Barcelona
komunë në Katalonjë, Spanjë / From Wikipedia, the free encyclopedia
Barcelona është kryeqyteti dhe qyteti më i populluar i Katalonisë dhe qyteti i dytë më i madh në Spanjë, pas Madridit, me një popullsi prej 1,621,537 brënda kufijve të saj administrativë në një sipërfaqe prej 101,4 km2. Zona urbane e Barcelonës shtrihet përtej kufijve administrative të qytetit me një popullsi prej mbi 4.2 milion në një sipërfaqe prej 803 km2, duke qenë zona e gjashtë më e populluar urbane në Bashkimin Evropian pas Parisit, Londrës, zonës së Ruhrit, Madridit dhe Milanos. Rreth 5 milionë njerëz jetojnë në zonën metropolitane të Barcelonës. Ajo është gjithashtu metropoli më i madh i Evropës në bregdetin mesdhetar. Ajo ndodhet në bregdetin e Mesdheut midis grykëderdhjeve të lumenjve Llobregat dhe Besòs dhe kufizohet në perëndim nga vargmali i Serra de Collserola maja më e lartë e të cilit është 512m.
Barcelona | |
---|---|
Nofkat: Ciutat Comtal, Barna, BCN | |
Popullsia | |
• Gjithsej | 1.621.537 |
Emri i banorëve | barcelonas/e |
Faqja zyrtare | www.bcn.cat |
Barcelona është sot një nga qendrat ekonomike, tregëtare, turistike dhe kulturore kryesore të botës, dhe ndikimet e saj në arsim, argëtim, media, modë, shkencë, art kontribuojnë në statusin e saj si një nga qytetet më të mëdhenj globalë të botës. Në të vërtetë, ajo është një qendër e madhe ekonomike dhe një qendër financiare gjithnjë në rritje (Diagonal Mar). Barcelona është një qendër transporti, me një nga portet kryesore të Europës, një aeroport ndërkombëtar, që i shërben rreth 30 milionë pasagjerëve në vit, me një rrjet të gjerë autorrugësh dhe është një qendër e hekurudhës me shpejtësi të lartë, që lidhet me Francën dhe pjesën tjetër të Europës.
Themeluar si një qytet romak, Barcelona u bë kryeqyteti i Qarkut të Barcelonës. Pas bashkimit me Mbretërinë e Aragonit, ajo u bë një nga qytetet më të rëndësishme të Kurorës së Aragonit. Rrethuar disa herë gjatë historisë së saj, Barcelona ka një trashëgimi të pasur kulturore dhe është një qendër e rëndësishme kulturore dhe një destinacion i madh turistik. Veçanërisht të njohura janë veprat arkitekturore të Antoni Gaudít dhe Lluís Domenech i Montanerit që kanë hyrë në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s. Qyteti është i njohur edhe në kohët e fundit për Olimpiadën Verore 1992. Selia e Bashkimit për Mesdheun ndodhet në Barcelona.