edhe mitologji të lashta. Madje figura e bletës është qëndisur edhe në kostumet e grave iliro - shqiptare në periudha të ndryshme historike.
Sipas besimeve tradicionale popullore, bleta dikur ka qenë njeri; mbase për këtë thuhej vdiq e jo ngordhi. Ajo nuk nëmet, sepse, sipas besimeve popullore, është mëkat i madh të nëmësh bletën. Përpara se t’i merrnin mjaltin, njerëzit laheshin, sepse besonin se në të kundërtën bleta nuk do të jepte më mjaltë, madje dhe se mund të “vdiste”, nuk bëhej ashure me mjaltë se del nga shpirti i mizave - bletë; nuk duhet të shkelet uji me të cilin lahen duart kur hanë mjaltin se është mëkat i rëndë. Franc Nopça e lidh këtë nderim për bletën me mitraizmin, por do të ishte më afër mendsh ta shpjegonim me traditat e lashta vendase, që mbase na kthejnë te Melisa e lashtësisë, te nimfa e shndërruar në bletë, pra te stërgjyshja e të gjitha bletëve dhe nëna e Dyrrahut. Bleta ndryshe quhet edhe mblet/ë-a, gjet/ë-a, mjacëzë , mjaltëz, fryma e shenjtë, mizë, mizë mjalti, mizare, punëtoret. Del edhe në toponimi: Guri i Bletës (Kryezi-Pukë), Shteku i Bjetës (Apripë e Gurit-Pukë), Lugu i Bjetës (Skavinë-Pukë), Bleta e Marcolit (Kroni i Madh-Shllak), Curri i Bletës (Benë-Shllak), Rrethi i Bletës (Vukël) etj. [10]
Ndërkaq përmbledhja e parë dhe më e plotë e folklorit shqiptar e përgatitur nga rilindasi Thimi Mitko dhe e plotësuar nga Gjergj Pekmezi mban titullin Bleta shqiptare.
[undefined] Error: {{Lang-xx}}: no text (help)
(gjuhë tjera)
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.